Albana Lifschin: I dashur dje i preva flokët

albana lifschin

Poezia “Dje i preva flokët” nga Albana Lifschin

I dashur,
dje preva flokët,
flokët e mi të gjatë
që aq shumë i doje ti
flokët që të mbulonin
gjoksin mbrëmjeve
tek vija kokën
mbi ty.

I dashur,
dje preva flokët
qe të të harroja ty
I pashë si u këputën,
si ranë,
një fshesë i mblodhi
bashkë me plehrat,
tutje i hodhi…

Sot u zgjova
flokëprerë,
qafë zbuluar,
fytyrë e çuditshme,
në pasqyrë
shpërfytyruar,
aspak e lumtur
aspak e qeshur
vetes ngërdheshur,
pa ty dhe pa flokët
dy herë e zhveshur…

ObserverKult

Lexo edhe:

BORGES: JU MENDONI PËR ATË QË JU MUNGON, JO PËR ATË QË KENI..

Mario Vargas Llosa: Çfarë janë paratë për ju, në jetë, Borges?
Jorge Luis Borges: Mundësi për të pasur libra, për udhëtime dhe zhvillimin e tyre.

Mario Vargas Llosa: Por juve nuk ju kanë interesuar kurrë paratë, nuk keni punuar kurrë për të fituar para?
Jorge Luis Borges: Epo, derisa kam para në xhep, do të thotë se nuk ia kam dalë asaj që thoni ju. Sigurisht, mirëqenia është më e mirë se varfëria, veçanërisht në një zonë të varfër, ku jeni të detyruar të mendoni për paratë gjatë gjithë kohës. Një person i pasur mund të mendojë për diçka tjetër. Unë kurrë nuk kam qenë i pasur. Prindërit e mi kanë qenë, ne kemi pasur ferma dhe i kemi humbur, ato janë konfiskuar, por mirë, nuk mendoj se kjo ka shumë rëndësi.

Mario Vargas Llosa: Ju e dini që një pjesë e mirë e vendeve në këtë tokë sot jeta e njerëzve varet nga paratë, mirëqenia materiale është stimuli i tyre.
Jorge Luis Borges: E natyrshme që duhet të jetë kështu sidomos nëse ka këtë varfëri. Për çfarë tjetër mund të mendojë një lypës përveç parave apo ushqimit. Nëse jeni shumë i varfër duhet të mendoni për paratë. Një i pasur mund të mendojë për diçka tjetër, por një i varfër jo. Në të njëjtën mënyrë që një i sëmurë mund të mendojë vetëm për shëndetin. Ju mendoni për atë që ju mungon, jo për atë që keni. Kur shikoj normalisht, nuk mendoja se ishte privilegj, përkundrazi, sot do të jepja gjithçka që të më kthehej shikimi dhe nuk do të largohesha nga kjo shtëpi.

Përktheu: Bajram Karabolli