Redon Makashi, këngëtari dhe tekstshkruesi i njohur përgjatë krejt karrierës së tij ka sjellë këngë të bukura të cilat vazhdojnë t’i rezistojnë kohës dhe të jenë aq të dashura për dëgjuesit.
Intervistoi Lindita Canolli-Fejzullahi/ObserverKult
Sigurisht që joshja ndaj muzikës ka filluar në fëmijëri, apo jo? Si nisi te ju? Kush ishte ‘juria’ që ju dha lavdatat e para?
Redon Makashi: Fillimisht kanë qenë prindërit që më kanë futur në rrugën e muzikës. Ndërsa hapat e parë kanë qenë që në klasë të parë, kur kam studiuar për piano.
Po në shkallët e skenës, ju kujtohet ngjitja e parë. Cilat ishin emocione që ju kanë mbetur në mendje?
Redon Makashi: Shkallët e skenës i kam ngjitur në vitin 1989 në një festival kombëtar. Aty kemi marrë çmimin e dytë. Ka qenë kënga ‘Jemi në zemrat e çdo moshe’. Kjo këngë ka qenë e Pirro Çakos. Ai ka qenë atëkohë student e unë nxënës.
Normalisht kemi pasur emocione sepse kemi qenë të rinj diku 17-18 vjeç. Përpara kishim shumë publik në Pallatin e Kongreseve. Është si të thuash nga bankat e shkollës menjëherë të përfundosh në një ambient aq të madh, me një publik po ashtu shumë të madh. Publiku jonë kanë qenë shokë tonë të shkollës.
Po ta bëj krahasimin e daljes së parë dhe daljet në skenë tani, lirisht mund të them se kam më shumë emocione tash. Kjo sepse rritet përgjegjësia. E çuditshme, dal shumë shpesh në festivale, por gjithmonë e kujtoj daljen e parë, si ‘dashuri e parë’.
Jeni rritur në një familje artistësh, a ka qenë dëshirë edhe e prindërve të merreni me muzikë, apo është krejtësisht vendim që ju e morët vet?
Redon Makashi: Normalisht se ka qenë dëshirë e prindërve. Çdo prind gjithmonë synon që në profesionin e tij ta fusë edhe fëmijën. Por, normalisht nëse s’do të kisha talent nuk do të isha futur në këtë rrugë. E as ata nuk do të insistonin.
Të jesh pjesë e një familjeje të tillë lehtëson rrugëtimin, ambiciet, apo vëshirëson sepse kriteret e kërkesat vendosen që në shtëpi?
Redon Makashi: Sigurisht që ma ka lehtësuar rrugëtimin. E kupton, një vërejtje…një gjë ndikon. Ata e kanë njohur këtë profesion dhe kanë reaguar kur diçka nuk ju ka pëlqyer ose kanë dhënë këshilla.
Kultura jonë muzikore ka qenë që dëgjonim muzikë të mirë. Po ta shohësh kohën e sotme nuk ekziston kjo gjë. Ka konsum të shpejtë. Habitem sepse atëherë në fillet e mia nuk na linin të dëgjojmë muzikë ndërsa sot dëgjohet… por nuk dëgjohet muzikë e mirë.
Keni studiuar për piano, ku keni luajtur me pasion. Pastaj keni studiuar për klarinetë, derisa të vlerësojnë se luani mjaft bukur me kitarë. E gjitha kjo kombinuar me këndimin. Cila është ndjenja?
Redon Makashi: Kam luajtur me kitarë dhe piano. Klarinetën e kam mësuar qysh në shkollë. Luajtja me kitarë, piano më ndihmojnë për të kompozuar. Kjo sepse i bëj vetë të gjitha. Po t’i vësh re, fryma e një kënge që bëhet me piano është tjetër frymë, kitarë është tjetër frymë. Nuk dua ta përsëris veten edhe në të kompozuar. Secila e ka jetën e vet.
Ndjej kënaqësi. Krejt kjo punë që bëj në muzikë nuk është veç profesion por një lloj jetese. Kjo sepse një muzikant që krijon është si shpikës. Është e drejta e autorit prandaj, por që tek ne nuk ekziston fare kjo gjë.
Keni marrë pjesë në shumë Festivale. Cili është raporti juaj me Festivalet?
Redon Makashi: Festivalet për mua kanë qenë si shtëpia, ose pjesa ku reklamoj gjënë time. Një vend ku këngën që e këndon ti e dëgjojnë, e shohin mbarë shqiptaria. Ndryshe nga kjo është një videoklip ose një koncert. Ndërsa festivalet i ndjekin krejt para ekranit. Ose si një ndeshje futbolli që e shohin krejt dhe e presin fundin kush e merr shpërblimin.
Po me çmimet?
Redon Makashi: Te pjesa e çmimeve, kjo është pak për të qeshur. Kjo sepse unë zakonisht i kam marrë çmimet e dyta.
Ndodh që edhe kemi pasur përplasje në emisione kur kemi folur për çmimet. Kur hyn në një festival, hyn për të fituar një çmim, se është një garë. Nëse nuk hynë për çmim mos u fut fare. Ata që thonë nuk hyj për çmim nuk janë fare të sinqertë.
Edhe festivali është një garë, garojnë për çmim. Unë hy në garë për të fituar. Dhe këtë e pranoj. Bëj mundin në një këngë, bëj diçka të bukur dhe synoj çmimet.
Nuk mund ta harrojmë Grupin “Arb”, cili ishte rrugëtimi?
Redon Makashi: Grupi “Arb” ka pas qenë krijuar në vitet 90-ta. Kemi kënduar këngët me këtë grup “Dikur luaja me ndjenjën e saj”, “Lot në shi”, e të tjera… Kanë qenë disa materiale që kanë bërë bujë në atë kohë. Grupi ndahej, pastaj bashkohej. Kënga e fundit ka qenë “Ekziston” dhe “Më lër të flej”. Këtë të fundit e kemi kënduar te Ardit Gjebrea atë kohë. Mblidheshim për të bërë një gjë të bukur, derisa sot jemi të ndarë… dikush jashtë vendit, dikush familjar me obligimet e veta…Nuk jemi ndarë se kemi pasur probleme. Deri në ‘95 ka qenë grupi. Por pastaj bashkëpunonim, ndaheshim sepse secili pas punëve të veta.
Përgjatë rritjes e formimit profesional, a keni patur ndonjë model, ndonjë idhull?
Redon Makashi: Po sigurisht. Paul McCartney gjithmonë. Pastaj ‘Beatles’ që kam qenë i apasionuar. I kam dëgjuar shumë shpesh, më pëlqejnë kombinimet e zërave. Edhe kur kam kompozuar mendoj për zërat. Dikur kam pas qenë i apasionuar pas tyre, por pastaj fillon krijon figurën tënde dhe nuk është që ndikohesh nga ta.
Keni pasur shumë bashkëpunime me tekstshkrues dhe këngëtarë të ndryshëm. Cili është bashkëpunimi juaj më për zemër?
Redon Makashi: Bashkëpunime për tekste kam pasur me Timo Flloko. Kemi pas një duet me Pirro Cakon. Me Pirro Çakon vazhdoj të kem atë marrëdhënien shoqërore të mirë që e kemi pasur nga fillimi.
Viteve të fundit ju shohim bashkë me Gjokën dhe Dedën në skenë. Çfarë ju përbashkon?
Redon Makashi: Me Aleksandër Gjokën e Elton Dedën dalim e këndojmë bashkë, por edhe në aktivitetet veç e veç.
Keni një jetë në skenë, përherë i dashur për publikun. Sa është e vëshirë mbijetesa në një treg të egër muzikor?
Redon Makashi: Fati jonë me këtë lloj muzike që bëjmë në Shqipëri është se kemi dalë në vitet 89/90. Nëse ne me këtë muzikë do të dilnin këtë kohë, pra tash… do të ishim të mbaruar, sado muzikë të mirë të bësh.
