Nga Rainer Maria Rilke
Hyr në veten tënde! Gjeje arsyen që të urdhëron të shkruash. Shih nëse ajo i ka përhapur rrënjët në thellësi të zemrës tënde. Rrëfeji vetes nëse do të vdisje, po që se do të ta ndalonin të shkruaje.
Mbi të gjitha: dikur vonë, në orën më të heshtur të natës, pyete veten: a duhet të shkruaj?
Gërmo në vete për një përgjigje të thellë. Dhe nëse kjo përgjigje tingëllon si pëlqim. Nëse e plotëson këtë pyetje solemne me një “duhet” të fortë e të thjeshtë, atëherë ndërtoni jetën tuaj në përputhje me këtë domosdoshmëri.
E gjithë jeta jote edhe në orën e saj më të përulur dhe më indiferente, duhet të bëhet një shenjë dhe dëshmitare e këtij impulsi.
Pastaj afrohuni me Natyrën. Sikur askush të mos e kishte provuar më parë, përpiquni të thoni atë që shihni dhe ndjeni, doni dhe e humbni…
Përshkruani dhimbjet dhe dëshirat tuaja. Mendimet që kalojnë nëpër mendjen tuaj dhe besimin tuaj në një lloj bukurie. Përshkruani të gjitha këto me sinqeritet të përzemërt, të heshtur, të përulur dhe kur shpreheni, përshkruani gjërat rreth jush, imazhet. Imazhet e ëndrrave tuaja dhe objektet që mbani mend.
Nëse përditshmëria juaj duket e varfër, mos e fajësoni. Fajësojeni veten. Pranoja vetes se nuk mjafton një poet për të nxjerrë në pah pasuritë e tij. Sepse për krijuesin nuk ka varfëri dhe asnjë vend të varfër e indiferent. Dhe edhe nëse do ta gjeni veten në ndonjë burg, muret e të cilit nuk lëshojnë asnjë nga tingujt e botës – a nuk do ta kishit ende fëmijërinë tuaj, atë xhevahir përtej çdo çmimi, atë shtëpi thesari kujtimesh?
Kthejeni vëmendjen tuaj tek ajo. Përpiquni të ngrisni lart ndjenjat e mbytura të kësaj të kaluare të madhe. Personaliteti juaj do të forcohet. Vetmia juaj do të zgjerohet dhe do të bëhet një vend ku mund të jetoni në muzg. Ku zhurma e njerëzve të tjerë kalon, shumë larg.
Dhe nëse nga kjo kthesë-brenda, nga kjo zhytje në botën tuaj, do të dalin poezi, atëherë mos mendoni të pyesni askënd, nëse janë të mira apo jo, sepse ato do t’i shihni si pasurinë tuaj natyrore. Një pjesë të jetës suaj, një zë prej saj. Një vepër arti është e mirë nëse ka lindur nga nevoja. Vetëm kështu mund të gjykohet.
Përgatiti: ObserverKult
————————-
Lexo edhe: