Rafif El-Muhenna: Në çdo shtëpi gjendet një shtrat nëne

Nga Rafif El-Muhenna, psikiatër sirian

Ndryshe nga çfarë thotë arsimi modern, unë nuk i kam privuar kurrë vajzat e mia nga nevoja e tyre për t’u shtrirë në shtratin tonë. Përkundrazi, sa herë që më dilte gjumi nga hapat e saj drejt dhomës tonë, unë i hapja krahët dhe e mirëprisja që ta kalojë me ne pjesën e mbetur të natës. Gëzimi im për praninë e saj mes nesh, ishte më i madh sesa gëzimi i saj, sado që hapësira e shtratit ngushtohej aq shumë, sa bëhej e mjaftueshme për ta larguar gjumin prej syve tanë.

Edhe tani, sa herë që ime bijë Mesa zbret nga dhoma e saj dhe deklaron se e ka të pamundur të flejë, unë e ftoj të vijë e të shrihet në dhomën tonë. Me t’u shtrirë në shtratin tonë, atë e zë gjumi në paqe dhe siguri të plotë.

Sekreti i kësaj tërheqjeje dhe paqeje fshihet në shtratin e nënës, në atë hapësirë magjike dy metra me dy, aty ku fëmijët gjejnë atë që u mungon në këtë botë që rend me shpejtësi të frikshme.

Çfarë ia fal fëmijës atë paqe dhe qetësi magjike në atë shtrat? Mos është aroma e nënës, rrobave dhe frymëmarrja e saj pranë tyre?

Është pikërisht ai vend magjik, ai që i mundëson fëmijës të rikthejë rishtazi fëmijërinë e tij, e paralelisht t’i kthejë edhe një të drejtë të jetës, pa pasur nevojë të rebelohet dhe pa kushte.

Fëmijët nuk i zë gjumi mbi shtratin e shenjtë të nënës, në fakt ata zhyten thellë dhe i dorëzohen fëmijërisë së tyre, sado të rritur të jenë tashmë. Ai vend i zhvesh nga ankthi i ditëve dhe u mundëson të pushojnë pa pasur nevojë të dihatin.

Fëmijët nuk vijnë të flenë gjumë në shtratin e nënës, po vijnë të rrëmojnë në kujtesën e tyre, në kërkim të pranimit të vetes, pranimit të frikërave, hezitimit, nevojave dhe lëkundjes së gjetheve të shpirtit të tyre në këtë jetë vjeshtore.

Sakaq, vetë nëna ndjen një gaz të fshehtë teksa përqafon trupin e fëmijës së saj, si të takoheshin për herë të parë; Ajo sikur hap librin e saj të mëmësisë për herë të parë dhe me metrin e duarve të saj, mat këtë trup të mbledhur kruspull pranë saj, atë që ditë pas dite zë më shumë hapësirë nga shtrati i saj.

Në çdo shtëpi gjendet një shtrat nëne, në të cilin, të gjitha ndjenjat njerëzore, si dashuria, malli, frika, stresi, lodhja, hezitimi, kaosi, zemërimi, rebelimi, brishtësia, përçartja … grumbullohen dhe fermentohen në një hapësirë dy metra në dy.

Përktheu: Elmaz Fida

ObserverKult


Lexo edhe:

RAFIF AL MUHANNA: NUK DUA TË KEM TË DREJTË GJITHMONË

Asgjë tjetër nuk më tremb më shumë sesa një ide e ngulitur dhe e rrënjosur në mendjen time, një ide që bëhet baza e të gjithë mendimeve dhe bindjeve të tjera …

Asgjë nuk më tremb më shumë sesa një ide e cila më bën të ndjej dhe besoj se kam të drejtë… Është ndjesia ajo që e përforcon mendimin.

Asgjë nuk më tremb më shumë sesa një ide dhe bindje e cila më jep rehati dhe qetësi për një kohë të gjatë…

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


Petrit Ruka

PETRIT RUKA: MË MORI MALLI…

Më mori malli,
Po vdes prej malli,
Paskësha kaq mall,
Në të gjitha zgjedhimet e foljeve shqipe,
Ti zgjedh të jesh gjallë.
Më kot të çoj në të kryerën e tejshkuar,
Ti ecën së prapthi,
Si të ecje me thembra,
Si gaforet mbi shkëmbin e çarë të detit
Ti kapur tek zemra.
O vafsh në djall, torturë e ëmbël
Që s’njihke harresë,
Se dija, që “hakmarrja” jote do ishte
Kaq e pabesë…
Folje më folje tani do luftojmë,
Deri në fund,
Më deshe, të dua, të paskësha dashur,
E Ardhmja askund…

S’ka kohë të ardhme, të ardhmen e fshimë,
Punë foljesh nuk qe,
Kundrinë e jetës, (si thika mbi zemër,)
Aty shkëlqe!
Se unë në zgjedhime foljesh kam rënë,
Të desha, s’më deshe!
Nuk di!

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult