
Në rubrikën Rekomandime leximi, mysafir i ObserverKult është shkrimtarja, Anila Toto. Ja cilat janë librat që Toto u sugjeron të pasionuarve pas leximit.
—————————————————
Të rekomandosh dikë të lexoj libra është një mision i vështirë në kohën e sotme pasi bota është kaq e pasur me libra dhe autorë sa shpeshherë nuk arrijmë të ngopemi e lexojmë me etje çfarë na del para për të kuptuar të ndryshmen, për të ndjerë të kundërtat, për të zbuluar diçka aq të veçantë sa ta bëj botën tonë të brendshme dhe të jashme të ndryshojë disa çaste e ndoshta edhe përgjithmonë.
Nga Anila Toto
Edhe pse Platoni e pranoi fuqinë e fjalës së shkruar për ta ruajtur urtësinë ndër breza, për Aristotelin, edukimi i shpirtit përmes leximit ishte thelbësor për të arritur eudaimonia – përmbushjen njerëzore. Ndërsa për Immanuel Kant “Leximi na mëson të mendojmë; të dëgjuarit na mëson të bindemi.”
Le të mos zgjatem e të filloj me sygjerimet e mia të cilat shpresoj të prekin ata njerëz që ngjasojnë sadopak me shijet e mia të të lexuarit.
“Zahiri” nga Paulo Coelho
Libri “Zahiri” i Paulo Coelhos është shumë i përshtatshëm për ta lexuar në ditët e verës dhe është botuar në shqip nga Shtëpia Botuese Dituria.
Flet për humbjen dhe kërkimin e vetes – një temë që shumë gra në këtë etapë të jetës e përjetojnë thellë kur fëmijët janë rritur, marrëdhëniet kanë ndryshuar dhe vjen momenti i pyetjes “kush jam unë tani?”
“Zahiri është libër i njohur, shumë i shitur dhe emocionalisht i thellë, librin e merr në dorë dhe bëhesh rob i tij deri në çastin që e mbaron. Është i mbushur me emocione dhe me mesazhe të mëdha të jetës dhe botës femërore.
I shkruar në stil të thjeshtë, Zahiri simbolizon diçka që të bllokon shpirtërisht dhe është një udhëtim shpirtëror, fizik dhe emocional dhe sjell reflektim mbi lirinë, martesën, humbjen, ripërtëritjen.
“Nëna dhe djali” nga Christiane Olivier
Libri i dytë që mendoj se mund ta rekomandoj është “Nëna dhe djali” i shkruar nga Christiane Olivier, psiko-analiste dhe shkrimtare franceze. Në këtë libër shprehet evolucioni i lidhjes emocionale – nga fëmijëria në adoleshencë e pjekuri, ku ndjenjat dhe varësia ndërrojnë formë. Një libër i dashur për çdo nënë, tregues, informues, psikologjik. Një luftë e madhe për birin që përpiqet të formësojë veten jashtë imazhit të nënës. Oliver u bë e njohur për vështrimin e saj me theks mbi marrëdhëniet nënë-fëmijë kundrejt traditës frojdiane. Romani përfshin ne vetvete elemente psikologjike dhe trajtime me nuanca që pasqyrojnë bindjen e saj sesi marrëdhënia me nënën formëson ndërtimin psikik. Prandaj ky libër është i dashur për të gjitha nënat që lexojnë.
“Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” nga Sami Frashëri
Libri i tretë shumë i dashur për mua është “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” me autor Sami Frashërin i botuar më 1899, në gjuhën turke.
Duke u nisur nga viti i botimit natyrisht është një libër i botuar edhe shqip dhe prezanton një manifest politik dhe ideologjik për vetëdijesimin e shqiptarëve si komb më vete.
Për mua ky libër ndikon shume në ndjenjat patriotike dhe vetëdijen se kombi ka nje histori, përmbajtje dhe ka në vetvete përshkrim historik dhe etnografik i shqiptarëve, me theks tek lashtësia ilire, gjuha, zakonet dhe burrëria e tyre. Jam sinqerisht shume e dashuruar me këtë libër sepse më bën të ndihem krenare dhe njëkohësisht jep mesazhe të forta se: Kombi shqiptar ekziston dhe ka të drejtë për shtetësi dhe se pa shkollë shqipe, s’ka atdhe. Por mbi të gjitha se: Arsimi është çelësi i çlirimit dhe përparimit. “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” është zëri i një mendimtari dhe rilindasi shqiptar që e deshi atdheun jo vetëm me zemër, por me mendje të ndritur. Është një libër që flet për ne, për rrënjët tona dhe për detyrën që kemi ndaj së ardhmes, prandaj mendoj se duke e lexuar ne do të mundemi t’u japim përgjigje edhe brezave.
ObserverKult
Lexo edhe: