Qerim Vrioni: Fatos Arapi, një foto dhe disa rreshta

Nga libri-album i sudiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto”, ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë poetit Fatos Arapi. 

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Poeti Fatos Arapi (Zvërnec, Vlorë, 1930-Tiranë, 2018) në fillim të viteve 2000 vinte shpesh te bari poshtë valanidhit të madh para Galerisë së Arteve në Tiranë. Aty mblidheshin çdo ditë edhe shumë njerëz të kulturës, arteve e shtypit.

Nga Qerim Vrioni

Ndonëse kishte kryer studimet e larta për ekonomi, Fatosi punoi rreth dhjetë vjet në këtë profesion, mandej në mes të viteve ’60 nisi t’i kushtohej tërësisht letërsisë, sidomos poezisë.

Ai ka botuar disa përmbledhje të suksesshme poetike si “Shtigje poetike” (1962), “Poema dhe vjersha” (1966), “Poezi” (1974), novelën “Patat e egra” (1970), dramat “Drama e një partizani pa emër” (1973) dhe “Qesari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku” (1995), romanin “Deti në mes” (1986), studime “Çështja shqiptare dhe kriza ballkanike” (2001), “Ancient Albanians Songs: studies” (1996) etj.

Ai mbetet një nga dy-tre zërat më origjinal dhe modern të poezisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Fatosi ka pasur shpirt polemik. Është goditur për prirjet estetike dhe artistike të veprave të tij letrare të cilat shkelnin rregullat e ngurta të ashtuquajturit realizëm socialist.

Fatos Arapi është ndier përherë vlonjat dhe i ka kënduar Vlorës dhe Gjirit të bukur të saj, Zvërnecit të tij me shumë dashuri dhe ndjenjë, duke i bërë nder edhe qytetit të tij të lindjes. Përmasat e tij si poet janë mbarëkombëtare, ai u përket të gjithëve atyre që i thonë bukës bukë e ujit ujë dhe fjalës së ëmbël e poetike të gjuhës shqipe.

E fotografova disa herë atë ditë pa i tërhequr vëmendjen, ndërkohë që ai fliste me pasion, ashtu siç fliste gjithmonë.

Ishte prill 2004.

ObserverKult


Lexo edhe:

QERIM VRIONI: NJË KAFE ME PROF. RAMADAN SOKOLIN

Ramadan Sokoli (Shkodër, 1920 – Tiranë, 2008) miku im i vyer, në vizitat e shpeshta në shtëpinë ku banonte (kati -1), pas pyetjes sime, më kishte thënë se nuk e shqetësoja nëse gjatë bisedave, do ta fotografoja. Ashtu kisha vepruar disa herë, duke vërejtur me kënaqësi se aparati dhe zhurmërima e shkrepjes së tij nuk i bënin ndonjë përshtypje. Dikur biseda me Profesorin vajti edhe në kohë disi të turbullta për të…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU