Recension: Komedia “Lisistrata” nga Aristofani

Nga Ardit Mehmetaj

Jeta e gruas së martuar pa burrë është e vështirë e këtë më së miri e kuptuan gratë kosovare të shekullit XX. Ishte ky shekull kur thuajse çdo e dyta martesë ishte martesë në distancë. Burrat që jetonin jashtë Kosovës martoheshin që ta kryenin një obligim ngase martesa ishte detyrë brenda shoqërisë, në të kundërt i pamartuari nuk konsiderohej njeri normal, atij i thuhej njeri i paaftë për martesë. Burrat që jetonin jashtë Kosovës martoheshin, por gratë nuk i merrnin me vete. Ato i linin në Kosovë tek familja e tyre e ngushtë që t’i bëjnë punët e shtëpisë dhe për t’u kujdesur për prindërit e tyre. Burrat e tillë zakonisht nuk vinin tek gruaja e tyre me vite e madje ka raste edhe me dekada. Rast të tillë të pasqyruar në letërsinë shqipe të atij shekulli e kemi tek romani i parë i Kosovës “Gjarpinjtë e gjakut”, ku Mustafa, djali i Sejdi Goxhufit, një muaj e gjysmë pas martesës e kishte lënë gruan e tek prindërit e tij e vet ishte larguar për në mërgim duke mos u kthyer katër vjet më tek gruaja e tij. Të tilla raste në realitetin e kohës ishin të shumta. Në Kosovë nuk kishte revoltë nga gratë, as tek romani i Demaçit nuk kishte revoltë për këtë çështje, por në Greqinë antike një grua u revoltua, një grua protestoi, një grua bëri grevë të pazakontë, e kjo grua ishte Lisistrata.

Lisistrata në kohën kur zhvillohej luftë mes athinasve dhe spartanëve, mbledh të gjitha gratë dhe u tregon se arsyeja e thirrjes me kaq urgjencë nga ana e saj është ndalja e luftës dhe kthimi i burrave të tyre në shtëpi dhe për këtë ajo e kishte gjetur një zgjidhje. Ajo zgjidhje është greva, por në këtë rast greva ishte e pazakontë pasi ajo ishte grevë seksi. Ajo thotë se gratë po jetojnë të vetme në shtëpi e natyra e gruas nuk e përballon një kohë aq të gjatë pa burrin afër. Ajo thotë se burrat munden kurdoherë të gjejnë gra tjera, ndërsa neve na ikën koha e rinisë dhe rrjedhimisht po na ikën koha e kënaqësisë pa burrat pranë. Andaj, zgjidhja e vetme sipas Lisistratës për ta zgjidhur këtë problem ishte greva duke mos kryer marrëdhënie seksuale derisa burrat t’i bëjnë për vete dhe ata të mos shkojnë më në luftë. Pra, greva përveç kënaqësisë individuale të sëcilës grua e kërkonte edhe të mirën kolektive: ndalimin e luftës. Pas refuzimeve nga disa gra e insisitimeve të Lisistratës, të gjitha gratë pranojnë. Pra, marrëveshja ishte që asnjë grua të mos flejë me burrin e saj derisa të jetësohet qëllimi i tyre. Për këtë betohen duke pirë verë të përzier me gjak e që për kohën ishte ndër betimet më të rrezikshme, pasi që në rast të thyerjes së betimit pasonte ndëshkim i rëndë. Kauza e Lisistratës ishte për gruan në rend të parë dhe për Greqinë në rend të dytë pasi me ndaljen e luftës do të fitonte gruaja si qenie, por edhe Greqia si shtet – gruaja do të fitonte burrin dhe kënaqësinë, Greqia ndaljen e humbjeve dhe qetësinë.

Lisistrata ishte e vendosur, vetmohuese, e gatshme për çdo sakrificë. Lisistrata ishte idealiste, qëllimmirë dhe e patrembur. Lufta e saj ishte luftë për lirinë e shprehjes, luftë për pjesmarrje në vendimarrje, luftë për gruan. Nga këndvështrimi ynë, Lisistrata ishte ndër feministet e para që pabarazinë gjinore e ngriti si çështje dhe e luftoi atë. Ajo kur bën debat me komisarin i thotë se ju burrat nuk na lejoni as t’iu këshillojmë, lëre më të marrim ne ndonjë vendim. Lisistrata i numëron të gjitha padrejtësitë që asaj kohe i bëheshin gruas, ndërsa si problem të fundit, por jo të fundit edhe për nga rëndësia, ajo i përmend mungesën e burrave në shtrat.

Në këtë komedi kemi dezertimin e disa grave dhe bashkimin prapë për një qëllim pasi Zeusi dërgon lajm për dënim. Kemi kacafytjen mes ushtarëve të urdhëruar nga komisari dhe grave e që këto të fundit fitojnë në fund për shkak se ishin më shumë në numër. Por, pikë kthese në këtë komedi është rasti kur vjen Cinesia, burri i Mrinës. Këtë rast e shfrytëzon Lisistrata. Pasi ai kërkon ta shoh gruan e tij, Lisistrata nuk pranon. Vetëm pasi i premton dhurata të shumta, atëherë e lejon, por Lisistrata i thotë Mrinës që ta puth e ta ledhatojë burrin, pra ta torturojë, por mos ta lejojë të bëjë seks me të. Mrina e pret me fjalë të mira burrin e saj, merr një krevat dhe i thotë burrit të shtrihet, e zhvesh atë, e puth dhe ledhaton, por pas këtyre lojërave që bën ajo ikën dhe e lë atë të vetëm. Cinesia desh çmendet. Shkon e ankohet tek komisari dhe tërë burrat revoltohen, thonë se s’kanë rrugëdalje tjetër përveç paqes. Takohen dy ambasadorët, ai athinas me atë spartan dhe bëjnë paqe. Gratë bashkohen me burrat e tyre dhe me gëzim e valle të përbashkët përfundon komedia.  

Pse kjo metodë e grevës?! Metoda e grevës së seksit është metoda e vetme e cila mund të kishte efekt dhe po këtë metodë e përdorë Aristofani duke e njohur mirë natyrën e njeriut – mashkull në raport me seksin si akt, për këtë ai i vendosë burrat para dy opsioneve të mëdha: luftën ose gratë. Sado që arsyeja mund të anonte kah lufta për vendin, është natyra e njeriut ajo që e mposhtë arsyen dhe ata i zgjedhin gratë. Psikologjikisht gratë janë më të durueshme se burrat në çdo aspekt dhe duke e parë këtë epërsi të grave në raport me burrat kjo metodë e grevës bëhet çelës suksesi për to.

Çka përfaqëson Lisistrata?! Lisistrata sot përfaqëson gruan e pandalshme që angazhohet për të drejtat e gruas. Lisistrata sot është bërë motiv për gratë e tjera se si vetëm duke këmbëngulur me çdo kusht drejt qëllimit gjithmonë arrihet suksesi.

Pra, komedia “Lisistrata” është kauzë e gruas për gruan dhe kauzë e gruas për paqen. “Lisistrata” është protestë kundër konflikteve, protestë kundër së keqes e luftës që shkaktohen nga burrat. Nëse tek epet homerike gruaja bëhet shkaktare për luftë, në komedinë e Aristofanit gratë bëhen shkak për ndaljen e luftës.  

“Lisistrata” bashkë me “Bretkosat”, bëhen dy komeditë më të famshme të Aristofanit. Komiku i lindur në të dyja paraqet idetë e tij përmes personazheve dhe në të dy veprat shpërfaq kritikën përmes komikes. Tek “Lisistrata” nëpërmjet Lisistratës bën kritikë ndaj shoqërisë, kurse tek “Bretkosat” nëpërmjet personazheve realizon kritikën e parë letrare.

LEXO EDHE: RECENSION: TRAGJEDIA “MEDEA” NGA EURIPIDI