Qeveria synon kthimin e artefakteve nga Serbia

Disa muze, edukim nëpërmjet kulturës, kthimi i artefakteve që gjenden në Serbi, diplomacia kulturore e fondi për hulumtime në trashëgimi kulturore janë disa prej prioriteteve të Qeverisë. Në programin e ekzekutivit, që është miratuar të premten, Qeveria ka renditur si synime disa projekte që kanë qenë në listën e disa kabineteve paraprake. Këtë e ka bërë sa u përket disa projekteve kapitale, kornizës ligjore e strategjive.

Qeveria planifikon ta hartojë strategjinë kombëtare për kulturën. Për hartimin e këtij dokumenti janë themeluar disa grupe punuese, por nuk ka përfunduar asnjëherë. Sipas programit qeveritar, Qeveria do të zhvillojë politika edukimi për artin dhe kulturën, duke nxitur bashkëpunimin e institucioneve të kulturës me institucionet arsimore parauniversitare. Në hyrje të programit, ku janë elaboruar projektet, përmendet se rëndësi të veçantë do të kenë gërmimet arkeologjike me karakter studimi. “Qeveria do të angazhohet për promovimin e Kosovës nëpërmjet diplomacisë kulturore, duke emëruar atashetë kulturorë nëpër ambasada dhe do të përgatitet aplikimi për anëtarësimin e Kosovës në organizatat kulturore ndërkombëtare, me fokus të veçantë anëtarësimin në UNESCO”, shkruhet në program.

Libri dhe veprimtaria botuese janë renditur si fusha e parë në kuadër të artit dhe kulturës. Shkruhet se Qeveria do t’iu kushtojë një rëndësi të veçantë botimit, përkthimit dhe qarkullimit të librit. “Qeveria do të rrisë buxhetin për librin dhe do të mbështesë aktivitete të ndryshme botuese, që kanë për synim promovimin dhe prezantimin e krijuesve letrarë”, shkruhet në program. Synohet që pos financimit të titujve të rinj e shpërndarjes së tyre në biblioteka të zhvillohen politika për veprimtarinë botuese dhe të përmirësohet korniza ligjore përfshirë edhe botimet digjitale.

Sa i përket infrastrukturës kulturore, planifikohet zgjerimi i rrjetit të kinemave publike, teatri i operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova” dhe salla koncertale. Më pas përmendet rivitalizimi i objekteve ekzistuese të shtëpive të kulturës në qytete dhe fshatra. “Qeveria do të themelojë Muzeun e Krimeve të Luftës, Muzeun e Historisë dhe Muzeun e Arteve Bashkëkohore, do ta zhvillojë kornizën ligjore, si dhe do të përkujdeset për infrastrukturën e përgjithshme të objekteve me rëndësi historike dhe kulturore”, shkruhet në program. Ndryshimi i Ligjit për teatrot ka nisur gjatë mandatit të kaluar qeveritar, sikurse ai për Filarmoninë, Operën dhe Baletin Kombëtar të Kosovës. Edhe Qeveria e re synon plotësimin dhe miratimin e tyre.

Rishikimi i skemave të subvencionimit të institucioneve kulturore dhe artistike bazuar në kritere të qarta dhe mbi bazën e orientimeve programore mbetet në planet e Qeverisë. Kjo pikë, sikurse disa të tjera ishin pjesë e marrëveshjes midis VV-së dhe LDK-së si partnerë të koalicionit. “Qeveria do ta transformojë sistemin e planifikimit dhe shpërndarjen e financimit për artin dhe kulturën, do të ndërveprojë me institucionet përkatëse për të siguruar fonde të mjaftueshme për institucionet e kulturës dhe arteve. Qeveria do të rrisë subvencionimin për artistët e pavarur dhe ngjarjet artistike dhe kulturore, si dhe do t’u ofrojë artistëve kushte adekuate për punë”, shkruhet në program.

Ligji për trashëgimi kulturore tash e gati një dekadë mbetet synim i qeverive. Do të jetë edhe i aktuales. Qeveria do të miratojë Ligjin për trashëgimi kulturore në mënyrë që fusha e trashëgimisë kulturore të ketë mbrojtjen, vëmendjen dhe promovimin e nevojshëm institucional dhe njëherësh të shërbejë si një ambasador i përfaqësimit kulturor të Kosovës. Sa i përket trashëgimisë kulturore shkruhet se rëndësi e veçantë do t’i kushtohet “kthimit të objekteve të trashëgimisë të marra në mënyrë të jashtëligjshme”. Në këtë listë, po ashtu, renditen gërmimet në lokalitete arkeologjike tashmë të identifikuara të patrajtuara më parë, identifikimit të lokaliteteve të reja për të cilat nuk ka pasur vëmendje institucionale. “Shfrytëzimi i lokaliteteve arkeologjike për zhvillimin e turizmit, shenjëzimi i trashëgimisë kulturore, ngritja e bibliotekave e muzeve virtuale, digjitalizimit të trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit të pasurive të trashëgimisë kulturore”, po ashtu janë pjesë e kësaj liste.

Qeveria synon të bëjë digjitalizimin e materialeve të arkivave shtetërore e materialeve arkeologjike me qëllim të ruajtjes sa më të mirë të arkivit shtetëror dhe materialeve arkeologjike. E ajo që renditet si “Funksionalizim i Institutit Arkeologjik të Kosovës”, është pikë e veçantë.

IAK-ja, sikurse institucionet e tjera të kulturës e trashëgimisë kulturore nuk mund të bëjnë pagesa. Qysh prej shtatorit të vitit 2018, pagesat për shërbimet që marrin institucionet bëhen direkt nga Thesari i shtetit. Kjo praktikë e pagesës kishte nisur të përdorej katër muaj pasi ishin mbyllur llogaritë e institucioneve në bankat komerciale, pasi Zyra Kombëtare e Auditimit kishte gjetur se ato nuk ishin të autorizuara nga Thesari.

MKRS-ja vazhdimisht ka premtuar kode e nënkode buxhetore për institucionet. Por një gjë e tillë nuk është bërë ende.

IAK-ja dy vjet radhazi e ka ndalur punën në terren shkaku i obligimeve ndaj kontraktuesve.

Drejtori i këtij institucioni, Enver Rexha, ka thënë se qysh prej vitit 2019, janë më shumë një shërbim sesa institucion. “Nëse e duan të bëjnë funksionalizim për këtë arsye atëherë jemi në rregull dhe është shumë. Tash kemi obligime të para një viti. Kemi aprovuar programe pune që janë miratuar nga MKRS-ja, por nuk janë realizuar”, ka thënë ai. Sipas tij, funksionalizim do të ishte nëse do t’iu ktheheshin kompetencat. Si nevojë e ka renditur edhe faktin që IAK-ja ka nevojë për arkeolog të rinj.

Në fillim të shkurtit, kur Qeveria e re kishte marrë mandatin, gazeta kishte raportuar për 12 pikët ku përmendej kultura në marrëveshjen midis partnerëve të koalicionit.

Dramaturgu Jeton Neziraj ka shërbyer si drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës për një mandat, e tash udhëheq qendrën “Multimedia”. Ai kishte thënë se nuk ka shumë pritje nga Qeveria e re, por shpreson që do ta rrisin përkrahjen për skenën e pavarur kulturore dhe do t’i depolitizojnë institucionet e kulturës. “Veçanërisht bordet, të cilat janë të mbushura me militantë partiakë”, kishte thënë Neziraj.

Reformimin e Ministrisë së Kulturës e ka përshkruar, po ashtu, si një nevojë më vete. Sipas tij, kjo ministri duhet pastruar nga parazitët e dembelët që marrin rroga e nuk bëjnë gjë të hairit.

“Po ashtu, duhet t’iu kthehet pavarësia institucioneve kulturore, pavarësi që u është marrë arbitrarisht. Ka shumë punë në legjislacion dhe në krijimin e një ambienti që stimulon artistin e krijimtarinë e tij, e jo t’i bëhet pengesë punës së tij, siç ka qenë rasti në të shumtën e herëve deri tani”, kishte thënë ai./ koha