Kryeministri i Shqipërisë, ka publikuar një foto të një ushtari të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke shkruar se “Edhe kjo mund të ishte thjesht një PHOTO OF THE DAY”.
“Por asisoj, fotoja e ditës nuk do të thoshte dot se sa shumë mirënjohje meriton sot, kjo trupë e shkëlqyer djemsh e vajzash, si të dalë nga ndonjë film skematik amerikan i luftës mes së mirës e të keqes – ku fituesi i luftës shihet qysh në fillim dhe tërë peripecitë e tij gjatë filmit kalohen kollaj, pasi fundi dihet”, shkruan Rama.
Rama, thekson se janë “Të bukur, të fortë, të aftë, të disiplinuar dhe të palodhur deri në përmbushjen me sukses të misionit, ata janë ndoshta produkti më spektakolar që ka nxjerrë lufta e Kosovës, në funksion të paqes së dinjitetshme, siç janë padyshim shembëlltyra më imponuese e shtetkrijimit të Kosovës”.
“Kjo trupë do të lerë në kujtesën time, bashkë me gjurmën e pashlyeshme të kontributit të saj human, në një ditë kaq të zezë fatkeqësie për Shqipërinë, shijen e paharrueshme të një shfaqjeje heroizmi jetësor, ku heronjtë ta mbushnin plot syrin, mu si nëpër filmat amerikanë”, shkruan ai.