Qerim Vrioni: Qortimi dashamirës i Kasëm Trebeshinës

Aty nga fillimi i viteve 2000 mësova se shkrimtari Kasëm Trebeshina (Berat, 1926 – Ankara, 2017) jetonte në Tiranë, madje diku pranë Rrugës “Myslym Shyri”, të cilën e përshkoja shpesh. Me të isha njohur në Gramsh aty nga fundi i vitit 1963, kur ai jepte mësim lëndën e letërsisë në gjimnazin e qytetit. Atëherë ai kishte botuar dramën ”Kruja e çliruar” (1953) dhe poemën ”Artani dhe Minja” (1961), që pas disa kohësh u hoqën nga qarkullimi.

Nga Qerim Vrioni*

Në moshën 16-17-vjeçare ai u rreshtua partizan në FNÇ. Pas L2B, mbuloi detyra të ndryshme për një kohë të shkurtër në organet e Ministrisë së Brendshme, mandej studioi për teatër në BS, por nuk i përfundoi studimet. Më pas jeta e tij vazhdoi me kokëkrisje dhe privime, me burg dhe internime.

Pas rrëzimit të diktaturës nisi botimi i krijimtarisë së tij të pasur. kryesisht jashtë Shqipërisë. Shënojmë p.sh. në prozë: ”Stina e Stinëve” (1991), “Odin Mondvalsen” (1991),“Më përtej kohrave” (2004), “Shtigjet e shekujve” (2007), dramat; “Legjenda e asaj që iku” (1992), “Ëndrra dhe hije” (1996) dhe në poezi “Këngë për Kosovën” (2007) etj. Disa libra të tij janë botuar edhe jashtë Republikës së Shqipërisë, madje edhe në disa gjuhë të tjera.

Në nisje të viteve 2000 kisha botuar shkrimet e para mbi fotografinë në shtyp, të cilat ndoshta rastësisht i kishte lexuar edhe Kasëmi. Kur u takuam në shtëpinë e tij, në shkurt të vitit 2001, ai më shprehu miratim të plotë për “fushën” e re (studimi i fotografisë) me të cilën po merresha. Atje, gjatë bisedës së gjallë me të, e fotografova disa herë, ndërsa ai fliste plotë pasion, siç fliste rëndom ai. Nga fotot e asaj dite zgjodha këtë shkrepje.

       Sa herë e shoh këtë foto të Kasëmit, më kujtohet qortimi i tij miqësor dikur gjatë një takimi në rrugë, “Qerim, të kam parë në televizione, s’ke punë me to, puno!”. Sidomos gishti tregues i dorës së djathtë e simbolizon bukur grafikisht qortimin e atëhershëm dashamirës.

__________

*Shkëputur nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto” (2021), ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës.

ObserverKult