Qerim Vrioni: Një kafe me prof. Ramadan Sokolin

ramadan sokoli
Ramadan Sokoli, Foto nga: Qerim Vrioni, 2006

Nga libri-album i sudiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto”, ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë profesorit Ramadan Sokoli. 

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Ramadan Sokoli (Shkodër, 1920 – Tiranë, 2008) miku im i vyer, në vizitat e shpeshta në shtëpinë ku banonte (kati -1), pas pyetjes sime, më kishte thënë se nuk e shqetësoja nëse gjatë bisedave, do ta fotografoja. Ashtu kisha vepruar disa herë, duke vërejtur me kënaqësi se aparati dhe zhurmërima e shkrepjes së tij nuk i bënin ndonjë përshtypje. Dikur biseda me Profesorin vajti edhe në kohë disi të turbullta për të.

Nga Qerim Vrioni

Ato nisnin fill pas përfundimit të L2B e, një tis trishtimi i ra mbi fytyrë. Kur erdhën kafetë që pinim bashkë, ai ishte ende nën ato përshtypje dhe kujtime përgjithësisht të trishta. Mbase kujtonte plagë të vogla dhe të mëdha, mbase edhe ndonjë mbështetës në kohë kritike. Gjithsesi, dallgët e ashpra të fatit, (ndër to dhe privimi i lirisë) ai i kishte përballuar me dinjitet.

Sidoqoftë, prof. Ramadani, me gjithë vështirësitë para tij përgjatë gjysmë shekulli (veçanërisht ato psikologjike), arriti të zbulojë figura të shquara historike, por fare të panjohura arbërore (p.sh. Niket Dardani), duke kryer kësisoj një shërbim të veçantë ndaj botës shqiptare, sidomos etnomuzikologjisë së vendit tonë, një nga themeluesit kryesor të së cilës ai ishte. Po ashtu prof. Ramadani është autor i mbi 20 botimeve, të natyrës shkencore (p.sh. “Figura e Skënderbeut në muzikë“), divulgative (si, “Përtej 16 shekujve”) dhe mësimore (“20 Miniatura pianistike”), drejtues ekspeditash eksploruese ndërkombëtare nëpër Shqipëri për muzikën folklorike, pjesëmarrës në kongrese dhe simpoziume ndërkombëtare për çështje të kulturës popullore shqiptare, ku foli me një zë krejt original dhe profesionalizëm.

Në foto: Qerim Vrioni dhe Ramadan Sokoli

Po ashtu, prof. Ramadani ka drejtuar edhe festivale kombëtare folklorike në vend (Berat dhe Gjirokastër) dhe ka dhënë leksione në disa universitete të huaja. Kompozimi ishte një nga veprimtaritë krijuese origjinale të profesorit, përmendim, p.sh. këngën e njohur “Turtulleshë“, të cilës për shumë kohë nuk i dihej autori. E vyer mbetet edhe ndihmesa i tij në vite si mësues muzike, madje ngazëllehej mjaft kur dëgjonte ndonjë ish-nxënës të tij instrumentist të shkëlqente në skena të vendit dhe të huaja. Në fund, por jo nga rëndësia, vlen të kujtojmë edhe mirësjelljen e tij të një fisnikërie të rrallë në marrëdhënie me të tjerët, pavarësisht nga mosha dhe niveli i tyre kulturor.

Atë ditë e shkrepa disa herë aparatin, ndër fotot zgjodha këtë. Me filxhanin në duar, ai po vështronte diku larg në kohra, veçse jo me sy…

       Ishte vera e vitit 2006.

Miqtë tjerë në librin- album të studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni janë:i, Lazër Filipi, Kasem Trebeshina, Piro Mosi, Pano Taçi, Gjergj Vlashi, Piro Naçe, , Abaz Hoxha, Fatos Arapi, Omer Kaleshi, Parashqevi Sahatçi, Petraq Kolevica, Maks Velo, Thoma Thomai, Viktor Gjika, Shtjefën Ivezaj, Robert Radoja, Uran Kostreci, Emil Lafe, Sadri Ahmeti, Skënder Kamberi, Bajram Sefaj, Jorgo Papingji, Pandeli Koçi, Ali Podrimja, Hilmi Bani, Dionis Qirxidhi, Aleko Babe, Sadik Bejko, Lumturi Blloshmi, Timo Flloko, Bujar Kapexhiu, Ylli Polovina, Angjelina Xharo, Françesk Radi, Afërdita Onuzi, Qazim Shemaj, Selim Ishmaku, Afrim Spahiu, Luan Rama, Anastas Kostandini, Petrit Ruka, Suzana Varvarica Kuka, Bujar Asqeriu, Gëzim Qendro, Abaz Hado, Çerçiz Loloçi, Ilir Kadia, Gjergj Leka dhe Shpend Bengu.

ObserverKult

Lexo edhe:

HISTORIA E FOTOGRAFISË SË PANO TAÇIT, SHKREPUR NGA QERIM VRIONI

QERIM VRIONI: FOTOGRAFIA E RRALLË E SHKRIMTARIT REBEL DHE NJOHJA ME ARKITEKTIN