Rekomandime leximi nga Anton Pançev

anton panchev

Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir albanologun Anton Pançev.

Ja cilat janë tri librat që Pançevi u sugjeron të pasionuarve pas leximit.

______________________________________

Do t’i filloj rekomandimet e mia me një përgjigje tepër banale – është shumë e vështirë natyrisht të tregoj cilët janë librat e mi të preferuar. Prandaj, do të përdor një kriter, i cili së paku do të më lejonte deri diku ta ngushtoj hapësirën e librave që më kanë pëlqyer dhe më kanë ndihmuar në zhvillimin tim intelektual. Do të flas për disa romane që kanë shtuar interesimin tim ndaj historisë, më kanë mahnitur me përshkrimet e ngjarjeve historike, por edhe i kanë zhvilluar konceptet e mia për vlerësimin e proceseve historike.

Nga Anton Pançev

Nuk do të ishte fare diçka e papritur që në vend të parë për mua është romani “Lufta dhe paqja” nga Lev Tolstoj. Isha fëmijë, ndoshta në klasën e katërt, kur e lexova dhe për herë të parë në jetën time isha i shtyrë që të mendoja për arsyet dhe pasojat në procesin historik, për vazhdimësinë e proceseve, për fatin e popujve. Tolstoj kishte shpjeguar në mënyrë të shkëlqyeshme si fati i popujve varet nga vendimet dhe nga veprimet e një grushti njerëzish, nga niveli i aftësive të tyre. Sipas meje pikërisht mendimet mbi kuptimin e historisë në sfondin e trazirave të mëdha e bëjnë të pazëvendësueshëm romanin e Tolstojit.

Më kanë mahnitur edhe romanet e Ismail Kadaresë, si në këtë kontekst mund të përmend “Kështjella”, sepse këtu bëhet fjalë për qëndresën e një bashkësie të vogël kundër një fuqie të madhe që e pushtonte tokën e saj dhe dëshironte me forcë t’i impononte rregullat, kulturën dhe modelin e saj. Ky komunitet nuk i kishte pasur resurset e nevojshme për ta ruajtur pavarësinë dhe modelin e jetesës, por nuk u përkul ndryshe nga popujt e tjerë ballkanikë që i kishin pasur mundësitë më të mëdha njerëzore. Më ka bërë përshtypje të madhe kjo fjali: “Në rrugën e hordhisë së çmendur gjithmonë duhet të çohet dikush dhe këtë herë koha na zgjodhi ne”. Kadareja tregon në mënyrë mbresëlënëse se edhe popujt “e vegjël” e kanë misionin e tyre në botën e madhe dhe mund të mbrojnë identitetin dhe vlerat e tyre me përkushtim të paparë.

Romanin e tretë nga fusha e historisë që do ta rekomandoja do të ishte një roman bullgar, p.sh. “Kapiten Petko Vojvoda”, por më duket se nuk është përkthyer në shqip dhe as në shumë gjuhë të huaj. Për këtë arsye, do të doja që të rekomandoj një roman me stil të ngjashëm – “Lundërtari i Danubit” (Le Pilote du Danube) nga shkrimtari francez Jules Verne. Ky roman më pëlqen jo vetëm, sepse personazhi kryesor ka qenë një bullgar, por edhe për shkak të përshkrimit të njeriut me shpirt të fortë që nuk dorëzohet kurrë pavarësisht rrethanave të rënda dhe problemeve të shumta me të cilat ballafaqohet. Është një roman për dhuntinë fizike dhe morale të individit që ishte gati për sakrifica të mëdha në emër të Atdheut dhe të familjes duke e mos humbur shpresën edhe në çastet më të vështira.

Pra, mund të rekomandoj tre libra, në të cilët mund të gjeten gjëra të ndryshme sipas preferimeve të adhuruesve të romaneve me tema historike – mendime dhe analiza për procesin historik, lufta e vetëmohuese e një populli dhe trimëria e individit. Lexim të këndshëm!         

ObserverKult