Publikohet për herë të parë dosja sekrete e Perandorisë Britanike për Ismail Qemalin

Në kuadër të përkujtimit të 180-vjetorit të lindjes së Ismail Qemalit dhe në prag të 124-vjetorit të arratisjes së tij të bujshme nga Kostandinopoja publikohet për herë të parë dosja e klasifikuar e arkivit të Perandorisë Britanike për këtë ngjarje.

Evarist Beqiri, autor i librit “Themeluesi-Lidershipi i Ismail Qemalit” sjell për publikun fashikullin që ruhet në Arkivën Kombëtare të Indisë, në fondin arkivor që i përket ministrisë së Jashtme të Perandorisë Britanike që mban titullin: “Historia e kërcënimit të jetës së Ismail Qemal Beut nga Sulltani i Turqisë dhe arratisja e tij me një anije që valëviste flamurin anglez”.

Ngjarjet e përshkruara në këtë fashikull diplomatik zhvillohen para 124 vitesh, konkretisht në fundin e prillit dhe fillimin e majit të vitit 1900. Fashikulli përmban 8 faqe me dokumente dhe shënime të klasifikuara “Konfidenciale”.

Beqiri thekson se në memorandumin e detajuar të hartuar nga diplomati britanik Adam Block, më 1 maj 1900, ndër të tjera zbërthehet edhe komploti i përgatitur nga sulltani për vrasjen e Ismail Qemalit, me të mbërritur në Tripoli.

Memorandumi nënvizon faktin që Ismail Qemalit iu mohua kërkesa për të marr me vete djalin dhe bashkëpatriotët e tij shqiptarë. Aty përshkruhen me saktësi të gjitha zhvillimet që i paraprin vendimit të Ismail Qemalit për t’u arratisur, pas vendimit të sulltanit për ta syrgjynosur.

Pjesë e fashikullit janë edhe katër letra të shkurtra por shumë interesante të Ismail Qemalit. Ato janë shkruar me një frëngjishte të përsosur dhe me një gjuhë të rafinuar diplomatike.

Sipas Beqirit, ambasada britanike në Kostandinopojë luajti një rol kyç në suksesin e arratisjes së Ismail Qemalit.

“Pavarësisht se siç theksohet qartazi në këto dokumente diplomatike iniciativën dhe përgjegjësinë për ndërmarrjen e këtij veprimi e pati plotësisht Ismail Qemali, i cili shmangu me mjeshtëri policinë dhe spiunët e ngarkuar me mbikëqyrjen e tij, duke kërkuar mbrojtje në bordin e luftanijes së Madhërisë së Saj. Një nga ligjet e pashkruara të pushtetit është mbajtja e nismës dhe Ismail Qemali diti që ta zbatonte me sukses këtë aksiomë”, u shpreh ai.

Më 1 maj 1900, në moshën 56-vjeçare dhe pas një karriere 40-vjeçare, e cila preku majat më të larta të shërbimit publik, Ismail Qemali, së bashku me tre djemtë, u arratis nga Perandoria Osmane.

Arratisja e tij e shqetësoi shumë Portën e Lartë jo vetëm për shkak të ndikimit të madh që ai kishte si udhëheqës i kauzës kombëtare shqiptare, por edhe për shkak të staturës së tij si modeli më i mirë i shërbyesit publik në perandori.

Këtu e ka zanafillën një faqe tjetër e jetës dhe e veprimtarisë së tij për çështjen shqiptare, e cila do ta shndërronte atë në simbolin e ndritur të patriotizmit shqiptar. Kjo fazë është e mbushur me shumë dallgë të mëdha dhe sakrifica personale për hir të së mirës së kombit.

Në fund ajo do të rezultonte vendimtare për të ardhmen e kombit shqiptar dhe për trashëgiminë e lidershipit të Ismail Qemalit.

Me largimin e tij nga Perandoria Otomane, Ismail Qemali dëshironte t’i jepte një mesazh të qartë sulltanit, i cili po e keqqeveriste vendin me politikat e tij të jashtme dhe të brendshme.

Pas arratisjes së Ismail Qemalit dhe si pasojë e veprimtarisë politike të tij, në qershor të vitit 1901, Gjykata Penale në Kostandinopojë e dënoi atë me vdekje në mungesë, si edhe me konfiskimin e pronave dhe humbjen e të drejtave civile. Ai u akuzua për: “Orvatje për të nxitur popullin kundër qeverisë dhe sulltanit nëpërmjet botimeve për kryengritje dhe me mënyra të tjera”.

/ATSH/ObserverKult


Lexo edhe:

ISMAIL KADARE: O JU KORBA QË MË HANI, SYTË E ZEZË TË MOS M’I NGANI!

Ndër dy male me dëborë
Ra një trim vetullë-hollë

O ju korba që më hani
Syt’e zez të mos m’i ngani!
Se kur nat’e zez’ të bjerë
Do vrapoj un’ porsi erë.
Atdheu ku më pret,
Tek deti buçet.

O ju korba që më grini,
Syt’e zez vetëm m’i lini
Se pa ta s’do gjej dot rrugët
Në të errët, në të mugët.
Ku nëna më pret,
Tek deti buçet.

O ju korba që më sosni,
Syt’e zez të mos m’i groposni!
Se pa ta s’kam për të parë
Vajzën time, malln’e parë,
Tek deti buçet,
Dhe pret ajo, pret.

O ju korba, atë natë
Syt’e zez përse m’i latë?
Drejtë atdheut, n’errsirë,
Ika detit
Por të lidhur me zinxhirë
Prap e gjeta.

O ju korba, pse s’mi nxorët
Syt’e zez mua të gjorit?
Që dot rrugën të mos gjeja,
Rrugë shkretën,
Se kish vdekur dhe nëneja,
Ishte tretur.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult