Rama: Kristaq Dhamo ishte një nga ashikët e rrallë të kinematografisë

kristaq dhamo

Një pasion, një dashuri që nuk u shua. Kristaq Dhamo ishte një nga ashikët e rrallë të kinematografisë. Një njeri i dashuruar marrëzisht ndaj saj që në vitet kur studjonte për Artin e Shtatë në Budapest.

Nga Luan Rama

Që nga ajo kohë janë vetëm fotografitë gjatë filmave të parë që na e dëshmonë këtë ethe ku jeta përfytyrohej veçse në film dhe për filmin. Pikërisht në to, që në moshën 25 vjeçare shfaqet ajo fytyrë pasionante si një ithtar i një utopie e llojit të Ejzenshtainit dhe Xiga Vertov, të cilët ai i adhuronte.

Një pasion që ne kineastët e rinj që hymë në kinematografi në fillimet e viteve ’70, pikasëm tek ai jo vetëm inteligjencën dhe mjeshtërinë artistike por dhe atë ethe që e mbante gjithnjë zgjuar, siç e shikonim tek shkonte nga një maviolë e montazhit në tjetrën duke dhënë gjithnjë zgjidhje teknike, artistike, duke sugjeruar gjetje dhe duke e parë filmin e kolegut si të ishte filmi i tij.

Ishte një zemër e hapur që do të mbetej gjithnjë e hapur për kolegët e tij dhe veçanërisht të rinjtë. Pasionant në art, pasionant mes nesh, me tregimet e tij reale dhe imagjinare, ku spikaste fantazia, çka nuk mund ta gjeje tek dikush tjetër. Po, një pasion i përhershëm që nuk u shua.

Në takimet e fundit në Tiranë, mes kineastësh, mes nesh ishte gjithnjë filmi, ajo dritë që i shndriste gjithnjë sytë e tij . E habitshme, donte të bisedonte gjithnjë për filmin, ndryshe do të ishte një lloj zhgënjimi i vetë jetës, vetvetes. Ai kurrë nuk e braktisi filmin edhe kur s’mund të xhironte më.
Të gjithë kemi kujtime të mrekullueshme me të, ditë e netë të shqetësuara, kujtime që duhen shkruar për të treguar më të plotë jetën e këtij kineasti të shquar që ishte njëkohësisht një ekuilibrist i talentuar në kohën kur çenzura rëndonte ashpër mbi kineastët ashtu si mbi gjithë artistët dhe letrarët e tjerë.

Kohë kur krijimi ishte një çështje e vështirë, një pasion i bukur, një dashuri e komplikuar dhe e rrezikshme.
Miku ynë i shtrenjtë shkoi duke na përshëndetur që larg nga spitali i Ankonës, iku paqësisht me dashurinë për të mos munguar në tryezat e kineastëve, të filmit, iku me mënçurinë e një esteti, e një filozofi, duke na lënë përsëri atë që spikaste më shumë tek ai : Pasioni ! Një mësim se si duhet jetuar jeta dhe krijimi në Art.

ObserverKult

Lexo edhe:

VDES NË MOSHËN 89-VJEÇARE KINEASTI I NJOHUR, KRISTAQ DHAMO

kristaq dhamo

Kineasti i njohur Kristaq Dhamo është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare. Artisti i cili ka realizuar filmin e parë shqiptar me metrazh të gjatë, 64 vite në parë “Tanën” u shua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajmin e konfirmon regjisori Joni Shanaj, i cili shkruan se vdiq pranë dy vajzave dhe bashkëshortes së tij, arkeologes Dhorka Dhamo.

Tekstin e plotë e gjeni KETU

ObserverKult