Nga Uvil Zajmi
Një histori e rrëfyer nga njeriu që shërbeu për më shumë se një çerek shekulli në burgjet e Shqipërisë. Nga fshati Ndroq në periferi të Tiranës ku banonte, punonte, dhe direkt polic burgu, një profesion i panjohur për të.
“Kam filluar në vitin 1962, deri më 1990, aty dola në pension. I kam përjetuar nga afër të dënuarit, nga dita e parë, si trajtoheshin të burgosurit, nga ata ordinerë, tek ata politikë, për agjitacion e propagandë, tentativë arratisje, kontrabandë, deri te grupet e kulturës, ai ushtarak dhe i ekonomisë”, rrëfen për gazetën “Panorama” Xhelal Kadisi.
Sot, 88- vjeçar, ruan korrektësinë, i thjeshtë, i sjellshëm, nuk harron asgjë, për çfarë ka shërbyer, vitet e vështira në ato institucione, kur kujton, tregon, flet edhe për burgun e grave.
Zoti Xhelal, si filluat punë, cili ishte motivi?
Ishin disa arsye personale. Kisha pak kohë i kthyer nga shërbimi ushtarak, që e pata kryer dy vite si radist në Gjirokastër, doja të ikja nga fshati Ndroq, ku kisha lindur më 1935, dhe banoja, pasi punoja në bujqësi. I hodha dokumentet në Degën e Ministrisë së Brendshme në Tiranë, m’i aprovuan. Fillimisht, nisa në repartin “301”, Vaqarr. Ka qenë viti 1962.
Shumë shpejt u angazhuat…
Viti 1964, nisa si punonjës te “305” në Tiranë. Më morën menjëherë, kishte mungesë të personelit të burgut. Siç isha i veshur, nga shtëpia, pa bërë asnjë trajtim, specializim, vetëm 27 vjeç. Kontakti i parë me të burgosurit ka qenë pikërisht aty, te shkolla “Bajram Curri”, në disa kapanone të ndërtuara nga ish-të burgosur, aty flinin të burgosurit, dhe ne policët, disa prej tyre të ardhur nga qytete të tjera.
Kampi, kështu i thoshim ne, ndërsa zyrtarisht quheshin, njiheshin si reparte riedukimi. Mua më kishin caktuar në frontin e punës, pra nuk bëja turne.
Çohesha në mëngjes, merrja të burgosurit me autobusë “Viberti”, më pas me makina të mbuluara nga Parku dhe i dërgonim në punë.
Ndryshe nga burgu, në këto kampe me të burgosur ordinerë punohej, kryesisht në ndërtime. Pallatet e Politeknikumit, po kështu te “Farmacia 10”, te “Shkolla e Bashkuar”, me to janë ndërtuar.
Jeni kryefamiljar, kërkohej të ishit edhe i organizuar, anëtar partie?
Kur shkova atje, isha i martuar me dy fëmijë. Fillimisht pagesa ishte 5600 Lek. Me kalimin e kohës, kur fitoje vjetërsi të shkonte deri në 7.800, pasi për ne të burgjeve, dhe policët e ambasadave konsideroheshin profesione të vështira me shumë përgjegjësi. Në ato vende, duhet të ishe me teser partie. Por, unë nuk kam qenë dhe nuk u bëra asnjëherë anëtar partie. Kisha vetëm një shkollim në ciklin e ulët, në atë kohë, 8-vjeçare, nëse nuk gaboj. Komisari i burgut, një ushtarak, një njeri i mirë, disa herë më ka ftuar, donte të më fuste në parti. Unë i shmangesha, doja kohën e lirë, shkoja për gjueti me çifte, të cilën e kam ende. Preferoja më shumë shërbimin 24 orësh, pastaj dy ditë i lirë.
Me biçikletë, një udhëtim jo shumë i lehtë…
Kur isha te “305”, fillimisht qëndroja në disa kapanone në afërsi të kampit, pastaj në Vaqarr, në postë ku edhe flija, më vonë mora një dhomë me qira, në Vaqarr, pranë varrezave të Sharrës, fëmijët i kisha të vegjël. Si shkoja në mëngjes, kthehesha në shtëpi në mbrëmje.
Jo me rroba ushtarake, i vishimim kur shkoja në repart. Lëvizja me bicikleta Robusta, Mifa, kineze që i bleja vetë. Kur isha te “305”, vija me biçikletë deri tek ish-NSHRAK-u, aty me priste kamioni që do të merrte të burgosurit, për t’i dërguar në punë. Po ashtu mua dhe ndonjë tjetër.
E mbyllja aty biçikletën shkonim në kampin te Shkolla e Bashkuar dhe pas pune me po atë automjet vija, merrja biçikletën, dhe kthehesha vonë në shtëpi. Për ditë ky ritual i lodhshëm, në shi, të ftohtë, vapë.
Hapet një burg i ri në Jug të Shqipërisë, juve ju transferojnë atje?
Ka qenë 31 dhjetor 1966, dhe unë isha oficer roje, turni i fundit, kur një repart i ri riedukimit u hap atje, dhe nga Tirana u zhvendos efektivi i “305”. Jemi nisur në orën 2 pas mesnate nga Tirana dhe në Piqersa të Sarandës kemi mbrritur në mesditën e ditës tjetër, pra 24 orë udhëtim.
Me 18 makina të mbuluara, të shoqëruar nga toga e sigurisë si dhe ushtarë të veshur policë. Kampi ishte i ri i sapo ndërtuar me kapanone prej dërrase. Kur fryente erë e fortë, kishte raste që hiqte eternitet, futej hëna në dhomat tona. Në atë kamp nuk kishte të burgosur të rrezikshëm, madje sollën edhe nga Vlora, Fieri, Korça, etj. Të burgosurit punonin, hapnin terraca, ky ishte edhe qëllimi i atij kampi në atë zonë.
Si funksiononte ai kamp-burg për kohën?
Administrata e kampit të Piqerasit, kryesisht kuzhinierët ishin të burgosur. I dërgonin herë pas here në Sarandë për të bërë analiza shëndetësore. Ishin të detyruar t’i kryenin, pasi një i burgosur me probleme, kuzhinier e të gatuante për të burgosurit, kishte rrezikun t’i infektonte ata. Ndërsa të sëmurët i sillnin në Spitalin e Tiranës.
Po me familjen, si vepruat, e morët atje?
U diskutua të qëndroja atje, “të bëjmë dhëndër në Borsh”, më thoshte gjeneral Sterjo. Jam i martuar i përgjigjesha. Atëherë merre familjen këtu më nxisnin. Kisha djalin dhe dy vajzat, pastaj lindi fëmija i katërt, djalë, u bërë baba me dy djem e dy vajza. Nuk pranova të më vinte familja atje, të cilën e mori babai në kooperativë, ku ishte vetë kryetar.
Morrët një vendim pak të vështirë, cili ishte motivi?
Më 1969, kërkova lirimin se transferimin nuk ma jepnin. Ia kisha bërë të qartë, se nëse do të këmbëngulnin që të jetoja në Sarandë me familjen, do të largohesha edhe unë nga reparti.
Pas tre viteve në Piqeras, u ktheva në shtëpi, në Ndroq, 5-6, ku kisha familjen dhe fëmijët, të cilët i kam rritur në atë sistem pa ia shtrirë dorën askujt. Disa muaj në kooperativë, pastaj fillova në minierën e Valiasit. Pashaportizimin e kam bërë vonë nga viti 1970, kur erdha nga Saranda.
Kishit një dëshirë të fshehur, por, ju vjen një propozim tjetër?
Punoja në kooperativë siç ju thashë pas ardhjes nga Piqerasi, por doja të largohesha. Papritur më vjen një propozim të shkoja në flotën tregtare, me mundësinë për të dalë, udhëtuar jashtë shtetit. Kjo edhe nga fakti se vëllai im punonte në Durrës në doganë, dhe një shok i tij i ngushtë, i kishte propozuar për mua atë vend pune. Kërko ta sjellin këtu i kishte thënë. Por, gjërat e zvarritën, vetëm, nisa punë në Valias, dhe vetëm kur një ditë, më takon një mik, operativ i burgjeve, dhe pasi foli me drejtues të Ministrisë më thirrën dhe nisa punë menjëherë te “313, ai afër Politeknikumit, ku është edhe sot.
Te “313”, një repart-burg, jo si të tjerët?
Nga “305” te “313”, një burg me rrezikshmëri të lartë, kishte një ndryshim të madh. Me urdhër të Drejtorisë, më dhanë rroba. Kujtoj kur shkova, vetëm mure, errësirë.
Si do punoj këtu thosha me vete, isha i pamësuar. Në një dhomë qëndronin 20 e ca vetë, pleq kryesisht dhe nuk dilnin në punë. Ndërsa në një tjetër, 7-8 të dënuar politikë.
Ishte edhe dhoma, tranzit quhej, që shërbente për ata që vinin nga spitalet, nga rrethet, për t’i dërguar në reparte, qytete të tjera. Mua më ka qëlluar të shkoj në Spaç, Burrel, për të dërguar, shoqëruar e marrë të burgosur.
T’ju pyes për ushqimin, si trajtohej një i burgosur asokohe në ato burgje?
Ata që punonin kishin ushqim normal. Një vakt gjellë me mish, bukë 600-800 gramë, ndërsa ata që nuk punonin e kishin me zarzavate, pa mish, të tillë edhe birucat.
Nëse për ndonjë padrejtësi, në formë proteste i burgosusri refuzonte udhqimin, niste grevën e urisë, ne e veconim në një dhomë më vete, që të mos i jepnin të tjerët për të ngrënë.
Atje i dërgonim ushqim, ia linim atje. Për çdo refuzim, i bënim me dije, detyroheshim të hartonim një proces verbal, që ushqimi i është dërguar, por i burgosuri ka refuzuar.
Këtë ia çonim komandës. Një situatë e tillë mund të vazhdonte një javë, dhjetë ditë. Pa ushqim rron njeriu pa ujë jo. Uji servirej me pagure. Ndërsa cigaret, pirja e tyre ishte me orar nëpër dhoma e për ta ndezur përdorej fitil.
Për të hapur e mbyllur një derë burgu, si funksiononte ky mekanizëm?
Çelësat i mbanin detyrimisht dy persona, unë dhe një punonjës i ndërresës, të detyruar të ishim të pranishëm kur hapej e mbyllej një derë. Unë ia jepja atij çelësin që hapte derën e një të burgosuri.
Kishte grindje midis të dënuarve?
Kishte të burgosur problematikë. Bashkë qëndronin, hanin e pinin dhe më pas ziheshin, gjakoseshin. Kur na njoftonin, ne reagonim, duke zbatuar rregullore, që edhe kur ai shkelte rregullin nuk kishe të drejtë ta godisje, t’i vije prangat. Por, të lajmëronte komandën që të binin fletën e arrestit, sepse po ta gjente prokurori pa fletën e arrestit të komandës e pësoje ti që ishe oficer roje. Edhe pse ishte i dënuar, duhej fletë arresti, të vetëm mundet ta izoloje.
Pastrimi personal i të dënuarve, si veprohej…?
Banjë me orar, ditë të caktuara, kishte dushe që laheshin. Ndërsa i qethte, ruante berberi që nuk ishte i burgut, pasi nuk kishim, por që vinte nga jashtë.
Një ndër ta ka qenë Gim Brahja, që punonte te specialja, se edhe nga më të mirët e të njohurit i merrnin. E kishte me ditë të caktuara.
Ose kur i çonim në gjyq, njoftonim berberin, sepse i burgosuri duhet të ishte i pastër në procesin gjyqësor. Kur qetheshin, apo ruheshin qëndronin pa pranga. Nuk kishte reagime, as tentativa dhune, refuzime, kishin frikë.
Burgu kishte mjek, dentist. Edhe ata i sillnin, i jepej një fletë-hyrje. Sigurisht që shërbimi mjekësor, kurimi në ato rrethana, me ato kushte, ishte primitiv.
Kur rrezikonte një largim për një punonjës burgu, si ju?
Nëse dikush, një i afërm, një familjar i punonjësit të burgut, dënohej, binte në burg e hiqnin punonjësin. Një rast të tillë pata me nipin e gruas, i thashë shefit të Hetuesisë, isha i detyruar ta njoftoja, jo se nuk e dinin. Jo m’u përjigj, ti do të qëndrosh në punë.
Keni qenë edhe shoqërues, në makinë, ju dhe një i dënuar, si e ruanit?
Në makinën e burgut mbaja armë, ndonëse ajo ishte e ndarë me një rrjetë teli, ku qëndronte i burgosuri, ndërsa ne ishim te dera në krye të makinës. Ndonjë rast që të tentonte të largohje, jo, ishte e pamundur. Makina e burgut, ishte një autoburg ngjyrë të zezë. Gjatë rrugës nuk i lidhnim me pranga, veçanërisht ata të moshuar, ordinerë, vetëm kur zbriste ja vendosnim.
Një i burgosur, në sallën e gjyqit ku ishin edhe familjarët e tij, cilat ishin raportet?
I burgosuri futej i shoqëruar nga ne policët në ndërtesën e gjyqit, në Rrugën e Durrësit, të lidhur me pranga dhe ashtu i ngjisnin e zbrisnin shkallët e gjykatës.
Në sallën e gjyqit, të ulur në bankën e të akuzuarve, ua hiqnim me urdhër të kryetarit të trupit gjykues, para se të niste procesi, për t’ja vënë sërish sapo përfundonte, gjyqi, e ishte marrë vendimi.
Ashtu dilnin dhe i hypnim në autoburg. E rëndë ishte edhe për familjarët, të pranishëm në sallë, ku futej e dilte njeriu i tyre. Nuk mundet t’i takonin.
Kishte raste që nuk pranonin t’i vendosnim prangat. Një rast kujtoj kur dikush, pasi doli nga gjyqi do ta çonim në Burrel, ku e kishin caktuar, më thotë mos më veni prangat. Ishte njeri i njohur një jetë e kaluar në ato burgje.
Cila ishte jeta, qëndrimi në birucë?
Deri në më shumë se 4-5 vetë, flinin, qëndronin aty. Në dysheme, mbi panele dërrase dyshekë më bar. Në mesnatë i merrnin në pyetje. Hetuesia e vjetër u kthye në aneks ku rrinin të arrestuarit, nga Fadil Pacrami, Kico Ngjela, ai i ushtarakëve, etj.
Kishit një problem shëndetësor, duhej kurim për ju…?
Kur isha te “313”, pata një periudhë, arrita deri aty, sa nuk mund ti shikoja më fëmijët e mi në sy. Shkova u vizitova te Dr. Shtino, për shqetësimin që kisha. Rri i qetë më tha, se je shume mirë nga sistemi nervor. Më shkonin lot, që të mos më shihnin të burgosurit. Kur vinin fëmijët e tyre, për t’i takuar nuk mundesha t’i kontrolloja, kisha stres të madh. Me shtëpi vazhdoja të isha në Ndroq.
Një takim i familjarëve me të burgosurin, si organizohej?
Familjarët vinin për t’i takuar, duke i sjellë edhe ushqime. Për të arrestuarit takime nuk kishte, por vetëm me lejen e prokurorit. Të dënuarit kishin javën e tyre, dhe prindërit, fëmijët vinin t’i shihnin dhe takoheshin në një dhomë të vecantë me dy palë hekura, me largësi, sa t’i jepnin dorën. Në sy të policit. Në burg, kishte takime speciale, për ata që silleshin mirë dhe kishe dhoma të veçanta, futeshin natën dhe dilnin në mëngjes. Takim special nuk kishte në kampe apo repartet e riedukimit.
Çfarë kujtoni me të dënuarit e grupeve, nga ai i kulturës, ekonomisë, ushtrisë?
Aty kanë qenë, te “313” kujtoj Fadil Pacrami, Todi Lubonja, Beqir Balluku, Petrit Dumen. Pëgjegjës ishte vënë një nga Mallakastra dhe nuk lejohej asnjë t’i afrohej.
I kam parë si slleshin, si i trajtonin me ushqim, dhe ku flinin. Në dhomat e tyre muri rrethohej me një shtresë sfungjeri që të mos përplasinin kokën, për tentativë vetvrasjeje. Po kështu një pjesë të madhe qëndronin me kokore në kokë, edhe në rastet kur hanin.
Me roje, kur dilnin shkonin në banjo. Në burg ia janë bërë edhe gjyqet. Në kohën e gjyqit unë kontrolloja njerëzit që vinin, po të mos reagonin, edhe për t’i qëlluar, fyer. Pasi, për të dëgjuar, ndjekur gjyqin, vinin njerëz qeveritarë, persona të njohur. Sidoqoftë, kontrolli, kujdesi duhej bërë për çdo incident që mund të ndodhte./ panorama.com
ObserverKult
Lexo edhe:
ALBANA LIFSCHIN: I DASHUR DJE I PREVA FLOKËT
Poezia “Dje i preva flokët” nga Albana Lifschin
I dashur,
dje preva flokët,
flokët e mi të gjatë
që aq shumë i doje ti
flokët që të mbulonin
gjoksin mbrëmjeve
tek vija kokën
mbi ty.
I dashur,
dje preva flokët
qe të të harroja ty
I pashë si u këputën,
si ranë,
një fshesë i mblodhi
bashkë me plehrat,
tutje i hodhi…
Sot u zgjova
flokëprerë,
qafë zbuluar,
fytyrë e çuditshme,
në pasqyrë
shpërfytyruar,
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult