Qerim Vrioni: E paharruara Lume Blloshmi

Nga libri-album i sudiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto”, ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë piktores Lumturi Blloshmi. 

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Piktorja Lumturi Blloshmi (Tiranë, 1944 – Tiranë, 2020) ose Lumja, një nga penelat më mbresëlënëse të vendit në kapërcyell të shekujve XX dhe XXI, ka mbaruar studimet e larta për pikturë në ILA në vitin 1968. Përveç pjesëmarrjes në ekspozita të përbashkëta, në vend dhe SHBA, Poloni, Egjipt, Kosovë, ajo ka hapur disa ekspozita vetjake të suksesshme edhe në Tiranë.

Nga Qerim Vrioni

Përpos punimeve origjinale e moderne në pikturë, fotografi dhe instalacion, Lumja disa herë ka shpërfaqur probleme shoqërore dhe ekonomike të vendit nëpërmjet performancave të goditura artistikisht në mjedise publike. Njëra prej tyre ishte edhe ajo e viti 2004, ku u paraqit në hollin e GKA e veshur me karta të telefonave celularë për të kritikuar çmimet e tyre të larta. Nga natyra e saj e papajtueshme ndaj padrejtësive, ajo nuk ka pasur ndonjë mbështetje të veçantë nga pushtetet, por nga ana tjetër, kjo i ka krijuar asaj qetësi shpirtërore dhe vlerë të madhe morale.

Një “Natyrë e Qetë“ me lule, e dhuruar nga ajo, qëndron hijshëm në një mur të shtëpisë sime krahas tablove të autorëve të tjerë të njohur shqiptarë dhe më kujton gjithmonë miken e shuar nga Covid-19 në vjeshtën e tretë të vitit 2020.

Edhe ajo ishte atë ditë mes njerëzve, sidomos artistë dhe artdashës në oborrin e Galerisë së Arteve në Tiranë. Atje po zhvilloheshin homazhet pranë arkëmortit me trupin e studiuesit të ndjerë, Gëzim Qëndro, i cili për pak vite kishte qenë edhe drejtor i Galerisë. Ai ishte ndarë nga jeta një ditë më parë.

Në pritje të orës së përcjelljes për në banesën e fundit të mikut tonë të përbashkët, u ulëm me Lumen te “Aleanca” për kafe, pranë Galerisë. Shpejt, biseda kaloi te Gëzimi, me të cilin po ndaheshim përfundimisht, sepse ikja e tij fare e parakohëshme nga kjo botë, na kish pezmatuar thellë. Lumja dikur heshti, hoqi filxhanin e çajit nga buzët dhe për disa çaste treti shikimin saj gjithë pezm, larg, shumë larg… Nxitova, vendosa kafen time mbi tryezë dhe e fotografova.

Ishte një ditë e vrejtur e me shi, 28 shkurt 2018.

ObserverKult


Lexo edhe:

QERIM VRIONI: FATOS ARAPI, NJË FOTO DHE DISA RRESHTA