Qasje ndryshe ndaj romanit “Diktatori në kryq” të Mira Meksit

Nga Floresha Dado

Jo rastësisht shtroj pyetjet: Cili është raporti midis titullit të romanit dhe strukturës së brendshme kuptimore të tij? Cila është filozofia e vërtetë e veprës ? A është figura e diktatorit dominantja dhe kontributi më i madh i autores, siç është thënë për këtë roman?

Ta vlerësosh romanin e M.Meksit vetëm për krijimin e figurës së diktatorit (që sigurisht vjen për herë të parë në letërsinë tonë në një pikëvështrim të veçantë, origjinal), ende nuk kemi rrokur botën komplekse filozofike që përbën vlerën e vërtetë të tij, do të thotë që me imagjinatën tonë interpretuese nuk kemi depërtuar tërësisht në marrëdhëniet e brendshme midis meditimit të personazheve, lidhjes së mjediseve të ndryshëm në kohë dhe hapësirë, nuk kemi zbuluar plotësisht kuptimin e raporteve midis pjesëve dhe së tërës. Subjekti i romanit, i marrë në tre linjat e tij, nuk është thjesht veprimi i jashtëm, por një komponent në veprim të vazhdueshëm në lëvizjen e brendshme, në afrimet dhe largimet, në përqasjet apo kundërvëniet e skenave dhe personazheve…

Përse pyetjet që sapo parashtrova?

Duke qenë se qëllimi i artit është të japë ndijesinë e gjërave si janë perceptuar dhe jo si janë njohur, duke qenë se sipas teorive të interpretimit roli i kritikut është ‘të korrigjojë ose të arsyetojë një lexim’, duke qenë se çdo moment interpretimi nënkupton disa supozime për natyrën e kuptimit, mendoj se romani “Diktatori në kryq” ka një specifikë të brendshme kuptimore, dhe si i tillë duhet rizbuluar më thellë, për të kuptuar përmasën universale të filozofisë që e përshkon. Nëse romani është vlerësuar për krijimin e figurës së diktatorit unë them : jo, vepra është më shumë se kaq ! Ajo nuk është roman thjesht për diktatorin, ndonësë figura e tij ze vend të rëndësishëm, është më shumë, prandaj edhe vlerat e autores nuk mund të nivelohen thjesht në mënyrën e konceptimit të kësaj figure qendrore.

Filozofia e romanit ngjizet së brendshmi, përmes një strukture specifike, në tre linja që, ndonëse në vështrim të parë janë të ndryshme, formojnë tërësinë e pandashme. Tre linjat, zhvilluar në tre plane: ditët e anktheve të fundit të diktatorit, përpjekjet për grabitjen e kryqit që mban brenda ashklën e drurit të shenjtë të kryqëzimit të Krishtit si dhe zbulimi i misterit të kishës 1500 vjeçare e Labovës me sekretin e shenjtë të saj, realizojnë një unitet të fuqishëm filozofik. Kështu, të tre linjat ndërthuren rreth një boshti të vetëm, por nëse leximi i drejtpërdrejtë na njeh me këtë strukturë të jashtme, duhet thënë se intuita krijuese e Mira Meksit e tërheq lexuesin edhe më thellë, për të arritur në vlerën e vërtetë të tij. Tre planet kapërcejnë funksionin e dukshëm të drejtpërdrejtë; në raport me njeri-tjetrin dhe në marrëdhënia me të tërën, sjellin mesazhin e një filozofie universale. Kuptimi i kësaj filozofie është sfida më e bukur para lexuesit, i cili mund të kuptojë se pikërisht struktura e brendshme luan rol të rëndësishëm në procesin e përjetimit artistik dhe organizon në një unitet emocional elementet e strukturës së jashtme. Marrëdhënia midis dy strukturave krijon një njësi të plotë emocionale, me ngarkesë të jashtëzakonshme, çka kërkon që komunikimi i lexuesit me romanin të mos mbetet vetëm në nivelin e parë të leximit, i cili sigurisht është shumë intrigues, por perceptimi të kalojë përtej marrëdhënieve subjektore ; është pikërisht ky fenomen i strukturës kuptimore, kompleksiteti i rrëfimit shumështresor që prodhon emocione specifike. Këtu qëndron suksesi i romanit; intuita jo e zakontë e autores, e cila, përtej krijimit-trillim dhe gërrmimit të të dhënave reale-historike, qasjes origjinale, mënyrës së përpunimit të planeve të veçanta, kurreshtjeve që provokon te lexuesit përmes këtyre tre linjave subjektore, shumë interesante, qoftë të marra në vetvete, në thelb ka krijuar një tërsi unike, boshti i së cilës është një filozofi e veçantë. Cila është ajo ? Formësohet duke ndjekur tre linjat, veç e veç dhe në pandashmërinë e tyre.

Linja e Diktatorit

Dëshira e ringjalljes, e rifillimit të jetës ka lindur bashkë me njeriun dhe është realizuar në imagjinatën e tij në forma dhe përmasa të ndryshme. Historia e mitologjisë i ka dhënë jetë, në trajta nga më të ndryshmet, kësaj ëndrre tejshekullore… Në këtë aspekt edhe simboli i ringjalljes së Jezusit, mbas kryqëzimit të tij, e bëri të fuqishëm motivin e ringjalljes në ëndrrën njerëzore. Romani i kthehet këtij motivi, por në një qasje tjetër, për të theksuar kontrastin e madh midis dëshirës dhe mëkatit njerëzor, midis modelit të shenjtë të sakrificës dhe dhunimit të shpirtit të njeriut dhe të vetë besimit të shenjtë.

Në përballjen midis ëndrrës dhe realitetit, që diktatorit i vjen gërryese, e pamëshirshme në ditët e fundit të jetës, përmes zhytjes në ‘humbëtira të kllapisë’, imazheve fantazmagorike, dëshirës dhe frikës, autorja ka krijuar një figurë tragjike, të cilën e ndjek sarkazma e qetë, por shkatërruese. Gjithshka ndodh përmes procesit artistik të kondensimit psikanalitik. Kjo figurë fuqizohet me alegoritë e rasteve të ndryshme, me paranojën e përballjes me kundërshtarë të fshehtë, me ankthin e frikshëm të krimeve të kryera në jetën politike të tij, me frikën për gjykimin në jetën e përtejshme…Të kombinuara këto sjellin mënyra të veçanta në vizatimin e figurës së diktatorit, përqendruar vetëm në lëvizjet e brendshme të botës së tij, kryesisht të pavetëdijshme. Një vizatim i jashtëzakonshëm nga romancierja. Intensiteti i vështrimit të brendshëm merr forcë dhe përmasa të gjera për zbulimin e thelbit të diktatorit, duke mbartur peshën dhe thellësinë e ndriçimit të kësaj figure. Mendoj se kjo qasje e brendshme ka efekt të pakrahasueshëm me vizatimet e jashtme të çdo lloj portreti letrar në linja të hollësishme subjektore. Ankthi, ëndërrat e frikshme, përleshja e të pavetëdijshmes me të vetëdijshmen kanë një forcë të jashtëzakonshme në roman, dhe në përgjithësi në letërsi. M.Meksi është mjeshtre në këtë aspekt, çka e ka dëshmuar në portrete edhe të krijimeve të tjera të saj. Autorja ka kapur një aspekt mjaft interesant (që e lidh këtë figurë me dy linjat e tjera) : ankthin e papërmbajtur për ringjallje e trondisin rikthimet pas, dhe, i tmerruar ai i premton vetes që në rikthim gjithshka do ishte ndryshe. Është ky moment pendese ? Sigurisht jo ; është thjesht tmerri i ndëshkimit, frika e përballjes në jetën e përtejme me viktimat, rishfaqja e skenave të ekzekutimit. “Tërë ligësitë dhe fëlligështitë e mbartura prej mijra vjet u shkarkuan nga trupi i tij”. Në këtë drejtim konceptimi i figurës nuk është thjesht dukuri individuale, por fenomen shekullor i jetës së diktatorëve… Parimi i kontrastit tragjik midis vegimeve që e tmerrojnë dhe dëshirës së papritur njerëzore për të patur pranë dashurinë, pastërtinë e shpirtit dhe bukurinë e infermieres së re, zbulojnë tragjizmin e karakterit, i cili në momentet e tmerrit kërkon të shpëtojë nga pasioni më i bukur i jetës. Jeta tashmë në pragun e mbarimit, pasvdekja me dëshirën për t’u përjetësuar në piramidë, risjellja e ballsamimeve të diktatorëve të tjerë, ethet për grabitjen e kryqit jetëdhënës, mpleksen në agoninë e personazhit. Rikthimi mund të bëhet vetëm nën shenjën e shenjtëruar të dashurisë. Por, ndonëse ai kërkon ta risjellë dashurinë, qenia e tij e ka tradhëtuar atë gjatë gjithë viteve të sundimit. Çdo moment i përjetuar në situatë halucinative shfaqet gërryes përballë filozofisë universale që përcjell kjo figurë. Prandaj ai është edhe diktatori shqiptar, edhe imazhi i jashtëzakonshëm i çdo diktatori, parë në momentin tragjik të përballjes finale me realitetin tragjik të ndërtuar prej tij. Autorja kalon më tej kur dërrmon me pyetjen gërryese se a mund të ketë efekt ringjallës kryqi i shenjtë tek ai që e dhunoi në mënyrë të pashembullt këtë besim ? Në plan përballës me filozofinë e kryqit, që ruan misterin e madh, linja e diktatorit paralajmëron ndriçimin e filozofisë së madhe, që shfaqet e plotë, e qartë në fund të romanit. Pra kuptimi nuk ndalet këtu. Ai vazhdon të vijë…

Linja e Patriarkut të Kishës Ortodokse Ruse

Është qasja po aq ironike në strukturën e romanit. Është ankthi i diktatorit tjetër, Stalinit, për të fituar ringjalljen ? Apo ankthi i shfrytëzimit të kësaj relikeje të shenjtë, i ashklës së kryqit, për të forcuar pozitën e kishës ortodokse, në armiqësi të heshtur dhe konkurencë të vjetër me Patriarkanën në Konstandinopojë? Apo është ironizimi i kompromentimit të kishës me politikën shtetërore ? Apo është ambicja për ta bërë Moskën Romën e tretë ? Ideali i Patriarkut Aleksej I ishte “ t’i jepte kishës ortodokse ruse vendin që meritonte në universin e ortodoksisë, atë që prej shekujsh e mbante tanimë padrejtësisht Patriarkana e Konstandinopojës, ajo që dikur ishte quajtur Kisha mëmë e të gjitha kishave ortodokse”. Sarkazma e autores është sa fine aq edhe e pashembullt, sepse në këtë linjë na lind ideja se besimi i krishterë duhej të tronditej nga hipokrizia, mashtrimi, lidhjet me agjentura, synimet jo besnike ndaj idealit krisht, përballë rrëmbimi të ashklës për të konkuruar fuqinë e Kostandinopojës. Misioni i Patriarkut Aleksej I është fetar, apo politik? Përpjekjet e ethshme të agjenturës së organizuar shtetërisht, në Shqipëri apo dhe në Rusi, zhbëjnë shenjtërinë e besimit,… Këto pikëpyetje vinë natyrshëm po të shihen si shkojnë në linja paralele : nga njera anë agjentura shqiptare, grabitja shtetërore, nga ana tjetër dinakëria, hipokrizia e besimi, veprimet mafioze brenda institucionit më të lartë fetar në Moskë për të organizuar grabitjen e kryqit në kishën e lashtë shqiptare. Përsëri kjo linjë nuk është e mjaftueshme. Kuptimi vazhdon të vijë…

Linja e albanologut gjerman F.Guttenberg

Shkon në kontrast me dy linjat e tjera, duke bashkuar interesin e veçantë të albanologëve të huaj për historinë shekullore të gjuhës shqipe, me admirimin për vlerën e jashtëzakonshme të dokumentimit të kulturës fetare që ruhet në këtë vend që nga historia e lashtësisë ilire. E krijuar dhe zhvilluar me mençuri nga autorja kjo linjë ndërton kontrastin e madh filozofik midis hipokrizisë, mashtrimit dhe pasionit shkencor, kontrast i madh me pasionet meskine të dy linjave të para…Megjithatë, ndonëse kjo figurë risjell pasionet dhe kontributet e shumë albanologëve të huaj, thelbi është diçka tjetër : kërkimet për historinë e krijimit të kishës së Labovës nuk përbëjnë thjesht një linjë subjektore interesante, me shumë kuriozitete, por rikthim të historisë para shumë shekujsh, rindezja e deshifrimeve që ‘hapnin portat e kumteve të Zeusit në gjuhën ilire’.

Ndryshe nga linja e dytë, ku përshkrimi realist krijon tabllo të qarta, reale, personazhe fetarë apo politikë, linja e Guttenbergut, veshur me një tis mrekullor e romantik, me një magji dhe mistikë mahnitëse, hyjnizon zbulimin e madh të historisë së ngritjes së kishës së Hylindëses në Labovë mbi rrënojat e tempullit pagan. Zbulimi prej albanologut i rrethanave të ndërtimit të kësaj kishe ku u vendos kryqi me ashklën e shenjtë jetëdhënëse është një linjë sa shkencore aq edhe magjike. “Brenda pafundësisë së botëve ai pa si në një film të ngadalësuar kalimin e kohës në atë hapësirë që tani quhej kisha e Labovës, por që ishte i tërë kozmosi. Pa se shekujt fluturonin para tij…Pa në mes të një mjegulline ngjyrërëre nje tempull të lashtë dhe shkëlqimtar…Pa rrënjët e kishës të ngulura thellë në besimin e admirueshëm të të lashtëveqë i ushqenin ato rrënjë …Pa mes tisit vezullues të dritës shugurimin ceremonial të kishëa : mbërritjen e Kryqit të Shënjtë reliktmbajtës që ruante brenda ashklën e Drurit të Kryqitku u kryqëzua Krishti……dhe mbylli sytë fort pothusj i verbuar nga tërë ajo dritë qiellore.” Imagjinata konkretizohet si në një pikturë impresioniste, me imazh rrezatues, me një imazh imagjinar të jashtëzakonshëm. Realizmi magjik, që në të vërtetë në gjithë veprat e M.Meksit është sythi i imagjinatës së saj krijuese, mplekset për t’i dhënë më shumë magji filozofisë që përshkon gjithë veprën. Kështu linja e Gutenbergut është larg anktheve të dy linjave të mëparshme për grabitjen e kryqit (nxitur nga motive të ndryshme) prandaj lexuesi prek në të më tepër poezinë se sa prozën, përjetimin se sa rrëfimin, se boshti mbi të cilin thurret kjo linjë është pasioni, dashuria, admirimi, mrekullia e përjetimeve. Rrëfimi i përket atij tipi që Todorov e cilësonte si mrekullia, në të cilën nuk ka shpjegim racional ndaj fenomeneve. Në përgjithësi romani, por veçanërisht kjo linjë, rithekson një dhunti të veçantë të M.Meksit tek e cila imagjinata shfaq pushtet magjik jo aq në krijimin e qenieve apo objekteve imagjinare, por si mjet i hyrjes në botën që ato krijime mishërojnë. Kështu është ikona e Krishtit Pantokrator, lisi i shenjtëruar si simbol i besimit pagan, kuptimi që i jepet faktit të ndërtimit të kishës perandorake mbi rrënojat e tempullit pagan, imazhi fizik i Kristos… janë krijime gati magjike që, përmes imagjinatës së autores, fitojnë konkretësi dhe vizualitet të jashtëzakonshëm. Produkt i magjisë së tyre është krijimi i imazheve, si mjete njohjeje, që realizojnë lidhjen midis ndjeshmërisë dhe kuptimit, ndjeshmërisë dhe njohjes. Sigurisht imazhe të tilla, që vinë tërthorazi në përfytyrimin tonë, mund të nxjerrin pyetje : a janë realitet ato që shohim te imazhet që prodhon romani i M.Meksit ? E gjithë linja e Guttenbergut, në raportet e saj me zbulimin e madh historik, në marrëdhënie me Jolandën magjike, me Kristosin simbol që kapërxen përmasat e një personazhi të zakonshëm, është fuqia e krijimit të iluzioneve tona, e intensitetit shpirtëror që krijohet brenda nesh. Në figurën e personazhit, që krijon Mira, bashkohen nocioni me emocionin, duke na krijuar iluzionin e reales. Magjia ndaj kësaj linje qëndron në faktin se padashur kemi zbuluar në botën tonë të brendshme ëndrrën për të dashur dhe për të besuar në idealin e shenjtë njerëzor. Imagjinata e autores ushqen shpirtin tonë. Nëse filozofët kanë menduar se realiteti nuk është thjesht një dukuri e drejtpërdrejtë, por realitet është dhe objekti i të menduarit që përpiqet të kuptojë këtë realitet, atëhere realja për ne është brenda gjithë linjës imagjinare që ndërton romancierja. Ky është momenti më magjik i romanit. Synimi i madh i autores është që e vëtrteta njerëzore, jo thjesht e tanishmja, të mbetet në letërsi, sepse vepra e vërtetë jeton në imagjinatën e lexuesit…

E, megjithatë, edhe kjo nuk është e tëra e asaj që mbart vepra. Kuptimi vjen në ndërlidhje me dy planet e tjera…

Si është rapport midis vetëdijes dhe intuitës së autores ? E pamundur të përcaktohet, por specifika e procesit të saj krijues është se vetëdija e përpunuar në shkallë të lartë (njihet pasioni i saj, edhe në vepra të tjera, për të njohur dokumentet e historisë së lashtë, për të rrëmuar arkiva e vepra shkencore, historike e fetare, që nga lashtësia ilire, helene etj. Mënyra e ndërtimit të pasionit dhe punës kërkimore të Guttenbergut, e bën aq të pranishme këtë pasion historik-kulturor-fetar të saj…) Por brenda saj jetojnë dëshira me përmbajtje ndërnjerëzore, aq sa, ndoshta edhe ajo vetë nuk e kupton se sa të fuqishme e ka intuitën, refleksin ndjenjësor ndaj problemit që trajton. Përmes një kompozicioni të tipit paralel, alternimit të tre planeve, romancierja M.Meksi nuk realizon thjesht një unitet kuptimor filozofik, por zbulon edhe instiktin e saj të brendshëm, sa njerëzor aq edhe fetar. Në një kuptim ajo është vetë pjesë e fantazisë së krijuar…Nëse thelbi filozofik ndërtohet mbi disa nivele subjektore, që ecin paralelisht dhe të alternuara në kohë, në strukturën e tyre të brendshme kemi një lëvizje të fuqishme të pavetëdijes së autores, të intuitës dhe dridhjeve të brendshme të shpirtit të saj. Nëse teorikisht thamë se subjekti është një komponent në veprim i prozës, në romanin “Diktatori në kryq” lëvizja i përket pikërisht botës shpirtërore të M.Meksit.

Sigurisht nuk është synimi im të futem në teknika interesante të poetikës së romanit, si dukuritë intertekstuale, specifika të narracionit, ligjërimin e pasur dhe prirjen për fjalëformime të reja, që shquajnë ligjërimin artistik të M.Meksit, apo konceptimin sipas realizmit magjik të disa personazheve… Sepse objekti themelor është kuptimi i kuptimit të romanit, depërtimi në strukturën e brendshme filozofike të tij, për të njohur vlerat e vërteta e më të thella të tij. Veprën mund ta quajmë edhe si roman i simbolit të madh, që merr kuptim nga një sërë simbolesh të tjera. Kështu, simboli i djalit që u ngjiz në kishë, që lindi me shenjën e kryqit mbi krahëror, portreti magjik i tij mbështjellë me një dritë verbuese kur hyn brenda në kishë, apo lëvizjet shekullore të heshtura të banorëve të Labovës për ta fshehur në mjedise të ndryshme kryqin e shenjtë si dhe kopjen e tij, ringjallja e shkrimeve të pergameneve të lashta …simbolika e bashkimi të dy feve…simbolika e dështimit të gjithë agjenturave për realizimin e grabitjes së kryqit të shenjtë shumëshekullor… Ashkla e shenjtë, e ruajtur brenda kryqit, simbolizon ndjenjën më të shenjtë njerëzore, sakrificën për njerëzimi, prandaj atë nuk mund ta ketë as diktatori si gjakosës i popullit të vet, as patriarku me motivet nxitëse të tij, asnjë forcë që nuk qaset me vlerën kuptimore universale të saj. Sepse njerëzimi duhet ta meritojë…Bota e ka humbur shpirtin e dashurisë, të sakrificës deri në vetmohim…Bota e ka përdhosur gjakun e krishtit, e ka tradhëtuar këtë simbol shekullor….Diktatorët mund të kenë shumë pushtet, por ata janë mjeranë para fuqisë së këtij simboli të shenjtë… Kishat mund të predikojnë….por pushteti i tyre është larguar nga simboli i vetësakrifikimit për njerëzimin. Prandaj vjen fuqishëm pohimi “Se ai zbulim duhet t’i përkiste një ngjarjeje që do të ndodhte, e cila lidhej me fatin dhe shpëtimin e njerëzimit mbi tokë dhe që ishte një nga të fshehtat e mëdha të besimit të krishterë.”

Prandaj romani i M.Meksit nuk ka në qendër thjesht figurën e diktatorit, por një filozofi të madhe ndërnjerëzore. Është filozofia e kthesës njerëzore : përballë përmbysjes që ka ndodhur në botën shpirtërore të njerëzimit ndriçon dëshira e ringjalljes së besimit të shenjtë në dashurinë dhe sakrificën sublime. Metafora e fshehjes së kryqit të vërtetë, e dështimit për ta rrëmbyer me dhunë e mashtrim shpreh qartazi idenë se ky simbol i shenjtërisë dhe i mirësisë njerëzore nuk mund të meret me zor, ai qëndron atje, në malin e shenjtë, në pritje që të ndodhë një përmbysje e madhe shpirtërore, që njerëzimi t’i qaset për të shpëtuar ekzistencën e vet…

“Kuptoi se e gjithë kjo ishte shenja e madhe , shenja e rikthimit të Krishtit në tokën e besimit, ku do të ndërtojë mbretërinë njerëzore të besimit për të shpëtuar njerëzimin.”….

”Por, përpara saj pa forcat e tmerrshme të së keqes që iu vërsulën njerëzimit… Pa në Kishën e Labovës rikthimin e Krishtit në Lavdi mbi tokë dhe triumfin përfundimtar të së mirës kundër së keqes…Pa gjykimin që zoti Krisht u bëri të gjallëve dhe të vdekurve, pa faljen dhe jofaljen…”

“ Se ai zbulim duhet t’i përkiste një ngjarjeje që do të ndodhte, e cila lidhej me fatin dhe shpëtimin e njerëzimit mbi tokë dhe që ishte një nga të fshehtat e mëdha të besimit të krishterë.”

Të tre linjat, ndonëse u analizuan veç e veç, kanë një shtyllë të madhe rreth së cilës vërtiten dhe në sajë të së cilës ndërlidhen, ndërvaren tragjikisht, duke formuar një njësi të plotë, magjike në qëndrueshmërinë e saj. Mënyra e harmonizimit të tre linjave rreth këtij boshti filozofik i jep veprës një frymëmarrje tjetër, më të gjerë, duke krijuar një pushtet të jashtëzakonshëm në përjetimet e lexuesit, duke tronditur shoqërinë tek ne, apo dhe kudo, me thirrjen hyjnore për të rendur drejt kthesë të madhe që njerëzimi duhet të bëjë !

Ja pra, kjo është filozofia e vërtetë e romanit “Diktatori në kryq” të Mira Meksit!

LEXO EDHE: FLORESHA DADO: EKZISTON ENDE I NJËJTI MENTALITET KOMUNIST, MOS NGRINI DEBATE QË S’KANË NDONJË VLERË TË RE