Por, është firma apo vula që është vënë dikur, që njerëzit janë të interesuar, brezi i ri mosha jonë. Ne kemi rritur tre breza me muzikën tonë. Kur del Redoni në skenë shohin dhe thonë ‘prit çfarë ka bërë ai. Po të dilte një Redon sot as që do t’i vinte në mendje njeri. Duhej të bëj tallava që ta dëgjonin njerëzit. Po të bëj muzikë të mirë do të dëgjonin njëherë dhe do të zhukesha. Fati jonë që kemi dalë në vitet e 90-ta në skenë. Dhe puna e mirë është që i kemi rezistuar kohës. Mund të dalësh njëherë tash dhe zhdukesh.
Në aktivitetet tona ku shkojmë vinë edhe 18 -20 vjecar. Por mos harro, kemi edhe pseudoartistë që janë të këqinj si shpirt, si njerëz. Janë bërë si hienat shumë që të kafshojnë. S’ka një dashamirësi nga ata. Kudo në botë ka të tillë por këtu e kanë egon.
Por po e ritheksoj se një artist kur e ka sigurinë e vet në atë çfarë bën nuk ka frikë. Një muzikant i vërtetë që ka siguri ecën me hapa të sigurt.
A keni patur ndonjë moment të vështirë, moment zhgënjimi me rrethanat, kontekstin, kur mund t’i keni thënë vetes, mjaft, nuk i takoj këtij vendi, kësaj kohe etj?
Redon Makashi: Momente zhgënjimi gjithmonë kanë ekzistuar. Kam pasur kësi lloj raste …nuk mund ta mohoj. Por, ka pasur një anë, medalje tjetër sepse më ka bërë të fortë për të bërë një gjë më të mirë. Kam parë shumë artistë që kanë qenë të mirë në Shqipëri, por që kanë dalë jashtë shtetit dhe kanë përfunduar me një profesion krejt tjetër. Shumë artistë të mirfilltë kanë përfunduar keq.
Por nuk duhet dorëzuar. Po krijove bukur, lufton, tregon dhe vazhdon. Po të dha medaljen populli, ti pastaj veç vazhdon.
Çka ju frymëzon? Kush është muza juaj?
Redon Makashi: Muza ime është jeta e përditshme, i shkruaj tekstet vet dhe marrë çka shoh nga jeta e përditshme. Nuk flas shumë në përgjithësi por vetëm ‘blej’. Atë lloj ‘blerje’ e shpreh në këngë.
Por ju i keni kënduar shumë dashurisë?
Redon Makashi: Po, edhe dashurisë i kam shkruar, kënduar.
Dashuria është një ndjenjë që i përshtatet çdo lloj kohe. Një 18 vjeçar e shijon këngën që flet për dashuri pavarësisht që unë jam mbi 50 vjeç që e shkruaj, e këndoj.
Çka e bën një artist?
Redon Makashi: Kultura e formon një artist. Dëgjimi muzikor, familja, shoqëria. Janë shumë faktorë që të ndihmojnë të bëhesh një personazh i dashur.
Dhe për fund, çfarë i keni dhënë e çfarë ju ka dhënë muzika?
Redon Makashi: I kemi dhënë njëri- tjetrit shumë. Edhe unë asaj edhe ajo mua.
Muzika është e dashura ime. Më ndihmon edhe kur jam keq. Muzika është ajo e dashura, pa fjalë që të jep vetëm forcë./ObserverKult
Lexo edhe:
REDON MAKASHI FLET PËR KËNGËN QË DO E PËRFAQËSOJ SHQIPËRINË NË EUROVISION
Mbrëmë në Liverpul është mbajtur gjysmëfinalja e parë e festivalit evropian të këngës ‘Eurovision 2023’.
Ndërsa gjysmëfinalja e dytë e Eurovisionit mbahet nesër, në të cilën do të interpretojë edhe Albina Kelmendi dhe familja e saj që e përfaqësojnë Shqipërinë me këngën “Duje”.
Lidhur me përfaqësimin e Shqipërisë në këtë festival foli për “ObserverKult” kantautori i njohur shqiptar, Redon Makashi.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult