Pyetësori i Prustit/ Ornela Musabelliu: Jeta është një lojë: luaje bukur dhe me seriozitet!

ornela musabelliu pyetesori i prustit

Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet shkrimtarja dhe botuesja Ornela Musabelliu:

Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?

Një mbrëmje e bukur dimri me borë, me zjarrin që kërcet në oxhak dhe me familjen pranë, por edhe një ditë plazhi në Kalkidhiki, një gotë verë me miq… Lumturia vjen gjithnjë me copëza, si një album fotografish, nga ata që prindërit tanë mbanin në xhamin e poshtëm të tavolinës së mesit. Por, çdo moment i bukur ka edhe gjembat e vet, kështu që… Pastaj mendoj se e përkryera, përveç se do kthehej në monotoni, është e pambërritshme, gjithmonë një hap më larg. Se kujtesa jonë është e brishtë dhe çdo çast lumturie të përjetuar na e përkthen në nostalgji, ndërsa kjo e fundit na ushqen urinë e përhershme dhe çartjen për të kërkuar e arritur më shumë. Shkurt, për mua, lumturi është kur do ato që ke.

Cila është frika juaj më e madhe?

Nuk kam frikë ta pranoj që jam frikacake. Por frika është emocion primitiv, që të mbështjell e të bën të humbasësh logjikën. Si pamja e një merimange që të tmerron; megjithëse e di që nuk do të të bëjë asgjë e nuk ke aspak dëshirë ta vrasësh, prapë e vret.

Jam përballur me të, por nuk ia kam dalë ta mposht e nuk kam më shpresa. Por, frika për humbjen e njerëzve të dashur është ajo që ma ngrin zemrën deri në atë masë, sa frikërat e tjera më duken gati qesharake, zbavitëse.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Si shumica e vajzave, babanë. Për mua është njeri i madh, që pak ia dinë madhështinë, sepse në atë vendin tonë, ndershmëria dhe sakrificat janë jashtë mode, janë për “humbësit”.

Pa rënë në klishe, ka plot gra e burra që e bëjnë botën të ëndërrojë e të mendojë, të tjerë që frymëzojnë. Kam mikesha, që në heshtje e pa e bërtitur janë gjithmonë gati të japin më të mirën e tyre në ndihmë të të tjerëve, fëmijët e mi… Kam admirim të thellë për heronjtë e heshtur.  

Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Gjithë heroinat e së shkuarës kanë mbaruar keq. Kleopatra u vetëvra, Zhan D’Ark e dogjën në turrën e druve se veshi rroba burrash, kurse Mari Kyri vdiq nga kanceri që mori bashkë me çmimet e saj “Nobel”. Siç e thashë, jam frikacake… Pastaj, çdo kohë ka përballjet, tiparet e veta filozofike dhe heronjtë e vet. Nëse personaliteteve që çmoj nga e shkuara, do t’u vishja petkat e ditëve të sotme, dyshoj se mund të kisha të njëjtat pritshmëri dhe ndjeshmëri për ta.

Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni?

Paaftësia për të hequr dorë nga gjërat që më pëlqejnë edhe kur e di se janë të dëmshme, është një që s’e duroj te vetja. Përtej kësaj, vështirë do ta kisha t’i përgjigjesha të kundërtës së kësaj pyetjeje (qesh). Por gjërat evoluojnë, ndryshojnë e po ashtu ndryshojnë edhe ato që nuk pëlqejmë. Në situata të caktuara mund të marrë pikë një tipar “jo shembullor” dhe e kundërta. Po e konkretizoj këtë me një ndodhi të para disa viteve në Tiranë, për të cilën ndihem keq edhe sot kur e kujtoj: kishim ngecur në trafik me tim shoq, në Kamzë, kur shoh një mesoburrë, paraplegjik, që e kish ndalur karrocën me rrota buzë rrugës dhe rrinte me duart e lëshuara në pëqi. Më dhembi fytyra e tij e vuajtur dhe duke menduar se po kërkonte ndihmë në të holla, kërceva shpejt nga makina dhe i zbraza në prehër të gjitha të thyerat që më kapi dora në kroskot. I panjohuri më vështroi i çuditur dhe arriti të belbëzonte veç një “Jo…”. E tronditur nuk e lashë ta mbaronte fjalinë; kuptova që aty, buzë rrugës me pluhur, thjesht po i gëzohej diellit. I kërkova falje përulësisht, por nuk munda t’i mbaja dot lotët. Natyra ime altruiste sapo kish lënduar një njeri, që përpos sëmundjes duhej të duronte edhe “mëshirën” time.

Nganjëherë më duket se jam e përbërë vetëm prej nervave, që prodhojnë një ndjeshmëri të tejskajshme. Kjo ka të mirat dhe të këqijat e veta: kujdesem për njerëzit, i dua, jam tolerante më shumë se ç’duhet, por, kur kuptoj se ma kanë me të keq, jo pak herë edhe në gabim, i bie kovës me shqelm. E djeg jorganin për një plesht nga zemërimi, por fal shpejt, kollaj, përveç vetes; asaj i vij hakut!

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Paaftësinë për të kërkuar dhe gjetur të mirën brenda vetes. Kjo pjell mosmirënjohjen, arrogancën, pabesinë, vrazhdësinë etj. Për shembull, ende nuk kam mësuar ta përtyp përbuzjen me të cilën i përgjigjen një dore që shtrihet për ndihmë. Jo çdo dorë e shtrirë është lëmoshë; mund të jetë respekt, që ta bësh tjetrin të ndihet njeri, edhe pse në hall të madh!

Në cilat gjëra e teproni?

Kujdesem më shumë për të tjerët se për veten. Kjo më lëndon shpesh. I hidhem në fyt tim shoqi kur thotë diçka për dikë, qoftë kjo dhe e vërtetë. Më pyet me shaka: “Po ti me kë je, me mua, apo me ariun?”. Unë gjithnjë jam me “ariun”. Më duket sikur padrejtësia ua gërvisht lëkurën njerëzve. E di që është naivitet, por…

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

Oh, kur ndihem vërtet ngushtë e s’kam nga ia mbaj. Në fakt, i neveris me shpirt gënjeshtrat, por, kur e kthej “majën e thikës” nga vetja, më dhemb po njëlloj: bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë – i thonë kësaj. Se normal që edhe unë rrej, ndonëse mundohem ta shmang sa mundem. Shpesh, në vend që të gënjej, zgjedh ta fsheh një të vërtetë që dhemb, duke endur dinakërisht një rrjetë merimange me ca të vërteta të tjera. Por nuk jam naive, e di që ndonjëherë të vërtetat janë më të dëmshme se gënjeshtrat, ndaj, për të mbrojtur veten dhe njerëzit që dua, që askush të mos lëndohet, do gënjeja edhe veten.  

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Përveç mes-për-mes Europës me makinë, në një ditë pranvere, me një kafe në Luksemburg, një drekë në ndonjë fshat të Francës dhe verës së Valesë së Zvicrës?

Rrugë-tim, rrugët e mia… Nga ana filozofike: udhët që më çojnë drejt vetes dhe të panjohurës, duke mbartur çdo grimcë të vlefshme të atyre që më kanë sjellë deri këtu ku jam. Më pëlqen ta eksploroj botën dhe në përballje me të edhe veten çdo ditë e më shumë. Por, udha më emocionuese, më ripërtëritëse, ndonëse më e mundimshmja, është ajo nga vetja dje te vetja nesër.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

Di t’ju them çfarë mundohem të shmang më së shumti: fjalën “unë”! Në fakt, ky pyetësor e rrëzon totalisht këtë, meqë më duhet të flas për veten. Por, përtej parazitizmave, që nuk më kanë vënë në dukje ende asnjë, se ndonjëherë jemi të paaftë t’i kuptojmë vetë, nuk kursej fjalët që i bëjnë të tjerët të ndihen mirë.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Lista është e gjatë, por në të është gjithnjë fakti që i kushtoj pak kohë vetes. E kjo më tepër është keqardhje. Por, për mua, pendesa është një formë vetëdijeje, që nuk ka të bëjë me frikën ndaj ndëshkimit sesa me njohjen dhe pranimin e një veprimi apo mosveprimi që dëmton, veten apo të tjerët. E duhet guxim për të mos e neglizhuar apo për t’u përballur me të. Të pendohesh sot e ta bësh prapë nesër të njëjtën gjë, nuk është tjetër veç të gënjesh veten në një moment frike për haraçin që mund të paguash. Në të kundërt, duhet të ketë falje për çdo pendesë!

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Çka të shtyn ta latosh, rrisësh e përsosësh “gurin” tënd për çdo ditë; familja, vetja. E për një nënë, si mund të mos rrinë fëmijët në majë të piramidës së dashurisë?! Ata janë yjet që ndriçojnë dhe ngrohin bredhin tim edhe në ditët më të errëta e më të mardhura.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

Po i përgjigjem kësaj pyetjeje pas një nate të ankthshme e të pagjumë. Pikërisht dje, në qendër të Brukselit, ndodhi një akt terrorist, që na e shkuli zemrën vendit e mbolli kaos e gjendje terrori. Si mund të jem e qetë kur jetojmë në një botë kaq të trazuar, ku jeta ka kaq pak ose aspak vlerë? Ime bijë e përshkon çdo ditë atë zonë për në universitet dhe pikërisht në orën kur ndodhi krimi, ajo lë auditorin për t’u kthyer në shtëpi. Ankthi i përhershëm për sigurinë e dy fëmijëve të mi studentë, që tashmë jetojnë më vete, m’i gërryen pamëshirshëm rropullitë. Po njëlloj edhe shurdhima e shtëpisë së heshtur, që ka zëvendësuar gurgullimën e të qeshurave të tyre, ankesave, potereve. Nëse dikur mezi i prisja fundjavat për t’u çlodhur apo udhëtuar, tashmë s’kam gëzim më të madh se të “lodhem” duke gatuar, larë dhe hekurosur për ta, kur kthehen në shtëpi. Veç ditëve kur ua ndjej atyre të dyve aromën zbehet disi uturima e merakut për ta, për babin dhe motrat në Shqipëri, për punët krijuese, ritmin frenetik të jetës…

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

T’i merrja gjërat pak më lehtë; t’ia shteroja disi vrullin lumit të rrëmbyeshëm të pikëpyetjeve që ngre (në planin personal dhe profesional), pasigurive dhe kërkesës për të bërë gjithmonë më të mirën (sipas kutit tim).

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Dritën dhe dashurinë që më përcjellin sytë e fëmijëve të mi, ngrohtësinë e përqafimit të tyre. Shumë prej psikologëve mbrojnë tezën se duhet të jesh veç prind për fëmijët, por unë jam tejet e lumtur që kam arritur të jem për ta jo vetëm nëna, por edhe mikja e mirë, që di t’i dëgjojë, jo vetëm t’i këshillojë. Jam krenare që kam edukuar dy njerëz të lirë e të mirë, që po japin maksimumin për të rritur veten!

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Nëse do ndryshoja diçka, gjithçka tjetër do kish të njëjtin fat – “Efekti flutur” – e s’di në ç’mënyrë dhe masë do ndikonte kjo gjë tek ato që kam sot, ndaj frikem ta mendoj. Megjithatë, po ta kisha fuqinë, pa asnjë mëdyshje do risillja në jetë mamin, që më mungon prej gati trembëdhjetë vjetësh. Veç humbja është e përhershme, asgjë tjetër, e nuk mund të gjesh shtigje në terr; për gjithçka që lëbyret nga drita, e kemi vetë në dorë: qoftë një kërkesë faljeje, ndreqja e një gabimi etj.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Në rininë time të hershme, herë mendoja se sa bukur duhej të ishte sikur të transmigroja në trupin e një kali të egër, rebel e të lirë e herë si një delfin. Kjo shpjegon natyrën time që e dua njëlloj lirinë, tokën dhe ujin. Por, ime bijë, ndoshta duke mbartur frikën e humbjes së parakohshme të nënës sime, më “urdhëron” përherë: “Mos guxo të vdesësh!”. Duke e ditur sa do t’u mungoja njerëzve që më duan dhe se edhe unë vetë do doja t’i përjetoja sa më gjatë të mundesha, do zgjidhja të rilindja kjo që jam. 

Cila është gjëja më e shtrenjtë që posedoni?

Veç një gjë? Atëherë po e përmbledh me një fjalë: gjithçka! Gjithçka rreth e rrotull meje, që më mbush e më trazon, më fal dashuri, prehje, gëzim. Familja e para, miqtë, por kudo e gjej diçka, për shembull: pemën time apo cepin e verandës ku ulem, macen që më ngatërrohet nëpër këmbë, një rrugë si korridor poshtë kurorave të pemëve, “Revistën Letrare”, bibliotekën etj., por gjithçka merr dritë prej aftësisë për të dashur e për t’iu përkushtuar.      

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Zemrat e mbushura me urrejtje dhe përçmim; prej tyre rrjedh çdo e keqe tjetër. Edhe injoranca mund të mundet nga mirësia, por një i ditur i mbushur me ligësi dhe mllef, kthehet në armë vrastare për këdo.

Ku do të dëshironit të jetonit?

Dikur, kur jetoja në Tiranë, “hidhja vallen e shiut”. Çmendesha pas tij dhe e shijoja në mënyrë krejt të pazakontë, aq sa i hipja makinës e bashkë me tim shoq ndiqnim një re të ngarkuar diku larg, në Dajt apo në Krastë, me shpresën se do shkarkonte mbi ne. Që e vogël i kam pas zët çadrat; mund të ecja me orë të tëra nën shi, por ajo dashuri e madhe u mjegullua (nuk është shuar plotësisht) me ardhjen në Belgjikë, ku grija e qiellit sikur më pret damarët. Kështu, në këtë fazë të jetës, do zgjidhja një vend me natyrë të bukur, me diell e det, por me njerëz rrotull. Veç pa njerëzit nuk jetoj dot, pastaj ia bëj disi, por e kam po aq të rëndësishme që herë pas here të tërhiqem për pak e të rri vetëm me veten.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

Nuk urrej dot!

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Fisnikërinë, mençurinë, inteligjencën emocionale, sytë e butë, qasjen dashamirëse ndaj më të dobëtëve, respektin ndaj fëmijëve dhe të moshuarve. Aftësia për të dëgjuar po aq sa për të argumentuar, humori dhe vetironia e bëjnë një burrë mjaft tërheqës.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Gjithçka që vlerësoj edhe te një burrë, por këtu do shtoja edhe ndjenjën e lartë të mëmësisë. E kjo nuk ka të bëjë me faktin nëse ka apo jo fëmijë, por me mbrujtjen e natyrës së dhembshur, të ëmbël e sakrifikuese. E vlerësoj shumë një grua që di të vlerësojë veten dhe përpiqet të bëjë më të mirën sikur edhe vetëm në të voglën e saj. Se, siç fola më sipër për “efektin flutur”, rrahja e krahëve të së cilës mund të shkaktojë një uragan në cepin tjetër të botës, edhe ajo çka zgjedh të bëjë një grua mund të ndryshojë shumëçka; një grua e edukuar, e fortë dhe e dhembshur, pa e humbur bukurinë dhe finesën e qenies, krijon përreth të njëjtin kozmos, reflektimi i të cilit përhapet si rrathët në ujë.

Cili është shkrimtari juaj i preferuar?

Është e pamëshirshme kjo pyetje, ndonëse jo pak herë ua kam bërë edhe unë të tjerëve. Është një lloj kurthi dhe këto çaste ndihem si ajo vajza e vogël përballë pyetjes: “Kë do më shumë, mamin, apo babin?”. Në gjithë këto vite jetë mes letërsisë, është e përligjur një lloj “tradhtie” ndaj autorëve që do, se kushtëzohesh shumë edhe nga koha apo gjendja emocionale e leximit të një libri. Një përjetim i freskët, për shembull, të duket edhe më i përkori, për shkak të intensitetit të emocioneve rishtare. Por meqë këto ditë i jam rikthyer Stendalit, si një prej dashurive të para e të plota, po e veçoj, apo Fjodor Dostojevksin, Kamynë, Salman Ruzhdien, Emanuel Roidis, që më ka ngacmuar veç me një roman. Më pëlqen të përmend edhe Irene Nemirovsky, një kirurge e hollë e natyrave njerëzore, që ndoshta do kish shkruar kryevepra nëse s’do ta kishin vrarë në moshë aq të re në Aushvic. Janë shumë, vërtet, ndaj po e mbyll këtu.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Shumë shkurt: prindërit e mi! Klishe? Jo dhe jo! E nuk dua të merret as për patetizëm kur them se nuk do mjaftonte as edhe një libër për të shkruar për sakrificat e tyre për ne tri vajzat, dashurinë dhe qasjen ndaj vlerave jo nëpërmjet fjalëve apo shablloneve të ngurta, por përmes vetes!  

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Në fakt, e kjo lidhet edhe me një nga pyetjet më sipër për pendesat, më vjen keq që nuk kam pasur vullnet për t’i ushqyer talentet e mia. E vogël e kam dashur me shpirt matematikën, siç doja edhe letërsinë, baletin, gjimnastikën, këngën, aktrimin, vizatimin; më thonë se edhe imitoj bukur (!), por ajo që e dëshiroja me shpirt, ndoshta edhe për shkak të pamundësisë, e që nuk arrita ta testoja kurrë nëse kisha talent a jo, ishte baleti jo mbi puante, por mbi patina akulli. Disa më braktisën nga moskokëçarja ime, ndaj sot s’do dëshiroja asgjë më shumë se “talentin” për më tepër vullnet.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Kjo është e vetmja gjë që shmang ta mendoj. Më frikëson asgjëja, shuarja, e përtejshmja në hiç po njëlloj sa edhe udha drejt saj. Se edhe në ekzistojnë parajsa dhe ferri, të parën e shoh si një mërzi të madhe, që i bie të jetë njëlloj vuajtje po aq sa e dyta. Deri tani kam menduar në mënyrë dëshirore vetëm për jetën.

Cila është motoja juaj?

Jeta është një lojë: luaje bukur dhe me seriozitet!

ObserverKult

Lexo edhe:

RIELNA PAJA: THEM ATË QË MENDOJ EDHE ME KOSTON SE DO TË HUMBAS NJERËZ, POZICIONE…

ZAIMI: JETA ËSHTË TMERRËSISHT E BRISHTË DHE E BUKUR, ÇDO PËRPJEKJE IA VLEN!

AGIM VINCA: LUMTURIA ËSHTË E PAKAPSHME SI YLBERI