reklamë

Qyteti që merr frymë përmes ujit

Resul Jusufi

Nga Resul Jusufi

Kur je në Venedik dhe nuk ke më nevojë për GPS-in (hartën), e kupton se nuk je më thjesht një vizitor i rëndomtë. Qyteti nuk të duket as i huaj, as plotësisht i njohur. Është një vend që të ngre shpirtërisht sapo futesh në të, duke të dhënë një ndjesi që nuk mund ta shpjegosh lehtë me fjalë.

Kur e kalon fazën e parë të habisë, nuk të bën më përshtypje uji si pamje; ajo që mbetet është ndjesia se qyteti jeton përmes tij, si një trup që nuk mund të ekzistojë pa gjak. Nga vizitat e mëparshme i njeh rrugicat e ngushta që duken të gjitha njësoj, aty ku të tjerët përpiqen të orientohen dhe të mos humbasin. Për mua, ato nuk janë më vetëm rrugë, por dëshmitare të shumë ngjarjeve që kanë ndodhur dhe që mbeten të ngjitura në gurët e mureve dhe ndërtesave, si një kujtesë e heshtur. Nëpër to kanë kaluar histori jo si rrëfim i rregulluar, por si shtresë jetësore që nuk është fshirë kurrë.

Në këtë qytet, uji nuk është dekor. Është sistemi i tij i brendshëm. Me të, qyteti është gjithmonë në lëvizje dhe gjithmonë në gatishmëri përballë përmbytjeve. Anijet dhe varkat janë vetë ritmi i tij. Çdo valë që ato krijojnë përplaset në mure dhe u rikthen atyre një dridhje të lehtë, sikur qyteti të mos ketë pushuar kurrë së marri frymë. Ai komunikon përmes lëvizjes së pandërprerë mbi ujë dhe heshtjes së lagësht të mureve. Ndoshta pikërisht për këtë arsye ka tërhequr gjithmonë njerëzit që kërkojnë diçka përtej dukjes së tij.

Më pas të tërheq ngadalë atmosfera e Bienales mbi njëqindvjeçare dhe hyn në ngjarjen e radhës, Bienalen e 61-të.

Në hapësirat e Giardinit dëgjohen biseda në të gjitha gjuhët e botës. Vizitorët dhe njerëzit e etur për art, që vijnë nga çdo cep i globit, përpiqen të shijojnë dhe të kuptojnë sa më shumë nga kjo mrekulli. Por pikërisht këtu lindin edhe dyshimet: në pavionet zyrtare ndihet një lloj konkurrence e heshtur. Ato sikur konkurrojnë me njëra-tjetrën pa e thënë me zë, duke u përpjekur ta fshehin këtë garë, por ajo prapëseprapë ndihet fort në ajër.

Megjithatë, arti krijon një lehtësi të veçantë, duke u shndërruar në një urë që lidh njerëzit me njëri-tjetrin pa pasur nevojë për fjalë. Përmes Bienales dhe larg stereotipave, bota, planeti ynë, duket më i bukur, më i ndjeshëm dhe më në harmoni me vetveten.

Këtu ka shumë art. Ndoshta më shumë se sa duhet? Ndoshta më pak për disa? Ndoshta pritjet e shumë të tjerëve janë krejt të ndryshme nga ajo që shohim? A nuk është edhe drita e tepërt e vështirë për sytë?

Megjithatë, ndonjëherë në mes të kësaj drite të fortë humbasim rrugën. Jo nga mungesa e kuptimit, por nga teprica e tij.

Kur del nga Giardini, i mbingarkuar nga informacionet e pafundme të instalacioneve, video-artit, pikturave, skulpturave dhe fotografive, ndihesh vërtet i dehur nga arti. Kjo dehje të shoqëron edhe në ditët që pasojnë, teksa vazhdon rrugëtimin në Arsenale dhe në ekspozitat e tjera të fshehura nëpër rrugicat e qytetit.

Aty, në vendin e quajtur Arsenale, ndodhej edhe Pavijoni i Shqipërisë, një video-instalacion i realizuar me shumë ndjeshmëri dhe elegancë, që të tërhiqte vëmendjen që në çastin e parë. Kishte një forcë të qetë, por të qëndrueshme, që të bënte ta ndiqje me vëmendje deri në fund. Më mbushi me emocione dhe më dha një ndjenjë të veçantë që lind kur sheh një përfaqësim dinjitoz në një skenë ndërkombëtare.

Pas vizitës në Arsenale, vazhdoj drejt Pavijonit të Kosovës. Ai ishte vendosur në një hapësirë të veçantë, brenda një kishe buzë ujit, e rrethuar nga një kopsht i qetë. Kisha kishte qëndruar e mbyllur për dekada dhe mbante ende mbi vete heshtjen e kohës. Vetë rruga drejt saj të krijonte ndjesinë se po largoheshe nga rrjedha e zakonshme e Bienales për të hyrë në një hapësirë më intime, ku arti dhe kujtesa takoheshin natyrshëm.

Instalacioni ishte kuruar me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme dhe qëndronte me dinjitet e krenari në zemër të asaj hapësire. Kishte një prani të qetë, por të fuqishme, që të prekte thellë dhe të kujtonte se arti mund të bëhet një zë i fuqishëm i kujtesës, identitetit dhe përkatësisë. Një pjesë të asaj ndjenje krenarie e mora me vete kur u largova.

Aty kupton se arti i vërtetë nuk ka nevojë të projektohet apo të shpjegohet brenda kornizave të ngurta të tregut. Ai vepron duke çliruar kujtesën, duke zgjuar heshtjen dhe duke krijuar ura mes njerëzve, përtej strukturave të ftohta dhe logjikës së konsumit.

Kjo mrekulli mund te ndodhë vetëm përmes artit. Përmes tij, njerëzit e kanë më të lehtë të zbulojnë të fshehtat e jetës, të kuptojnë më thellë veten dhe të gjejnë kuptime që shpesh fjalët nuk arrijnë t’i shprehin. Arti i afron njerëzit me njëri-tjetrin dhe i ndihmon të shohin përtej paragjykimeve e stereotipave.

ObserverKult


Lexo edhe:

Çka mendonte Ernest Koliqi për politikën e kulturën?