“Re me pantollona” e Majakovskit përkthyer nga Kadare

vladimir majakovski majakovskit

Vladimir Majakovski: Re me pantollona
Përktheu: Ismail Kadare

Mendimin tuaj,
Që rri në trurin e butë,
Si shërbyesi i dhjamur, kur ëndërron në kolltuk,
Do ta ngacmoj me zhelen e përgjakur të zemrës,
Duke e tallur hidhur, me thumba, pa turp.

Në shpirt asnjë fije të thinjur unë s’kam,
Dhe as ëmbëlsi prej plaku të tharë.
Duke shurdhuar botën me zërin tim këmbanë,
Shkoj udhëve, i bukur,
Njëzetedyvjeçar.

Ju, të ëmbëlit!
Dashurinë me violina e rrëfeni,
Mbi litavre, i vrazhdëti, e vë ndjenjën shpuzë.
Ju kurrë dashuri si unë s’mund të keni,
Ku të ketë vetëm buzë.

Dëshironi
Të bëhem prej mishit, i tërbuar
Dhe si qielli, duke ndërruar tonet,
Dëshironi
Të jem tepër i ëmbëlsuar,
Jo burrë, por re me pantallona.

S’besoj se në botë egziston Nica fare
Dëgjoj si murmuritin fjalë të shenjtorëve
Burrat e mërzitshëm, si spitalet
Dhe gratë, si proverba të stërpërdorura.

Pjesa I

I merrni përçart fjalët e mia ?
Kjo ndodhi
Ndodhi n’Odesë
“Do vij në katër” – tha Maria.
Tetë
Nëndë,
Dhjetë e pesë

Ja dhe mbrëmja,
Në honin e natës,
Rrëshqet nga dritoret
E mvrejtur,
Mbrëmje dhjetori.
Mbi shpinat e ndryshkura shqyhen ne gaz
Temjanorët.

Mua tani me zor do më njihni:
Një masë dejesh,
Rënkon.
E tërë.
C’i duhet vallë gjithë këtij shkëmbi ?
Por shkëmbi i duhen shumë gjëra!
S’ka rëndësi.
Pse ky bllok është prej bronxi,
Dhe se zemra është hekur e ftohtë.
Natën do që gulçimin tënd
Ta ndrysh tek një grua
E ngrohtë.

Dhe ja,
I madh
Përkulem mbi qelq,
Ballin shtrëngoj në dhimbjen e kockave.
Do vijë dashuria apo jo ?

Cila dashuri,
E madhja, apo e vockëla ?
Nga e gjeti të madhe ky trupth ?
Duhet për të një dashurizë e vogël,
Një dashuriçkë!
Ajo ju trëmbet borive t’automobilave,
Ka qejf tingujt e zileve
Të deriçkës.

Akoma dhe akoma
i lagur nga uji,
Përballë fytyrës së shiut të rreptë,
Pres,
Spërkatur nga ushtima e dallgës së qytetit.
Mesnata si me thikë,
E ndoqi
Dhe e preu
Të mallkuarin!

Ra ora dymbëdhjetë,
Si koka nga supet e t’ekzekutuarit.
Në xhamë pikat e shiut
Gjarpërojnë,
Si një grimasë vigane lëvizin,
Sikur ulërijnë kimerat
E kishës Shën Mërisë së Parisit.
E mallkuara!

Dhe kjo duhet këtë natë!
Erdh’ koha të ulërij.
Dëgjoj:
Në heshtje,
si i sëmuri nga shtrati,
u hodh një nerv.

Dhe ja
Në fillim kaloi,
Çalë-çalë,
Pastaj me vrap,
Ndihet qartë,
I shqetësuar.

Tani ai dhe pas tij dy të tjerë
Sulen me vrap të tërbuar.
U shemb suvaja e katit të parë.
Nervat
Të mëdhenj,
Të vegjël,
Të rëndë,
Hidhen të harbuar,
Dhe ja,
Nervave po u merren këmbët!
Dhe nata në dhomë zgjatet dhe zgjatet,
Nga mpirja dhe hija të rënduar sytë.
Pa pritur dyert kërcasin,
Sikur hotelit
Dhëmbët i kërcitën.

Hyre ti,
E rreptë si “na”-ja
Dorashkat duke vërtitur, ndërkohë
The:
“E dini –
Unë do martohem!”
E mirë, martohuni.
S’ka gjë.
Do duroj.
E shihni sa i qetë rri!
Si pulsi
I të vdekurit.
Ju kujtohet ?
Ju thatë:
“Xhek London,
Pasion,
Pare,
Të bredh”,
Por unë një gjë dija:
Ju jeni Xhokonda.
Të cilën duhet ta vjedh.
Dhe ma vodhën.

Prapë do loz i dashuruar,
Harqet e vetullave do t’i ndez flakë.
Ç’t’i bësh ?
Dhe në shtëpinë, q’u dogj e u shkrumbua,
Nga një herë jetojnë endacakë!
Talleni ?
“Më pak se ç’ka kopekë lypësi,
Ju keni gurë çmendurie të rrallë”
Mos harroni
Si u shëmb Pompeu,
Kur pompeasit Vezuvin tallën.

Ej!
Zotërinj!
Amatorë
Shenjtorësh,
Krimesh të tmerrta,
Më të tmerrshmen gjë,
A e kini parë,
Fytyrën time,
Kur
Unë
Jam absolutisht i qetë ?

Dhe e ndjej
“Unë”
Për mua është pak
Dikush tjetër me çpon brenda trupit si kama
Alo!
Kush flet ?
Mama
Mama!
Biri juaj u sëmur mrekullisht.
Mama!
Atij zjarr në zemër i ra.

I thoni motrave Ludës dhe Oljës
Se vëllai ku të futet s’ka.
Cdo fjalë
Bile dhe shakatë,
Që shqipton me gojën, q’i digjet
Hidhen si prostitutat lakuriqe
Prej shtëpisë publike, që ka marrë flakë.
Njerëzit nuhasin,
Mban erë mish i djegur.
Dikush vrapon.
Kaska.

Shkëlqime.
Mos hyni me çizme!
U thoni zjarrfiksave:
“Në zemrën që digjet hyet me ledhatime.”
Shpëtoj vetë.
Lotët e syve zbraz si fuçija.
Më lini të kapem për brinjësh
Hidhem! Hidhem! Hidhem! Hidhem!
U shembën.
Prej zemrës dot nuk hidhesh!
Nga zgavra e buzëve
Nga fytyra, që u dogj,
Një puthje e përcëlluar hidhet përjashta.
Mama!

Nuk mund të këndoj!
Në kishën e zemrën kumbojnë veç psallmet.
Figurat e fjalëve dhe shifrave të përcëlluara
Nga kafka dalin,
Si fëmijët nga gërmadhat pranë.
Kështu dikur
U ngritën të tmerruara
Drejt qiellit
Duart e shkrumbuara të “Luizitianës”.
Njerëzve të trembur
N’apartamentet e qeta
Mëngjezi ju hyn
Me njëqind sy.
Britmë e fundit,
Së paku për mua, të djegurin,
Në shekuj, rënko ti.

Pjesa II

Lermëni të qetë!
S’jam shok i të mëdhenjve.
Un’ “nihil” vë
Përmbi cdo gjë.
Asgjëkundi.
Askurrë të lexoj s’dua.
Si janë librat ?
Si librat.
Asgjë.

Më parë kujtoja,
Librat bëhen shpejt:
Erdhi poeti,
Buzët lehtë i hapi,
Dhe që nga buzët fluturoi drejt
Një varg,
Gati.

Por qenka ndryshe,
Para se të nisë,
Vërtitet gjersa kallo i dalin prej fërkimit,
Në lymin e zemrës zvarriset
Peshku budalla i përfytyrimit.
Dhe pasi qërojnë rimat,
Ndërsa ziejnë
Një çorbë me bilbila dhe dashurira,
Rruga gjuhë-presë si memece përpëlitet
Se s’ka me se të flasë, të ulërijë.
Kullat e Babelit të qyteteve
I ringrëmë ne papushuar,
Kurse zoti,
Qytetet në rrafshina të shkreta
I kthen,
Gjuhët duke ngatërruar.

Rruga e heshtur dhëmbjen e nxorri,
Një britmë u dëgjua pa pritur, histerike,
Rrugës si hala ne grykë i ngelën
Taksitë topolake dhe karrocat thatanike.
Mbi gjoks të rrugës,
Si TBC kalimtarët.

Qyteti mbylli udhën me kyçin e territ.
Dhe ahere,
Megjithatë,
Një turmë se nga doli,
Duke mbajtur me zor një britmë vreri.
Ndoshta
Korit të ëngjëjve, që këndonte psallme,
Zoti, i grabitur, dënim ka për t’i dhënë.
Kurse rruga ulëriti me të madhe:
“Shkojmë të shdëpemi duke ngrënë!”
Përshkohet qyteti nga Krupët dhe krupthët e hekurt,
Që vetullat i ngrysin nën ballin përposh,
Ndërsa në gojë kalben
Kufomat e fjalëve të vdekura,
Veç dy fjalë majmen:
“Maskara”
Dhe
“Borxh”.

Poetët
E lagur, me dënesë dhe pelerina,
U sulën, flokët duke ndukur:
“Si t’i vëmë në një këngë.
Dhe zonjushën
Dhe dashurinë
Dhe vesën mbi lulen e bukur ?”
Dhe pas poetëve
Kompania tjetër
E studentëve,
E policëve,
E prostitutave.
Zotërinj!
Ndaluni!
Ju s’jeni lypsa,
Mos guxoni të kërkoni lëmoshë skutave!
Ne, të shëndoshët,
Hapa viganët,
Mos ta dëgjojmë,
Po ta shqyejmë cdo horr
Nga ata, që i ngjiten si shtojcë, pa pare,
Cdo krevati dopio bashkëshortor.
Atyre mos iu lut:
“Ndihmomë zot”.

Mos iu lut
As për hymn,
As për oratorio.
Ne vetë jemi pjesë e hymnit të madh
Të zhurmës së fabrikave dhe laboratorëve.

Ç’është Fausti per mua,
Që si fishekzjarr i kotë
Rrëshqet me Mefistofelin në të qiellit parkete ?
E dini ?!
Unë kam në këpucë një gozhdë
Më të tmerrshme se fantazia e Gëtes vetë.

Unë
Gojëarti,
Çdo fjalë e të cilit
Shpirtin ka rilindur,
Trupin ka gjallëruar,
Po ju them:
Më e vogla kokrizë pluhuri
Ka më shumë vlerë se çdo gjë që kam shkruar.
Dëgjoni!

Predikon me rënkime e hakmarrje
I ditëve të sotme grykëçjerri Zarathustra!
Ne me fytyrat, si çarçafë të palarë,
Me buzë të varura si llustra,
Ne
T’internuar në qytete leprozësh
Ku leprën e shkaktuan llumi dhe ari
Ne jemi më të pastër se qielli i Venedikut,
Nga detet dhe diejtë së bashku i larë.
Aq më bën që s’ka
Tek Homerët dhe Ovidët
Njerëz si ne,
Me blozë të lyer,
Unë e di,
Qielli do të zbehej po të shihte
Arin e shpirtit tonë të shkëlqyer.

Dejet dhe muskujt
Më të sigurtë se lutjet janë.
Lëmoshë nga koha s’kërkojmë më kot,
Secili nga ne
Në duar mban
Rrypat dhe frenat e botës.

U ngjitën në Golgotha auditoret
E Moskës, Kievit, Odesës, Petrogradit
Dhe s’pati asnjë
I cili
Mos thërriste,
Kryqëzojeni,
“Kryqëzojeni bardin”.
Por, njerëz
Unë ju kam dashur,
Megjithëse ju ofenduar më keni.
Ndonjëherë a e kini parë
Si, dorën që e rreh, e lëpin qeni ?

Unë
I talluri nga gjenerata e sotme
Si anekdotë
E ndyrë
E gjatë
Shikoj përtej kohës, në horizontet,
Ku asnjeri s’shikon këtë natë.
Atje ky syri i njerëzve s’arrin
Në krye të hordhive t’uritura,
Tatëpjetë,
Me kurorën me gjëmba të revolucionit,
Vjen viti i shtatëmbëdhjetë.
Unë jam pararendësi i tij tek ju,
Ku është dhembja, me të jam bashkuar,
Në çdo pikë loti, që u derdh diku,
Vehten kam kryqëzuar.

Tani asgjë asnjeriut nuk i fal.
Në shpirt butësisë i dogja çdo fije.
Kjo është më e vështirë se të marresh
Njëqind mijë Bastije.
Dhe kur koha të vijë
Që ardhjen e shpëtimtarit
Me rebelizëm ta prisni
Shurdhues e plot tmerr,
Ahere unë
Shpirtin do shkul fare
Ta shkel e t’ua jap
si të përgjakur flamur.

Pjesa III

Ah, ç’ndodhi kështu,
Nga erdhi kjo gjë.
Midis ditëve me diell
Të këtyre vendeve ?
Pa pritur, në kokë,
Si perde e trishtuar,
Më erdhi shtëpi e të çmendurve.
Dhe siç ndodh,
Kur kryqëzori
Mbytet diku,
Marinarët ikin nga anija e zhdukur,
Ashtu, me sytë të shqyer
U sul kuturu
Gati i çmendur, Burluku.
Me qepallat e përgjakura e të përlotura
U zvarris,
U çua,
Iku i strukur,
Dhe pa pritur ëmbëlsisht mes lotëve
Buzëqeshi dhe tha:
“Bukur”!
Sa bukur në bluzën e verdhë
Shpirtin të mbështjellë kur futim,
Sa bukur
Të thërresësh
Nën gijotinë:
“Pini kakao Van Huten”!
Këtë sekondë
Të bujshme
Të tmerrit
Me asgjë s’do ta ndërroja
Më të mirë.
Mes tymit të cigares,
Pas gotës së likerit,
Fytyra e Servjaninit u zgjat e pirë.
Si guxoni ta quani vehte poet
Dhe si zog të cicëroni më kot ?

Sot
Duhet
Kasketë
T’i bëhemi kafkës së botës.
Ju,
Të shqetësuar nga i vetmi mendim:
“A kërcej vallë me hijeshi”?
Vështroni si dëfrej
Pa pushim,
Unë, horri i udhëve,
Kumarxhi-batakçi.

Nga ju,
Të njomurit me dashuri të vogla
Që nëpër shekujt
Lëshuat veç lotë,
Po shkoj unë
Diellin ta vë si monokël
Në sy, që të shoh këtë botë.
Veshur në mënyrë të çuditshme e pa hire,
Mbi tokë i zjarrtë,
Kudo do të vete,
Dhe përpara meje, lidhur me zinxhirë
Napoleonin, si kone, do ta marr me vehte.
Toka, si grua, që ka qejf të dorëzohet,
Do të shkrihet, do tundet plot naze
Buzët e sendeve
Që do gjallërohen
Do bëlbëzojnë
“Çaça, çaça, çaça”.

Papritur,
Retë
Dhe mjegullat e tjera,
Në qiell bënë një rrëmujë të bardhë,
Dhe dukej sikur puntorët u derdhën,
Qiellit i shpallën grevë të madhe.
Me rrufe, me ulërimë nga qielli u lëshua
Duke fshirë qurret me buzë së largu,
Dhe fytyra e qiellit u shtrëmbërua
Për një çast,
Si fytyra e Bismarkut.

Dhe dikush
Ngatërruar në punët e reve
Duart drejt kafesë i zgjat,
Herë i ëmbël,
Herë femëror,
Herë si i topit shtrat.
Ju kujtoni,
Se dielli ëmbëlsisht
Faqet i përkëdhel kafenesë ?

Jo, jo, shkojnë të pushkatojnë kryengritësit
Trupat e gjeneral Galifesë!
Nxirrni duart nga xhepat, kalimtarë,
Rrokni gurë, bomba, thika, ç’të jetë,
Dhe në qofte se ndokush duar s’ka fare
Le të goditë me ballin e vetë.
Marshoni, ju t’uritur,
Të përulur,
Thatanikë,
Të palarë, të mbushur me pleshta.
Marshoni!
Të hënat dhe të martat.

Do t’i ngjyejmë me gjak si për festa,
Toka nën thika le të kujtojë
Ata që t’i poshtërojë desh,
Toka bullafiqe,
Tamam si dashnore,
Që Rotshildi dikur e desh!
Që flamurët të valviten midis batareve,
Ashtu siç ndodh me rregull në çdo banket,
Ju, shtylla elektrike, ndrejini drejt reve,
Mishrat e varura që kasapi shet.
Dikush shahet,
Lutet,
Thërret,
Grindet,
Pëleshet pas pak.

Në qiell, i kuq si Marsejeza
Dridhet perëndimi-gjak.
Erdh çmënduria.
S’ka si e ndalon.
Nata po vjen
Me të ngrënë,
Me pije.
Vështroni –
Qielli prapë komploton
Me yjet e spërkatur nga tradhëtia!

Erdhi
Bën gosti si Mamaj,
Hypur mbi shpinë të qytetit,
Këtë natë të zezë si Azefi në çdo skaj
S’e përshkon dot syri i poetit.
Strukem në një qoshe të tavernës, në banak.
Me verë tryezën dhe shpirtin spërkat,
Dhe po ndjej,
Që nga këndi, të rrumbullaktë,
Sytë e Shën Mërisë më shohin me inat.

C’ti dhurosh asaj nga dhuratat shabllone –
Ndriçimin e tavernës së trishtë ?
E sheh,
Përsëri në Golgotha të dënojnë
S’duan Barabë,
Por Krisht.
Ndoshta unë,
Në mendjen njerëzore.
Me asnjë fytyrë s’ngjaj.
Unë
Ndoshta
Jam më i bukur
I bijve të tu në çdo skaj.
Haré jepu njerëzve
Si shkumba në det
Të ngrihen,
Të rriten sa më parë
Djemtë të bëhen burra sa më shpejt
Dhe vajzat sa më shpejt
Të bëhen me barrë.

Dhe fëmijëve jepu mençuritë,
E magjistarëve te moçmë me thinja.
Dhe do të vinë ata
Dhe do pagëzojnë fëmijtë
Me emrat e vargjeve të mija.
Unë, që kërkova maqinat dhe Anglinë,
Ndoshta pa e ditur as vetë,
N’Ungjillin më të thjeshtë jam tanimë
Apostulli i trembëdhjetë.
Dhe kur zëri im
Pa turp rënkon në erë
Me orë të tëra,
E me ditë pambarim
Ndoshta Jezu Krishti ju merr erë
Luleve të shpirtit tim.

ObserverKult

lexo edhe:


ESENIN PËRKTHYER NGA KADARE: GJALLË JE, TI MOJ NËNOÇKA IME?