Sa herë vjen në Tiranë, Qerim Vrioni njofton miqtë e tij. Është larg Amerika dhe me gjithë lehtësirat që ka ofruar teknologjia, është e vështirë të çmallet si do të donte. Andaj dhe kur vjen këtu përpiqet të takojë njerëz, por edhe të vazhdojë të merret me profesionin e tij të dashur, fotografinë dhe studimin e saj.
Vazhdon të gjëmojë fotografi të rralla. Të gjejë informacione për to, të zbërtheje se çfarë fshihet pas tyre… Kësaj here erdhi me një libër të ri, titulluar “50 miq në 50 foto”, botuar nga “Emal”.
Është përmbledhje e një pune shumëvjeçare. Që në të vërtetë ai nuk e ka konsideruar kurrë si “punë”, por si një ngasje për të përjetësuar përmes aparatit fotografik sa më shumë momente, ekspresione. Sa më shumë imazhe e bashkë me to edhe histori.
Në librin e tij më të fundit, që premton të ketë edhe një të dytë gjen figura të njohura të artit e letërsisë. Gjen poetë, arkitektë, piktorë, studiues, aktorë. Një pjesë e tyre nuk është më mes nesh, por Vrioni na i sjell të gjallë përmes fotografive, të cilat i kemi parë shpesh. Ndoshta edhe i kemi përdorur, pa e ditur se autorësia është e tij.
Gjen aty Lumturi Blloshmin, Gëzim Qendron, Maks Velon, Pano Taçin, Ali Podrimjen, Françesk Radin e shumë të tjerë. Fotografitë janë të shoqëruar edhe me një tekst, ku autori na tregon për momentin kur është realizuar ajo fotografi.
Nuk janë tekste, përmes të cilave ai të lëvdohet, por të flasë për miqtë e tij, për veprën e tyre dhe gjurmët që kanë lënë në jetët e tyre.
Mes këtij mozaiku të pasur kemi përzgjedhur dy personazhe të veçantë: Kasëm Trebeshinën dhe Petraq Kolevicën. Si i ka njohur dhe si i ka realizuar fotografitë e tyre.
KASËM TREBESHINA, NGA NJOHJA NË GRAMSH TE FOTOJA E FUNDIT
Andej nga fillimi i viteve 2000 mësova se shkrimtari Kasëm Trebeshina jetonte në Tiranë. Ai madje ishte diku pranë rrugës “Myslym Shyri”, të cilën e përshkoja shpesh. Me të isha njohur në Gramsh aty nga fundi i viteve 1963, kur ai jepte mësim lëndën e letërsisë në gjimnazin e qytetit.
Atëherë ai kishte botuar dramën “Kruja e çliruar” (1953) dhe poemën “Artani dhe Minja” (1961), që pas disa kohësh u hoqën nga qarkullimi. Në moshën 16-17-vjeçare ai u rreshtua partizan në FNÇ.
Pas L2B mbuloi detyra të ndryshme për një kohë të shkurtër në organet e Ministrisë së Brendshme, mandej studio për teatër në BS, por nuk i përfundoi studimet. Më pas jeta e tij vazhdoi me kokëkrisje dhe privime, me burg dhe internime. Pas rrëzimit të diktaturës nisi botimi i krijimtarisë së tij të pasur, kryesisht jashtë Shqipërisë.
Shënojmë p.sh.: në prozë: “Stina e stinëve” (1991), “Odin Mondvalsen” (1991), “Më përtej kodrave” (2004), “Shtigjet e shekujve” (2007), dramat; në poezi “Këngë për Kosovën” (2007) etj. Disa libra të tij janë botuar edhe jashtë Republikës së Shqipërisë, madje edhe në disa gjuhë të tjera.
Në nisje të viteve 2000 kisha botuar shkrimet e para mbi fotografinë në shtyp, të cilat ndoshta rastësisht i kishte lexuar edhe Kasëmi. Kur u takuam në shtëpinë e tij, në shkurt të vitit 2001, ai më shprehu miratim të plotë për “fushën” e re (studimi i fotografisë), me të cilën po merresha.
Atje, gjatë bisedës së gjallë, fliste rëndom ai. Nga fotot e asaj dite zgjodha këtë shkrepje. Sa herë e shoh këtë foto të Kasëmit, më kujtohet qortimi i tij miqësor dikur gjatë një takimi në rrugë, “Qerim, të kam parë në televizione, s’ke punë me to, puno!”. Sidomos gishti tregues i dorës së djathtë e simbolizon bukur grafikisht qortimin e atëhershëm dashamirës.
PETRAQ KOLEVICA, AUTOGRAFËT E MUNGUAR PAS HUMBJES SË SHIKIMIT
Kjo foto e arkitektit, e poetit, e përkthyesit dhe e intelektualit të ndershëm Petraq Kolevica (Korçë, 1934) u realizua në shtëpinë e tij rreth viteve 2001-2002. Në vizitën e asaj dite, ai më tregoi me dashamirësi edhe bibliotekën e tij të pasur në shqip. Por edhe në gjuhë të huaja, madje aty edhe e fotografova.
Si arkitekt atij i përket projektimi i Bibliotekës së Korçës, pallat banimi pas Bankës Qendrore në Tiranë dhe pajisja e ekspozitës “Shqipëria sot”. Si përkthyes: “Kam njohur sy, o ata sy”. “Demoni” dhe “Poezi gjermane dhe austriake”.
Si poet shënojmë vëllimet: “Këngë nga koha e keqe” (1992) dhe “Të korrat e vona” (2013), ndërsa në prozë: “Varri i fshehtë”, “Arkitektura dhe diktatura”, “Lasgushi më ka thënë” e “Bisedë me Mitrush Kutelin”.
Gjithashtu, ai është zgjedhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë, më 1991. Ka qenë anëtar i këshillit botues të gazetës RD. Ato kohë, gjatë bisedave të këndshme me të, kryesisht për letërsinë, ai më dhuronte me kënaqësi edhe ndonjë libër të tij (origjinal ose përkthim) të sapobotuar. Ndërkohë, nuk harronte pa i shoqëruar me autografe të kujdesshme dhe tepër miqësore.
Ngaqë shëndeti i Kolevicës prej vitesh është rënduar, edhe si pasojë e moshës, atij nisi t’i dëmtohej shikimi.
Kështu, bukuria e shkrimit të autografeve filloi të prishej deri sa nisi të m’i dhurojë librat (të cilët vazhdojnë të botohen nga familjarët), sërish me kënaqësi, por… pa autografe. Natyrisht, kjo më ka pezmatuar. Kur shikoj vendet e zbrazëta të autografeve, mendja më shkon te bisedat telefonike nga larg me Kolevicën.
Pas përshëndetjes dhe njohjes së zërit tim, vjen përgjigja e tij e shpejtë “Ooo, Qerimi”, e shqiptuar me kënaqësi dhe gjallëri. Kjo thirrje e tij, në njëfarë mënyre, do të zëvendësojë për mua autografet e munguar. Madje më tingëllon edhe si vazhdim i një bisede të këndshme. Sikur të ishim pranë njëri-tjetrit dhe me kafetë përpara.
E, në këto të fundit, unë kuptoj se intelekti, kultura dhe bota e madhe e artistit, me kalimin e viteve, nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim të ndjeshëm te miku im.
Kthehemi në vizitën e largët: e fotografova disa herë, duke biseduar dhe folur për librat e tij, por edhe në çaste përsiatjeje. Në njërin nga këto është shkrepur kjo foto e Kolevicës, ku rrezatohet dukshëm çiltërsia e syve të tij./panorama.al
_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _
Lexo edhe:
FATOS LUBONJA: KASËM TREBESHINA NA PËRBUZ EDHE PAS VDEKJES!
ObserverKult