Qyteti jonë apo qyteti ynë? Ja si duhet të shkruhet

Nga Eroll Sejdiu

Në ligjërimin e folur dhe të shkruar vihen re përdorime të gabuara të trajtave rasore të përemrave vetorë.

Më të shpeshta janë rastet e përdorimit të trajtave: neve, juve për: ne dhe ju, pra përdoret gabimisht trajta e rasës dhanore në vend të trajtave të rasës kallëzore dhe emërore. P.sh.:

Neve e ndërpremë punën (për: Ne e ndërpremë punën).

Me mjete që kemi neve (për: Me mjetet që kemi ne).

E njëjta dukuri ndodh edhe kur përdoren me parafjalë. P.sh.:

Nga neve priten suksese (për: Nga ne priten suksese).

Po kështu, vihet re që pas parafjalëve nga e te(k), përdoren format e rasës dhanore. P.sh.:

Eja tek mua (për: Eja tek unë).

Nga mua mos prit gjë të keqe (për: Nga unë mos prit gjë të keqe).

Gabime hasen edhe gjatë përdorimit të trajtave të shkurtra. P.sh.:

I tha atyre (për: U tha atyre).

Ia dha atyre (për: Ua dha atyre).

Na i dha fjalën (për: Na e dha fjalën).

Në ligjërim ka dhe përdorime të gabuara të përemrave pronorë. Kështu, dihet që përemri pronor vihet në rasën e emrit që përcakton, por ndodh që përdoret rasa kallëzore në vend të trajtës së dhanores ose rrjedhores. P.sh.:

Iu përgjigj pyetjes time (për: Iu përgjigj pyetjes sime);  prej shkollës time (për: prej shkollës sime); motrës time (për: motrës sime); kopshti i gjyshes tënde (për: kopshti i gjyshes sate).

Po kështu te përemrat pronorë vihet re dhe mospërshtatja në gjini. P.sh.:

Qyteti jonë (për: Qyteti ynë).

Rrethi jonë (për: Rrethi ynë).

Mendimi jot (për: Mendimi yt).

Duhet pasur parasysh se përemrat: im, ime, yt, jote, ynë, jonë, juaj: nuk marrin asnjëherë nyja të përparme. P.sh.:

Shoku i im (për: Shoku im).

Shoqja e ime (për: Shoqja ime).

Miku i yt (për: Miku yt).

Mikja e jote (për: Mikja jote).

Shoqja e jonë (për: Shoqja jonë).

Shoqja e juaj (për: Shoqja juaj) etj.

ObserverKult


Lexo edhe:

TETË GABIMET QESHARAKE QË JANË BËRË NË “SQUID GAME”

Squid Game” ka marrë tashmë epitetin e serialit më të shikuar ndonjëherë në Netflix.

Duke qenë se seriali ishte origjinal i Netflix-it, të gjithë me akses në platformë mund ta shikonin atë me këtë, spektakli u bë një hit global vetëm pak ditë pas fillimit të tij.

Por a e dinit se kishte disa gabime të mëdha në shfaqje që kur t’i dini për to do të dëshironit ta shikoni serialin përsëri?

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult