Vizitorët e turistët në rrugën që zgjatet nga sheshi qendror drejt “Portës së Maqedonisë”, në Shkup, zor se do të pikasin të fundmet gjurmë të shtëpisë së shenjtores shqiptare. Hapësira e re e gjelbëruar “pamundëson” qasjen për homazhe drejt pllakës përkujtimore për Shën Terezën, derisa aty janë hequr edhe themelet, ku rreth 110 vjet më parë lindi shqiptarja që ua kushtoi jetën të varfërve
Qyteti i Shkupit po heq edhe “gurin” e fundit shqiptar nga identiteti urban i qendrës. Aty ku 110 vjet më parë ishte shtëpia e familjes Bojaxhiu – ku lindi Anjezë Gonxhe Bojaxhiu – zor të shquhet ndonjë mbijetojë e kësaj historie.
Autoriteteve të qytetit duket se nuk u ka bërë fort përshtypje ky fakt, përderisa edhe pllaka përkujtimore tani ka mbetur midis hapësirës së gjelbër të sapokrijuar në sheshin kryesor të Shkupit. Ka qenë një reagim i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup (ITSHKSH) që ka ngritur shqetësimin për ndryshimet e reja.
“Pas ndryshimeve të bëra në sheshin e Shkupit ‘Maqedonia’, me ç’rast janë mbuluar gjurmët e shtëpisë së Nënës Terezë, ndërsa me parkun e vendosur para pllakës përkujtimore praktikisht është mbyllur rruga që të vendosen lule edhe te pllaka, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, përkatësisht Departamenti për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, shpreh indinjatë dhe habi të thellë për këtë veprim të papërgjegjshëm të qytetit të Shkupit”, thuhet në reagimin e afishuar të hënën në faqen e ITSHKSH-së.
Për këtë institut, veprimi i autoriteteve komunale të qytetit të Shkupit është i papërgjegjshëm kundrejt asaj që përfaqëson identitetin dhe letërnjoftimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, shkruan KOHA.
“Në kohën që gjithë bota mburret me emrin dhe veprën e Nënës Terezë, dhe ajo është bërë identiteti dhe letërnjoftimi i vendit tonë, të mbulohen gjurmët e shtëpisë së saj dhe të pengohet mundësia e vendosjes së luleve në pllakën përkujtimore nuk ka si lexohet ndryshe, pos si një veprim i papërgjegjshëm dhe i dëmshëm për qytetin tonë, por edhe për gjithë vendin tone”, thuhet më tej në reagim.
Për ITSHKSH-në, qyteti i Shkupit duhet “sa më shpejt ta korrigjojë këtë lëshim, t’i rikthejë themelet e shtëpisë së Nënës Terezë, ndërsa në të mirë të marrëdhënieve të mira ndëretnike është koha e fundit që teksti në pllakën përkujtimore të bëhet edhe në gjuhën shqipe”.
Asani: “Të korrigjohet kjo padrejtësi”
Para se të fillonin punimet për shndërrimin e kësaj hapësire në park, pllaka përkujtimore e përuruar më 1997 mund të ishte e qasshme për vizitorë e për homazhe.
Por një gjë e tillë tash rezulton e “pamundur”, për shkak se pllaka tash gjendet midis hapësirës së bleruar pa ndonjë shteg drejt saj.
“Nëse më parë ka qenë sheshi, tani për shkak se është ndryshuar pamja dhe rruga që shpie drejt pllakës është gjelbëruar, kjo logjikisht pamundëson afrimin deri te pllaka”, ka thënë në një prononcim për KOHËN drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani. Sipas tij, institucionet nuk kanë dhënë asnjë shpjegim nëse ky është lëshim institucional apo nëse është bërë me qëllim.
Gjatë ditës së sotme ky institut ka paralajmëruar një konferencë për shtyp, ndërkohë që reagimet do të nisen edhe në adresë të kryetarit të qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, kryeministrit teknik, Oliver Spasovski, si dhe presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski.
“Presim që pas reagimeve tona dhe të faktorit shqiptar të korrigjohet kjo padrejtësi, që në shikim të parë mund të mos duket e madhe, por ka simbolikë tepër të madhe, sepse Nënë Tereza është Gonxhe Bojaxhiu, shqiptarja nga Shkupi, pra nuk duhet mohuar në asnjë moment dhe me asgjë origjina e saj familjare dhe rrjedhimisht edhe përkatësia etnike”, ka thënë Asani, i cili me profesion është historian./koha