Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir poetin Arti Lushi.
Ja cilat janë tri librat që Lushi u sugjeron të pasionuarve pas leximit.
______________________________
Libri është Dashuri.
Ngado që ta marrësh. Premtimin “në të mirë e në të keq” që partnerët i bëjnë njeri-tjetrit në altar, libri e përmbush më së miri, madje e tejkalon.
Nga Arti Lushi
Libri na shërben për të njohur veten, botën, botën nëpermjet vetes dhe veten nëpërmjet botës. Dhe nëse në përgjithësi kemi artin për të mos vdekur nga e vërteta, librin e kemi për të mos vdekur fare.
Duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës së ObserverKult, do mundohem shkurtimisht të sugjeroj tre dashuri:
1. Udhëtim në fund të natës nga Louis-Ferdinand Celine
Një libër dashuri që i rikthehem herë pas here. Gjithçka që kërkoj në një roman i gjej aty. Njeriu, fati, absurdi, sakrifica, aventura… të gjitha të trajtuara me një stil të jashtëzakonshëm dhe me një humor të zi që të mban mbërthyer deri në fund.
Anti-heroi, Bardamy, një kut vërtetësie i njeriut.
Udhëtimi, një kryevepër.
2. Pape Satan Aleppe nga Umberto Eco
E cilësuar si kënga e mjellmës së autorit, pa drojë mund të them që është një ndër librat që më ka edukuar dhe zbavitur, njëherësh, pa masë.
Një kronikë e shoqërive të lëngshme, koncept i huazuar nga Hobsbawm, libri është i ndarë në zarfe, ku trajtohen çështje dhe dukuritë nga më të ndryshme.
Art, fe, sociologji, filozofi, shkencë, teknologji, politikë e shumëçka gjenden në këtë libër të mrekullueshëm.
3. Eshtra sepiesh nga Eugenio Montale
Poezia është një ndër dashuritë dhe vokacionet më të medha, dhe pikërisht magjia e këtij libri më bëri të dashuroj poezinë.
Montale, një gjeni.
ObserverKult