Recension për romanin “Vuajtjet e djaloshit Verter” të Johann Wolfgang von Goethe

Romani “Vuajtjet e djaloshit Verter” është vepër tipike romantike. I botuar në vitin 1774, ai bën hapjen e Romantizmit dhe kushtimisht mbylljen e Klasicizmit. Pra, qëndron si urë lidhëse mes periudhash ku letërsia kalon nga Klasicizmi tek Romantizmi.

Nga Ardit Mehmetaj

Romani ka të gjitha tiparet e të qenit romantik pasi që nuk e ka asnjë tipar të të qenit klasicist. Në roman gjejmë tri kultet që janë tipare të kësaj periudhe. Kultin e parë e mohon për t’i ndërtuar dy kultet e tjera. Romani mohon kultin e arsyes që ishte parimi kryesor letrar i periudhes klasiciste, Goethe është i bindur që arsyeja nuk shpjegon çdo gjë që ndodh me njeriun e për njeriun, andaj ai mohon kultin e arsyes dhe i përkushtohet ndjenjës, mallit, dashurisë, ankthit e dhimbjes. Ai shemb këtë kult për të krijuar dy të tjera: kultin e lirisë dhe kultin e natyrës. Këto të dyja dalin të bashkëdyzuara tek Verteri pasi ai largohet në fshat për ta fituar lirinë, kështu natyra për të përveçse ilaç, shërben edhe si hapësirë ku ai e gjen lirinë e humbur. Verteri është heroi romantik tipik pasi ai është individ i vetmuar e i pasigurtë, ai është indiferent me botën e i nënshtruar ndaj fatit, ai është hero romantik pasi nuk është i rendomtë e i zakonshëm, Verteri është i jashtëzakonshëm. Ai është i mbushur me vrull të fuqishëm ndjenjash, ëndrrash e dëshirash, por në fund të gjitha i kthehen në vuajtje.

Verteri është njeri që e do jetën, ai jep gjithçka për të, por jeta nuk ia kthen njëjtë, ajo e vret atë. Verteri kur është i lumtur e lexon Homerin, kurse kur është i merzitur lexon Këngët e Osianit. Ndërsa kur në fund kryen vetëvrasje pranë tij është tragjedia “Emilia Galoti”.

Romani ndërtohet në formë letrash të cilat Verteri pasi largohet nga vendi i tij dhe shkon tek fshati i Sharlotës, letrat ia dërgon mikut të tij Vilhelmit. Kohët në roman ndahen në tresh pasi Verteri kalon në tri faza:

Vajtja e Verterit tek fshati i Sharlotës, që janë ditët e lumturisë.

– Verteri diplomat në ambasadë, që janë ditët e largimit dhe punës.

– Rikthimi i Verterit tek Sharlota, që janë ditët e vuajtjes dhe vetëvrasja e tij.

Tek ditët e lumtura, Verteri është optimist se do të përfundojë me Sharlotën, ai kalon shumë kohë bashkë me të dhe prania e saj bën që Verteri të harrojë gjithçka rreth tij.

Tek ditët e punës, Verteri pasi që e vëren se dashuria e tij është kthyer në varësi ai largohet dhe punën dëshiron ta përdorë si mjet për ta harruar atë dhe për ta larguar nga mendja, por nuk e arrinë këtë. Këtu Verteri është i një mendimi me Friedrich Nietzsche-n i cili tek “Kështu foli Zarathustra” thotë se puna është argëtim, në sensin e asaj që të largon nga mendimet që shpiejnë në vuajtje.

Tek ditët e vuajtjes, Verteri nuk e përballon dot ndarjen dhe distancën fizike nga Sharlota, kështu ai kthehet pranë saj, ia shpreh dashurinë asaj dhe në fund vdes me armët të cilat i merr nga ajo. Ai e puth armën pasi atë e ka prekur Sharlota dhe po me të kryen vetëvrasje, por faktikisht arma reale që e vrau Verterin është mungesa e vullnetit për ndryshim.

Sapo Verteri e sheh Sharlotën ai ndjen dashuri për të, dashuri kjo që me kohën kthehet në obsesion ndaj saj dhe lidhja e Verterit me Sharlotën kthehet në lidhje jetësore, pasi për Verterin kuptimi i jetës është vetë Sharlota dhe jeta pa të s’mund të quhet e tillë. Ai dashurohet në Sharlotën edhe pse ajo ka një të dashur, Albertin. Pra, këtu kemi të bëjmë me trinitet dashuror. Rast të tillë trinie kemi edhe në veprën “Getsbi i madh” të Francis Scott Fitzgerald, ku Getsbi bashkangjitet mes Deizit dhe Tomit duke e krijuar kështu trinomin e dashurisë. Për dallim nga Getsbi që është optimist deri në vdekje, Verteri vdes duke qenë pesimist. Getsbi e lufton fatin e tij edhe pse nuk mund ta ndryshojë, kurse Verteri nuk e bën fare hapin për ta luftuar atë. Getsbi vritet, ndërsa Verteri vetëvritet. Goethe përmes vetëvrasjes së Verterit krijoi tiparin se heroi romantik thuajse gjithmonë e ka fundin tragjik, madje shpesh herë edhe duke ia marrur jetën vetes së tij. Në kohën kur u botua “Vuajtjet e djaloshit Verter” shumë të ri të motivuar nga ky roman, e bën model Verterin dhe kryen vetëvrasje. Kështu romani atyre që kishin mëdyshje dhe kalonin thuajse të njëjtat vuajtje si të Verterit ia dha vulën se çfarë duhet të bëjnë me jetën e tyre. Për këtë shkak vepra u ndalua një kohë, por si gjithmonë cenzura dhe ndalimi kryejnë vetëm të kundërten e qëllimit të tyre, ashtu ndodhi edhe me romanin e Goethe-s.

Ndërtimi i personazheve nga Goethe është i atillë që lexuesin e bën të anojë. Lexuesi Verterin nuk e sheh si të keq, ai e arsyeton atë edhe pse ai futet në mes të një çifti, ai e arsyeton atë edhe pse ai është i dorëzuar ndaj fatit dhe nuk ndërmerr asgjë. Lexuesi e arsyeton edhe Sharlotën, e cila është pasive dhe shkak për vetëvrasjen e Verterit, ai e arsyeton atë pasi Goethe e ndërton personazhin e saj si një grua të pafajshme e të sinqertë, andaj lexuesi nuk ka kritika ndaj saj megjithë veprimet që ajo kryen. Në sytë e lexuesit Alberti mund të jetë personazh negativ, por e vërteta është se xhelozia e tij është me vend dhe në çdo veprim e fjalë të tij ai ka të drejtë.

Goethe duket se qëllimshëm me këtë roman e bën ndërrimin e periudhave pasi më parë ai e shkroi “Faustin” si një vepër të fortë klasiciste, kurse më vonë me vetëdije e bën këtë kalesë duke e shkruar romanin “Vuajtjet e djaloshit Verter” me temë të fortë dashurie e që dihet se tema e dashurisë është tema më e trajtuar e autorit romantik. Ndjeshmëria e thellë e personazhit kryesor që është ëndrrimtar aktiv e aktivist pasiv në jetë e bëjnë romanin unik.

Goethe e shpërfaq fatin e individit të ri, individualistit qytetar që kërkon qetësi e lumturi e që rrjedhimisht i bie se e kërkon të pamundurën. Goethe krijon personalitetin e personazhit në atë mënyrë ai të bëhet simbol i gjeneratës së re.

Kështu, romani “Vuajtjet e djaloshit Verter” bëhet njëri nga romanet më të rëndësishëm pas “Don Kishotit”, kurse Goethe bëhet njëri ndër autorët më të rëndësishëm pas Homerit./ ObserverKult