Aktori i madh francez, Gérard Depardieu, do të luajë në filmin e regjisorit nga Prishtina, Arben Kastrati “Millosheviqi dhe unë”, i cili ka zgjedhur qytetin e gurtë të Gjirokastrës për shesh xhirimi.
Lajmi u bë i ditur nga deputetja e Partisë Socialiste, Mirela Kumbaro, e cila ka takuar aktorin e madh bashkë me kryetarin e bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi.
“Në Gjirokastrën e historisë, të kulturës por edhe të skenografisë gjithmonë e më të të kërkuar të kinemasë, mirëpritëm të famshmin Gérard Depardieu, bashkë me kryetarin e bashkisë Flamur Golemi”, shprehet Kumbaro.
Deputetja thekson se “gjëra të mira shumë po i ndodhin Gjirokastrës që kulturën nuk e ka vetëm histori, por edhe frymë të ditës”.
Filmi i Kastratit është bashkëprodhim i regjisorit me Francën dhe përbëhet nga një kast i shkëlqyer aktorësh, si: Gerard Depardieu, Alessandra Martines, Pamela Boëen, Nathalie Boyer, Xhevdet Doda, Afrim Kasapolli etj.
Ndërkohë në një intervistë të pak muajve më parë, regjisori nga Kosova tregon se “përvoja profesionale dhe jetësore e Depardieu-në, padyshim e bënë jashtëzakonisht të veçantë. Ai është shumë i informuar me politikën globale. Natyrisht, ai kishte njohuri edhe për Kosovën. Dhe për Milosheviçin”.
“Ngjarja e filmit ndodh në vitin 2003. Është periudha e pasluftës, kur e gjithë popullata kolektivisht ishim të dehur nga liria. Në atë periudhë kohore, qarkullonin rrëfime nga më të ndryshmet dhe Heroi i filmit tim, ka dëftimin e tij. Një dëftim sa tragjik aq edhe komik”, është shprehur regjisori Skënderi./atsh