Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto”, ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë piktorit, Omer Kaleshi.
Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:
Në vitin 2004, nëpër mjediset artdashëse dhe kulturore të Tiranës, qarkulloi lajmi se piktori shqiptar nga Maqedonia, Omer Kaleshi do hapte një ekspozitë të veçantë në GKA. Natyrisht pritja ishte plot kërshëri të natyrshme të shoqëruar edhe me mjaft pyetje. Së pari ai e kishte vizituar Shqipërinë në vitin 1989, kur sipas tij, ndër të tjera, i kishte lënë mbresa të veçanta “e kuqja e Onufrit”.
Nga Qerim Vrioni
Omer Kaleshi ka lindur në vitin 1932 në fshatin shqiptar Sërbicë të Kërçovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Gjatë shekujve të fundit mbi Kërçovë dhe krahinat përreth kaluan disa pushtime si ato turke, serbe, bullgare dhe italiane, duke ndikuar në mënyrën e jetesës dhe botëkuptimin e vendasve. Fshati Sërbicë kishte një xhami dhe shkollën “Kastrioti”, ku ai mësoi në gjuhën serbe ndërkohë që në fshat flitej gjuha shqipe.
Rreth moshës 24-25 vjeçare emigroi në Turqi, ku në vitin 1965 u diplomua për pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura të Stambollit. Paskëtaj Kaleshi hapi disa ekspozita vetjake dhe mori pjesë në shumë ekspozita të tjera kolektive në qytete të ndryshme si: Ankara, Stamboll, Shkup, Hagë, Prishtinë, Paris, Leçe, Tiranë, Beograd etj., ku numri më i madh i takon atyre në Paris dhe Stamboll.
Për krijimtarinë e tij janë shkruar disa libra në gjuhën frënge, turke, shqipe e maqedonase. Midis librave veçojmë atë të Luan Ramës (me banim në Paris), njohësit dhe studiuesit të veprës së Kaleshit. “Omer-Shtërgu nga Ballkani” titullohet libri i tij, që është një pasqyrë e gjerë krijimtarisë së Kaleshit.
Ekspozita në GKA të Tiranës pati shumë vizitorë, çka natyrisht e kënaqi piktorin. Ishte e lehtë të hyje në bisedë me Kaleshin. E folura e tij e ngadaltë ashtu si edhe ecja e lëvizjet, ta hiqnin shpejt ndrojtjen. Flisje me të si me një të njohur të vjetër. E fotografova disa herë duke folur dhe lëvizur. Nga to zgjodha këtë foto. Ai kishte një fytyrë mjaft shprehëse që të tërhiqte menjëherë.
Ishte qershor i vitit 2004.
ObserverKult
Lexo edhe: