I frymëzuar nga romani i Francis Scott Fitzgerald i vitit 1922, filmi me regji të David Fincher u nominua për 13 çmime Oscar në vitin 2009. Një orë me akrepa që lëvizin në drejtimin e kundërt, lidhet me magjinë e një fëmije që lind i moshuar, dhe që ditë pas dite bëhet më i ri.
Në fakt, protagonisti i vërtetë i filmit është koha, e zbritur nga natyra konvencionale që i ka atribuar njeriu. Është një kohë që ecën me shpejtësi, dhe që na nxit të reflektojmë mbi kuptimin e një ekzistence, e cila nuk karakterizohet më nga perspektiva e plakjes, por nga ndjenja, nga aftësia jonë për të pajtuar fëmijën dhe të rriturin që jetojnë brenda secilit prej nesh.
Një kohë që mund të ri–shpiket, dhe pas së cilës nuk mund të fshihemi, sepse siç e thotë edhe vetë Benjamin Button në monologun e famshëm mbi jetën “nuk është kurrë vonë, ose në rastin tim shumë shpejt, të jesh ai që dëshiron të jesh”.
Monologu mbi jetën
“Për atë që ia vlen, nuk është asnjëherë vonë, ose në rastin tim shumë herët, të jesh ai që dëshiron të jesh. Nuk ka një kufi kohor, kur mund të filloni kur të doni, kur mund të ndryshoni apo të qëndroni ashtu siç jeni. Për këtë nuk ka një rregull. Ne mund të përjetojmë gjithçka, për mirë a keq qoftë.
Unë shpresoj që ju ta përjetoni gjithçka në maksimum. Shpresoj që ju të keni mundësi të shihni gjëra të mahnitshme, shpresoj që të keni gjithmonë emocione të reja. Shpresoj që të mund të takoni njerëz me këndvështrime të ndryshme. Po ashtu, shpresoj të jeni krenarë për jetën tuaj, dhe nëse zbuloni se nuk jeni, atëherë shpresoj që të gjeni forcën për t’ia nisur nga e para”.
Rasti kurioz i Benjamin Button
Për Benjamin Button jeta ecën në drejtimin e kundërt. Në një ditë vere të vitit 1860, pas një kthesë të pashpjegueshme të fatit, ai lindi i moshuar: një burrë me pamjen e një 70-vjeçari në një djep. Dhe pastaj fillon të rinohet, duke lëvizur kundër rrymës së historisë.
Borgjezia e Baltimorës, së cilës i përket edhe babai i tij, e sheh me një përzierje ndjenjash midis habisë, sikletit dhe kundërshtimit. Një roman shumë i rafinuar, bazuar në atë që F. Scott Fitzgerald e konsideroi si rrëfimin e tij më zbavitës. E njëjta frymë përshkon edhe flimin e realizuar nga David Fincher me protagonistë aktorët e mirënjohur Brad Pitt dhe Cate Blanchett./ Libreriamo – Bota.al
Lexo edhe:
ZBULOHEN DETAJE TRONDITËSE: BRAD PITT I KISHTE ABUZUAR KËSHTU JOLIEN DHE FËMIJËT…
ObserverKult