Romani “Krim dhe ndëshkim” bashkë me “Vëllezërit Karamazov”, janë dy nga romanet kryesore jo vetëm të Fjodor Dostojevskit, por edhe të periudhës së realizmit rus e mbarë historisë së letërsisë botërore.
Ardit Mehmetaj
Romani “Krim dhe ndëshkim” trajton jetën e studentit Rojdon Raskolnikov, idetë e tij jetësore, dilemat morale e gjendjen e tij mendore para, gjatë dhe pas krimit që kryen. Romani është shumëdimensional pasi ai përveç vepër letrare, është poaq edhe psikologjik e filozofik.
Rojdon Raskolnikov është student i varfër, por krenar. Është njeri që në vetvete ka cilësi të mira. Ai është i ndershëm, i mëshirshëm, bamirës, por edhe i revoltuar. Me gjithë këto cilësi të mira, ai bëhet vrasës. Ai vret fajdexheshën plakë si dhe motrën e saj, Lizavetën. Vrasjen e parë e kryen me paramendim, ndërsa të dytën detyrohet ta bëjë për ta mbuluar vrasjen e parë. Vrasjen ai nuk e bën për para, sa e bën për ta vërtetuar teorinë e tij, pasi për të njerëzit ndahen në dy grupe: në gjeni dhe morra. Të parët janë njerëzit që vendosën rend të ri shoqëror si Muhamedi, Krishti, Napoleon Bonaparta, etj. Kurse në kategorinë e dytë janë njerëzit që nuk mund ta tejkalojnë dot vetveten. Të parëve u lejohet vrasja, qoftë ta bëjnë vetë personalisht, qoftë përmes dikujt tjetër, ndërsa të dytëve jo. Raskolnikovi i shtyrë nga kjo ide është i bindur se ai nuk është morr, por gjeni. Për ta tejkaluar vetveten i duhet një provë e ajo është vrasja e fajdexheshës plakë. Ai e vret atë, por nuk e tejkalon veten e tij. Teorinë e tij se njerëzit nëse kanë qëllime madhore për të mirën e njerëzimit, atëherë u lejohet edhe të vrasin, ai e kishte shkruar më parë edhe në gazetë e kjo del më vonë si dëshmi kundër tij.
Pra, Raskolinkovi nuk bën krim për një jetë më të mirë, ai kryen vrasje pasi krijon këtë teori që në njëfarë forme ia legjitimon vrasjen atij. Në këtë aspekt Raskolnikovi është makiavelist pasi për të vlen maksima makiaveliane se qëllimi e arsyeton mjetin. Jeta e Raskolnikovit pas vrasjes ndryshon, ai në fillim nuk pendohet por ndjehet çuditshëm. Sekreti i vrasjes, barra e mëkatit, mostejkalimi i vetvetes, teoria e tij që dështon janë vetëm disa arsye që atij ia rëndojnë gjendjen. Raskolnikovi hetohet, por më shumë se hetuesi kryen punë pendimi i tij. Në këtë roman policesk hetimi zë një pjesë të madhe brenda tij, por është ndërgjegjia ajo që ngacmon e bëhet shkak për pendesë. Nëse e shtrojmë pyetjen se a është njeriu aq i fuqishëm sa ta mbajë mëkatin në vete, atëherë Raskolnikovi me sjelljen e tij në heshtje na thotë “jo”.
Ai dorëzohet në polici dhe rrëfehet për krimin e bërë atëherë kur vetëm ka një të dënuar për këtë rast dhe hetimet ndaj Raskolnikovit janë mbyllur. Për këtë arsye ai dënohet vetëm 8 vjet, por edhe per arsyen se psikologët thonë se gjatë vrasjes ai kishte kaluar në çmendi të përkohshme. Kështu i tërë romani ndërtohet si një rrugë e Raskolnikovit për të shkuar tek pendimi. Është krimi i tij që e pret ndëshkimin. E, burgu s’është ndëshkim për Raskolnikovin, ndëshkim për të është liria fizike duke e mbajtur përbrenda vetës sekretin e vrasjes, kështu për të qëndrimi larg burgut nuk bëhet triumf. Pendimi është rruga që ai ndjekë të kalojë nga ndëshkimi tek çlirimi shpirtëror. Kështu, romani përcjell mesazhin se pendimi është zbulimi më i madh njerëzor në qetësimin e ndërgjegjes dhe shpirtërores. Pendimi mposhtë çdo hetues e hetuesi.
Romani përcjellë edhe mesazhe tjera siç është kundërshtimi i martesës për shkak të pasurisë. Martesë të tillë dëshironte të bënte Dunja që është motra e Raskolnikovit e me të pajtohej edhe nëna e tyre. Për Raskolnikovin martesa dhe kalimi i jetës pa dashuri me një person vetëm për hir të pasurisë ishte një lloj prostitucioni në vete. Ai e kundërshton këtë gjë. Raskolnikovi s’është materialist, ai është idealist. Idealisti i revoltuar kundër rendit shoqëror që revoltën e tij e realizon nëpërmjet vrasjes, më vonë pendimin e tij e bën së pari tek Sonja, e cila është e detyruar të punojë si prostitutë për shkak të kushteve të rënda ekonomike. Sonja, e bija e Marmelladovit, me të cilin Raskolnikovi pinte alkool sa ishte gjallë ai, është vajzë e re që me trupin e saj i siguron paratë për mbajtjen e familjes. Në letërsinë shqipe rast të tillë kemi në tregimin “Rrokoll” të Ernest Koliqit në veprën “Tregtar flamujsh”, ku Sila detyrohet të punojë si prostitutë pasi babai i saj Ndrekë Batuçi të gjitha paratë i lë në pijetore. Është Sonja ajo që e shtyen Raskolnikovin që të rrëfehet para policisë, është Sonja ajo që bëhet njeriu më i dashur për Raskolnikovin edhe pse ai në fillim nuk ndjente dashuri për të, më shumë kishte mëshirë për fatin e saj dhe një lloj prehje pasi të dy kishin fatin thuajse të njëjtë. Është Sonja ajo që e bind Raskolnikovin që të besojë në Zot e besimi në Perëndi i jep shpresë Raskolnikovit. Këtu qëndron edhe dallimi mes Mersos së Kamys dhe Raskolnikovit të Dostojevskit. Tek Merso mungon besimi në ekzistencën e Zotit dhe rrjedhimisht jeta dhe ditët e tij në burg kalohen pa shpresë, pa ëndrra, jeta më nuk ka kuptim, kurse tek Raskolnikovi shfaqet besimi në ekzistencën e Zotit dhe rrjedhimisht jeta dhe ditët e tij në burg kalohen më lehtë.
Pra, Raskolnikovi edhe pse i revoltuar, ai në fund pajtohet me këshillat e Sonjës se njeriu sipas mësimeve të fesë duhet të durojë e të përulet, t’i dojë njësoj si të afërmit, ashtu edhe të huajt. Sonja e mëson se njeriu më mirë është ta mundojë vetveten se sa të tjerët. Në fund të romanit janë këto thirrje si për nënshtrim ndaj Zotit, durim e pajtim me fatin dhe jetën që na rrethon.
Romani nëse shikohet dhe analizohet në kontekstin kohor dhe hapësinor atëherë ai është shkruar si një kritikë e fortë kundër rendit carist në Rusi. Heroi i romanit është një figurë e bashkëdyzuar pasi ai në njërën anë urren ligjet antinjerëzore, kurse në anën tjetër ai me vetëdëshirë bëhet një Napoleon i vogël. Përmes romanit Dostojevski përçon atë se në këto shoqëri nuk ekziston mesatarja. Njeriu në këto shoqëri duhet të jetë ose skllavopronar ose skllav, njeriu mund të jetë gjithçka veçse jo njeri. Ai duhet të jetë ose xhelat ose viktimë, pra mesi i artë i Aristotelit këtu nuk ekziston, këtu ekzistojnë vetëm dy ekstremet.
Elementi më i fuqishëm në roman është rrefimi dhe mënyra se si autori përshkruan. Përshkrimi i personazheve, përshkrimi i gjendjes psikologjike të protagonistit, përshkrimi i ngjarjeve dhe hapësirave është aq i fuqishëm saqë bëhet karakteristika kryesore e romanit./ ObserverKult