Recitali i Elsa Lilës, kur do të mbahet dhe çka do t’i sjell publikut?

E ulur, në mes të skenës së festivalit, duke i dhënë zë e shpirt këngës “Evita”, që kishte krijuar vetë e me të cilën fitoi çmimin e parë.

Ky është imazhi i fundit, që mund të kujtojë shumëkush, prej Elsa Lilës e prej dhjetorit të vitit të shkuar. Por që prej atëherë, kanë ndodhur shumë ngjarje të tjera artistike, të rëndësishme e të suksesshme këndej e andej detit, në skenat italiane, si një rrugëtim i pandërprerë i projekteve të mëdha që Elsa po realizon prej vitesh.

Kjo krah artistëve të famshëm, duke sfiduar veten gjithmonë e më shumë, drejt stileve të ndryshme muzikore.

Krahas barok-ut (që s’është aspak i lehtë të këndohet nga një këngëtare si ajo, që është marrë vetëm me muzikë të lehtë, e që nuk ka studiuar në asnjë akademi muzikore), edhe asaj klasike. I tillë ishte turi i koncerteve nëpër qytetet e Italisë, gjatë kësaj pranvere me “Orchestra Notturna Clandestina”.

Apo dhe pjesëmarrja e saj në “Rave di musica classica”, në kuadër të Ravenna Festival, që organizohet prej vitesh nga dirigjenti Riccardo Mutine, ku ishte e vetmja këngëtare, jo e muzikës klasike, krah figurave të mirënjohura në botë si Giovanni Sollima, Giuseppe Andaloro, Francesco Libetta, bass baritoni i La Scala, Nicola Ulivieri etj.

Këndoi aty në zhanrin barok, që ka nisur të eksplorojë që prej 2012-ës, me maestro Giovanni Sollima, për të sjellë mikrorevolucionin e zërave, në Akademine e Santa Cecilias.

Luajti në atë koncert guximshëm me materialin e kompozitor barok anglez Purcell, me “Cold Song” nga opera “King Arthur” të cilës i ndërroi tekstin në anglisht, me poezinë e Fan Nolit “Anës lumenjve”.

Eksperiment që e kishte bërë, me po kaq sukses edhe në ngjizjen e muzikës së Villa Lobos me “Recitalin e malësorit” të Migjenit apo dhe të Mozartit me “Dremit liqeri” të Lasgush Poradecit, material ky që u realizua në recitalin e saj të parë titulluar “Da Bach ai Balcani”. Kjo bëri bujë mediatike në Rai1 dhe fitoi xhiron marramendëse të klikimeve në internet.

Këtë lloj eksperimenti muzikor Elsa Lila ndoshta do ta sjellë edhe në koncertin e saj të 1 nëntorit në Tiranë, ku padiskutim do të përfshihet një pjesë e mirë e repertorit të saj të larmishëm, krijuar në rrjedhë të kaq shumë viteve.

Në atë repertor krahas këngëve të saj historike si “Pyes lotin”, “Vetëm një fjalë”, “Valeria” “Il senso della vita”… hyjnë edhe shumë këngë, që kanë qenë kolona zanore filmash, shqiptarë e italianë.

E fundit, në shkurtin e këtij viti, ishte kolona zanore e filmit “Dive” (e regjisorit Aldo Iuliano, pjesëmarrës këtë vit në shtator 2023, në festivalin e Venecias), por kanë qenë edhe shumë të tjerë, duke nisur që nga 2005, kur Elsa Lila interpretoi pjesë të kolonës zanore të filmit të fundit të Francesco Nutit (si protagonist) “Concorso di colpa”, kompozuar nga Pino Donaggio. Në 2007 kolonën zanore të filmit “Il Gioco” (që mori çmim si “Best film” në Festivalin e Venecias) kompozuar nga Enrico Melozzi; në 2008 interpretoi dhe përshtati në shqip, së bashku me kompozitorin Enrico Ruggeri, këngën “Fluturimi i fundit”, të filmit “Lindje, Perëndim, Lindje” të Gjergj Xhuvanit; në 2016 kolonën zanore të filmit “Penalty” të regjisorit Aldo Iuliano; në 2016 kolonën zanore të filmit të Adriano Giannini “Next Time”-“Sarà per un altra volta”, me muzikë të Enrico Melozzi së bashku me orkestrën sinfonike “Notturna Clandestina” të sapo themeluar asokohe nga maestro Melozzi etj.

Ndërkaq në atë repertor hyn edhe koncerti i saj me RTK-në, organizuar këtë shkurt në Prishtinë, me rastin e pavarësisë së Kosovës.

Në atë repertor hyjnë edhe gjithë materialet muzikore të interpretuara në korrikun e këtij viti në edicionin e parë të “La notte dei serpenti” (dedikuar muzikës tradicionale të Abruzzos që u trasmetua në Rai 1) ideuar dhe dirigjuar sërish nga Enrico Melozzi, ku merrnin pjesë artistë si Giusy Ferreri, Gianluca Grignani, Mr.Rain e krah tyre dhe Elsa Lila që e përloti publikun me një këngë tradicionale abruzzese, “Addio addio amore”.

Tashmë, në atë repertor janë të panumërta, këngët, materialet muzikore, eksperiencat e saj skenike e televizive (edhe si moderatore e dy festivaleve të RTSH-së apo si trajnere në “The Voice of Albania).

Ende nuk dihet se ç’pjesë të gjithë kësaj historie të gjatë suksesi do të sjellë në 1 nëntor, në të parin koncert të saj në Tiranë. Një gjë është e sigurtë: që “Finalmente Elsa”, do të na bëjë të këndojmë me të, por edhe të lotojmë prej emocioneve që do të na ndjellë muzika e saj, në këtë koncert, që i duhej Tiranës.

Ah edhe diçka tjetër është po kaq e sigurtë: se biletat për këtë koncert, tashmë janë online në Vivere.al./gazetatema

ObserverKult


Lexo edhe:

NEXHA REÇICA: ME DRITË DIELLI TË KUJTOJMË NDËR BREZNI

Poezi nga Nexha Reçica

(përkushtim për atdhetarin Adem Gllavica)

E ku ta gjejmë rrugën pos te rrënja jote
E në rrashtën e ADN-së sate të
kujtojmë atdheun.
Kahdo të degdisemi gjaku yt
mbetet arbëror
E kudo të fundosemi prapë fjala jote na mbetet timon.

Kur drita e diellit bënë rreze mbi Arbëri
Vepra jote na bënë me kod të besës
Kujtojmë rrugëtimin tuaj në botën me hile
Veç besa Juaj e dimë se ishte besë At-dheu.

Me dritë dielli të kujtojmë ndër brezni
Si një kala e mbushur me plotë dashuri
E fjalën tënde e kemi bërë një gur besatimi
Kur dielli lind në Gllavicë ka ngrohtësinë tënde.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


PANO TAÇI: NË DERËN E NJË PLAKE TË THINJUR TROKITA…

Poezi nga Pano Taçi

Në derën e një plake të thinjur trokita,
ku shpirtin dikur pata nginjur
e buzët përnrita.

E pashë, më pa,
E njoha, ajo nuk më njohu.
Stapi ku mbështes pleqërinë më ra.

M’u bë se më tha:
– Afrohu…
Kur sy përdhe më pa,
– S’më njeh, i thashë, pa kujtohu?

A s’jam unë që shkëlqeja
si një yll në sytë e tu?
Të rrahurat e zemrës bëra t’ia ndieja,
asgjë, akull, m’u drodh shpresa
kur më tha: Kush je, ç’të solli këtu?
I thashë: – Ndjenja…
Përdore më mori harresa
të të bie në gju
e shpirtin për ç’ti mardh t’ua ngroh.
– Largohu, m’u përgjigj, s’të njoh.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult