Pyetësorit të Prustit i përgjigjet mjeshtri i fotografisë Fahredin Spahija.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturia e përkryer do të duhej të ishte ajo që pretendon Budizmi, Nirvana! Një paqe e përherëshme e cila mund të gjindet vetëm në botën e përtejme… Eshtë mbresëlënëse edhe mënyra se si e përcakton lumturinë sufi filozofi iranian i shekullit të 11, Al-Gazali. Në librin e tij “Alkemia e lumurisë” ai thotë: “I lumtur është ai që arrinë ta njoh vetëveten.”
Cila është frika juaj më e madhe?
Frika nga lartësia në ambiente të hapura, është tmerri im më i madh! Eshtë frikë që nuk kam arritë asnjëherë ta vë nën kontrollë…
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Fotografi Brazilian Sebastiao Salgado vazhdon të më mrekullojë me projektet e tij fotografike që ia kushton njeriut dhe ambientit. Ai në vitin 1973 braktisi biznesin e kafes që t’i përkushtohej fotografisë vetëm për një qëllim: të zhbiriloj skutat më të zymta të qenies njerëzore siç janë, kushtet e rënda në të cilat detyrohen të punojnë punëtorët në industritë e ndryshme profitabile anekënd botës, migrimi i njerëzve për arsye nga më të ndryshmet, shkatërrimi i barazpeshës ekologjike sidomos në xhunglën e Amazonës ku për nevoja të industrisë së drurit janë shkatërruar pyje të tëra. Kësaj teme, fotografi brazilian i është përkushtuar nga viti 2004 deri në vitin 2011 me projektin e tij të jashtëzakonshëm “Genesis” (“Zanafilla”) si dhe me projektin “The Salt of Earth” (“Kripa e tokës”) përmes të cilëve ka bërë përpjekje të dokumentojë shpërfytyrimin e natyrës nga njeriu, por edhe gjetjen e komuniteteve të ndryshme njerëzore të cilët akoma jetojnë siç kanë jetuar edhe stërgjyshërit apo paraardhësit e tyre në harmoni të plotë me natyrën!
Në vitin 1990 Salgado së bashku me gruan e tij financon dhe mbjellë mbi 200.000 fidane në pyjet e dëmtuara braziliane me qëllim të rivitalizimit të tyre me drunjë të rinjë! Të gjitha këto që i përmenda lidhur me Salgadon m’kanë bërë ta admiroj personalitetin e tij krijues dhe human i cili me fotografitë e tij të mrekullueshme nga projektet e shumta, na ka ndihmuar që ta shohim botën me një sy më kritik.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Nëse pyetja ka të bëjë me një personalitet nga historia kombëtare atëherë pa pikë dyshimi do ta veçoja Hasan Prishtinën.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Ajo që nuk pëlqej nga tiparet e mia është ngutia apo reagimi tepër i ngutshëm ndaj një padrejtësie të bërë apo ndaj ndonjë veprimi të tjetrit që unë nuk e pëlqej. Asnjëherë nuk kam arritë që këtë tipar që më ka kushtuar tepër shumë gjatë jetës sime, ta ndryshoj.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Josinqeriteti dhe konformizmi më duken tipare krejtësisht të papranueshme tek njerëzit, në veçanti tek ata me të cilët më rastisë të miqësohem apo edhe të shoqërohem.
Në cilat gjëra e teproni?
Në mbajtjen e inateve!
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Nëse gënjeshtra do ta ndihmonte ruajtjen e jetës sime apo ruajtjen e marrëdhënies me ndonjë person të rëndësishëm për mua, atëherë do të shërbehesha me te por me kushtin që ajo nuk do ta dëmtonte askend.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Çdo rrugëtim drejt një vendi ku ekspozoj artin tim fotografik është shumë i rëndësishëm për mua!
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Po bac, po!
Për çfarë iu ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Njohja dhe martesa me personin e gabuar!
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Fotografia është dashuria ime më e madhe në jetë! Ajo m’ka ba me i pa gjërat krejtësisht ndryshe dhe ajo më është gjetur pranë sa herë jam ndjerë i braktisur apo i vetmuar!
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Do të thoja, e hallakatur!
Jam në kulmin e pjekurisë nga cilido aspekt që shikohet ajo dhe prapëseprapë më duket se çdo gjë po fillon nga e para! Si njeri ,asnjëherë nuk jam ndjerë më i pjekur dhe më i informuar dhe prapë më duket se nuk di gjë! Si mashkull, asnjëherë në jetë nuk jam ndjerë më i plotësuar si në aspektin shpirtëror po ashtu edhe në atë fizik, dhe prapë ndjej një boshllëk të madh i cili kam frikë se nuk do të mbushet kurrë! Si artist asnjëherë nuk jam ndjerë më i sigurtë dhe më i frytshëm se në këtë kohë dhe prapë kam frikën se nuk do të arrijë ta them deri në fund, atë që dua ta them.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Do të doja të isha më tolerant ndaj zhgënjimeve dhe dëshpërimeve.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Njohjen me fotografinë!
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Periudhën time jetësore nga viti 1985 deri në vitin 1989.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Do të zgjedhja prapë të isha njeri por krejtësisht i pavarur financiarisht dhe me mundësi të themeloja një shkollë dhe galeri arti që do të ishin krejtësisht në funksion të zhvillimit dhe promovimit të talenteve në fushën e arteve pamore.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Dhuntia, ndjeshmëria dhe dashuria që kam për artin fotografik!
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Nuk ka mjerim më të madh se kur një popull udhëhiqet nga hajdutë, mashtrues e kriminelë dhe shpresat e tij për përparim shoqëror, politik, ekonomik e kulturor, fillojnë e veniten!
Ku do të dëshironit të jetonit?
Në një vend ku njeriu vlerësohet dhe trajtohet më mirë se këtu!
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Asnjëherë se kam kuptuar: të jesh i drejtpëdrejtë është cilësi apo mangësi?! Kjo cilësi që të tjerët e vlerësojnë tek unë, më ka sjellë shumë telashe e padrejtësi në jetë…
Çfarë vlerësoni tek një burrë?
Përpjekjen për ta ruajtur kurrizin dhe gjunjtë.
Çfarë vlerësoni tek një grua?
Mençurinë, butësinë dhe durimin.
Çfarë vlerësoni më së tepërmi tek miqtë tuaj?
Sinqeritetin dhe korrektësinë!
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Milan Kundera dhe Orhan Pamuk janë për mua, dy romansierët më të mirë bashkëkohorë! Kënaqësia që këta të dy më ofrojnë gjatë leximit të letërsisë së tyre nuk mund të krahasohet me asnjë ndjesi që përjetoj kur lexoj romansierë tjerë. Eshtë shumë e dhimbshme që në këtë kohë të globalizimit kulturor ne nuk arrijmë të ftojmë shkrimtarë të tillë për t’i parë nga afër dhe për ta dëgjuar fjalën e tyre në amfiteatrot tona.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Heronjtë e mi në jetën e vërtetë janë prindërit e mi. Ata që më sollën në jetë dhe që nga dita në ditë formësuan karakterin tim! Ata që në bashkimin e tyre u përballën me egërsinë e jetës dhe në rrethana të tilla të detyruar të braktisin vendin e tyre, familjarët e tyre, ata nisën jetën nga zeroja në një ambient krejtësisht të panjohur për ta! Aty, ata të dy hodhën themelet e familjes së re dhe sollën në jetë fëmijët e tyre… Babai im një i posaliruar nga burgu famëkeq politik i Sremska Mitrovicës (Serbi), patriot shumë i çiltër i pandotur nga idelogjitë e errëta të kohës komunizmi dhe fashizmi, u bë për ambientin e ri, Dvorcën e Maqedonisë (vendlindja ime) njeri dhe mësues model për kolegët, nxënësit dhe fshatarët për vite me rradhë! Nëna ime, vajza e një sipërmarrësi të zgjuar dhe patriot Sylë Dushi, e mësuar me një jetë të mire dhe të rehatshme pas martesës me babain tim iu desh të ballafaqohej me një jetë në varfëri të skajshme dhe me një burrë që kishte etiketën “armiku i popullit”. Mirësia dhe butësia e saj bëri që edhe ajo të pranohej shumë shpejtë nga njerëzit e veçanërisht nga gratë dhe vajzat e fshatit duke u shndërruar kështu në një këshilltare të vërtetë për përballimin e halleve dhe telasheve që ato kishin në jetën e tyre.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Do të doja fort të kisha dhuntinë për të shkruar, për të rrëfyer. Letërsia është dashuria ime e madhe që vjen pas fotografisë. Por, me që kjo dhunti nuk mu dhurua dot, dashurinë për letërsi arrij ta kompenzoj me lexim…
Si do të dëshironit të vdisnit?
I qetë, pa dhimbje dhe duke i mbajtur dorën personit që dua…
Cila është motoja juaj?
Shpirti mbi të gjitha!/
(2017)
ObserverKult
Kliko edhe: