Festivali Anibar ka publikuar programin artistik të tij për edicionin e 11-të, i cili do të mbahet nga 17 deri më 23 gusht, në Pejë. Bëhet e ditur se nga 1300 filma, 139 u përzgjodhën për t’u shfaqur gjatë shtatë ditëve të festivalit.
Filmat janë ndarë në shtatë kategori, ku pesë prej tyre do të jenë në garë: Gara Ndërkombëtare, Gara Studentore, Gara Ballkanike, Gara e Video Muzikës së Animuar dhe Kategoria e të Drejtave të Njeriut. Ndërsa, dy kategoritë e tjera do të jenë jashtë garës: Panorama dhe Programi për Fëmijë dhe të Rinj.
Në mesin e filmave të përzgjedhur do të jepet premiera botërore e “All Those Sensations in my Belly” e regjisorit Marko Djeska, që garon në Garën Ballkanike dhe në Kategorinë e të Drejtave të Njeriut.
Programi i filmave që do të shfaqen gjatë muajit gusht janë përzgjedhur, nominuar ose shfaqur në një numër festivalesh tjera, si: “Annecy International Animation Film Festival”, “The Academy Awards”, “Cannes Film Festival”, “Berlin International Film Festival”, “Sarajevo Film Festival”, “Animafest Zagreb”, “Kaboom”, “Fantoche”, “Anifilm”, “Stuttgart Trickfilm International Animated Film Festival”, “Ottawa International Animation Festival” etj.
Programi do të shfaqet përmes platformave digjitale për mysafirë vendorë dhe ndërkombëtarë. Mundësia e organizimit të kinemave të hapura do të mbetet opsion vetëm nëse situata pandemike përmirësohet gjatë muajit gusht.