Nga Enis Mullaj
Ashtu si çdo ngjarje në jetët tona që ka një background, ashtu edhe “Duje”, ka disa të thëna e të pathëna.
Për mua “Duje”, është finalja e një dekade që jap kontributin tim në Festivalin e RTSH.
Ne gjithë këto kohë, kam patur fatin të bashkëpunoj, të kem afër artistë të mrekullueshëm. Kam bërë miq të rinj, ashtu siç edhe kam humbur miq.
Përveçse pjesës teknike të profesionit, kam mësuar edhe kam parë sesi në muzikë, morali i njeriut ose lartësohet, ose bie në humnerën e të qenit i pangopur, zullumqar, gënjeshtar, frikacak, xheloz e servil.
Kënga “Duje” është NJË nga kompozimet e mia më të mira. Unë NUK kam nevojë të “bërtas” as me intervista e me statuse, sesa e arrirë është kjo kënge.
“Duje” ka një tekst që përcjell NJË nga mesazhet më të bukura të kësaj bote, dhe e kënduar nga një artiste e papërsëritshme bashkë me familjen e saj të mrekullueshme.
Ata muzikantë që i kanë bërë ORËT e PUNËS në profesionin e tyre, e kuptojnë fare mirë se çfarë profesionalizmi dhe ustallëku ka në brendinë e Duje-s.
Po këta muzikantë që kanë arritur të paktën të SHKËLQEJNË vetëm njëherë, e kuptojnë që e gjithë paketa “Duje” është absolutisht fituese!
Ashtu si më duhet të them, që gjithë ata muzikantë, pa asnjë lloj identiteti në muzikë; leshragjatë, të rruar e të parruar, të larë e të palarë, të ngrënë e të pangrënë; kokë zbathur e të “kuqosur” nga xhelozitë, muzikologë e muzikologë pa asnjë rendiment e vetëm me diplomë në xhep.
“Artistë” të katapultuar nga klanet familjare; të gjithë këta personazhë të pistë, kanë ndjerë se iu është tronditur gjithë botëkuptimi i viteve të jetës. Sepse jetën e kanë ndërtuar, duke lëpirë; duke u servilosur… si kërmilli…
“DUJE” u bëri artistëve të kuptojnë sesi një këngë mund të THYEJË gjithë barrierat e vendosura nga JURITË (nga ato juri që në 30 vite, shumica me profesorë e muzikantë të manipulojnë, të gënjejnë e mos të kenë turp)
“DUJE” i theu të gjitha rregullat e mekanizmat 30-vjeçare të kontrollit absolut diktatoresk artistik.
Kështu që, për çdo artist të ri dhe artist me eksperiencë; “DUJE” është një shembull, sesi vetëm me punë, durim, shumë sakrificë, mund t’ia dalësh të thyesh çdo parametër e duke pasur suksesin e ëndërruar nga shumëkush.
Sigurisht që për këtë histori suksesi e frymëzimi ka meritën stafi organizativ i po këtij viti, që e la të lirë; që sovrani, populli të zgjidhte atë që ndjen më afër; atë që kupton; atë që i serviret me sinqeritet e me dashuri.
Ps.
Kënaqësia më e madhe është që kjo këngë, të jep ndjesinë e shtëpisë, ngrohtësinë e familjes, ashtu si është çdo familje… me të mirat e të metat e saj… e papërsëritshme edhe pakrahasueshme./Shqiptarja.com
*Titulli i origjinalit: ‘Duje’ , një histori frymëzimi…
ObserverKult
Lexo edhe:
“DUJE”, NGA ALBINA DHE FAMILJA KELMENDI, JEHON NË IZRAEL- NGRE NË KËMBË MBARË PUBLIKUN (VIDEO)
Festivali “Eurovision 2023” do të mbahet në muajin maj në Liverpool të Britanisë së Madhe. Shqipëria përfaqësohet këtë vit nga Albina dhe familja Kelmendi.
Artistët kanë nisur një tur promovues, dhe kënga “Duje” është kthyer në hit në Izrael.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult