Në vijim të gërmimeve arkeologjike të një viti më parë, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kombëtare miratoi vijimin e kërkimeve arkeologjike në terracën në jug të agorasë helenistike dhe në sektorin lindor në qytetin antik të Finiqit.
Lajmi u bë i ditur sot nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila theksoi se “Finiqi e Butrinti, këto pasuri të trashëgimisë sonë kulturore, kanë ende shumë për të na treguar”.
“Nëntoka e tyre e pasur mban fshehur, me siguri, fakte të vlefshme për historinë tonë. Ndaj, në vijim të gërmimeve arkeologjike të një viti më parë, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kombëtare miratoi vijimin e kërkimeve arkeologjike në terracën në jug të agorasë helenistike dhe në sektorin lindor”, tha ajo.
Ndërsa në Parkun Kombëtar të Butrintit, Margariti tha se “gjatë këtij viti do të vijojë rilevimi i mureve rrethuese, veçanërisht i traktit që kalon mbi Sanktuarin e Asklepit dhe sondazhet e nisura në vitin 2019, në zonën e akropolit”.
Qyteti i lashtë i Finiqit përbën një vlerë të madhe historike dhe arkeologjike, pjesë e pa ndarë e trashëgimisë tonë kulturore. Qyteti antik i Foinikës mori statusin Park Arkeologjik Kombëtar në vitin 2005.
Ai ndodhet në një kodër 283 m të lartë mbi nivelin e detit, 9 km në lindje të qytetit të Sarandës. Në park mund të shkohet me çdo mjet transporti, duke ndjekur rrugën kombëtare Sarandë-Gjirokastër dhe duke u kthyer në fshatin e Finiqit.
Krahas monumenteve në brendësi të mureve fortifikuese, kodra e Finiqit ofron për vizitorët një eksperiencë të jashtëzakonshme, falë pozicionit gjeografik nga ku mund të kundrohet ultësira e Bistricës, liqeni i Butrintit dhe gjithë pellgu i Delvinës.
Sot ky park është një destinacion i mirëfilltë turistik, ku vizitorë të shumtë njihen aty me historinë dhe antikitetin./atsh