Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto” (2021), ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë piktorit dhe grafistit, Abaz Hado.
Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:
Nga Qerim Vrioni
Abaz Hadon (Shijak, 1957), piktorin dhe grafistin e njohur e kam njohur në kohën kur ai drejtonte Galerinë e Arteve në Tiranë, prej vitit 2002 deri më 2005. Ato kohë “mbuloja” edhe Galerinë për masat e mbrojtjes nga zjarri. Shpejt nisëm marrëdhënie miqësore me Abazin, të cilat vazhdojnë.
Ai ka nisur të vizatojë në moshë të vogël, madje në klasën e tetë ka hapur edhe një ekspozitë vetjake, më pas mësoi për grafikë në Liceun Artistik “Jordan Misja”, mandej studioi në ILA për pikturë monumentale (1983). Në vitin 1986 Abazi kreu studimet për master për kritikë arti duke marrë titullin “doktor”.
Më pas ai ka marrë pjesë në disa ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare, por edhe mbi 17 vetjake, por pa u shkëputur nga fusha e botimeve teorike për artet pamore. Abazi punon prej kohësh si pedagog i jashtëm në shkolla të larta arti, ka qënë zëvendës ministër i Kulturës, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës.
Punime të tij ndodhen në koleksione private brenda dhe jashtë vendit. 20 prej tyre ndodhen në galerinë “Jeta dhe Arti” të Stambollit, madje një është pjesë e fondit të Galerisë së Mbretëreshës së Anglisë. Abazit i është akorduar nga Presidenti i Republikës, titulli i lartë “Mjeshtër i Madh”.
Në vitin 2013 ai hapi në një nga sallat e Muzeut Kombëtar një ekspozitë me piktura dhe grafika ku mbizotëronin temat historike kushtuar vendit të rrënjëve të familjes së tij, Çamërisë. Aty ai sjell para shikuesve masakrat e shovinizmit grek ndaj popullsisë çame nga fundi i L2B.
Ekspozita e fundit e Abaz Hados është realizuar gjatë kohës së pandemisë së covid19 (korrik 2020). Ajo u hap në MHK. Kishte rreth 100 punime akuarel, vizatim, akrilik dhe titullohej “Fituam Jetën”. Elementi më i shpeshtë në punimet ishte trëndafili, si simbol i optimizmit që rrezaton qëllimin e artistit.
Me Abazin takohem edhe në raste ekspozitash dhe shpesh ulemi e bisedojmë, duke shkëmbyer opinionet. Ashtu ndodhi dhe atë ditë, kur ai i zhytur plotësisht në kumtet ideore dhe estetike të disa punëve të ekspozitës hodhi vështrimin diku. Në ato çaste e fotografova.
Ishte maj i vitit 2015.
ObserverKult
Lexo edhe: