Rekomandime leximi nga Dashamir Malo

Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir poetin Dashamir Malo.
Ja cilat janë tri librat që Malo u sugjeron të pasionuarve pas leximit.

Të flasësh apo shkruash për librin nuk do të ishte e mjaftë as koha as letra. Në këtë stad zhvillimi që ka arritur shoqëria njerëzore ku burimet e informacionit, falë zhvillimit të industrisë elektronike, janë kaq të shumta, lind natyrshëm pyetja: Po me librin ç’ bëhet? A e ka humbur ai rëndësinë e tij?
Unë them se jo. Unë them se magjia e librit nuk është zbehur dhe nuk do të zbehet. Libri është mitik dhe kështu do mbetet edhe sikur në një të ardhme njerëzimi nuk do të shkruajë në letër, por nëpër plazma paisjesh elektronike. Kur shoh të rinj që kanë interes për librin dhe veçanërisht për letërsinë ndjehem vërtet i ngazëllyer.
Duke shprehur falenderimet e mia për rubrikën tuaj, në vëmendje të të cilës është pikërisht libri, padyshim nuk do të guxoja t’i orjentoja apo diktoja askujt shijet e leximit. Ato janë të ndryshme tek njerëz të ndryshëm.  Thjesht do të risjell këtu tre tituj librash që mendoj se ia vlen të lexohen.

1.Përmbledhja poetike “Udha” e Xhevahir Spahiut

Meqë kjo intervistë po merr udhë, po e filloj pikërisht me një libër me titull “Udha”, përmbledhje poetike e poetit Xhevahir Spahiu. Mund të kisha zgjedhur poetë të shquar nga letërsia botërore. Zgjodha këtë autor shqiptar me bindjen se poezia jonë, sidomos ajo e pas viteve nëntëdhjetë, është njësoj dinjitoze si poezia që lëvrohet kudo në botë dhe ka poetë në mbarë hapësirën shqipfolëse poezia e të cilëve është universale. E tillë mendoj është edhe poezia e Xhevahir Spahiut. Ajo nuk është është e mirë vetëm për faktin se kur e lexojmë na kënaq shijet tona estetike, por mesazhi që ajo përcjell është i përbotshëm, sepse e tillë është në vetvete poezia, e përbotshme. Nisur gjithashtu nga globalizmi dhe komunikimi që kemi sot me njëri- tjetrin dhe duke parë sidomos turravrapin e shumë njerëzve për t’u bërë  me domosdo poetë, do desha sadopak t’u zgjoj kërshërinë jo duke dhënë domosdoshmërisht rekomandime për lexim, por të mundin, në mundshin të orientohen drejt poezisë me vlera.

Përmbledhja poetike e cila përbëhet nga dy vëllime; Udha I dhe Udha II është një përzgjedhje e krijimtarisë pesëdhjetë vjeçare të këtij autori.
Vëllimi i parë përmban bashkëlidhur tekstit poetik  një koleksion grafikash me portretin e poetit, krijuar nga piktorë të ndryshëm. Vëllimi i dytë, përveç krijimtarisë poetike të përzgjedhur që ka shkruar autori në vite, përfshin edhe  pesë dorëshkrime të autorit, duke i dhënë kësaj përmbledhjeje dhe një vlerë të vecantë.
Rugëtimi poetik i Xhevahir Spahiut fillon që në vitin 1963. Spahiu ka qënë një antikonformist i pabindur.  Një poet rrebel.  Kjo ka bërë që poeti të mos ketë qasje me pushtet të cilat venë e vinë, ndërsa poezia mbetet.
Xhevahir Spahiu cilësohet si nga poetët  më të mirë që ka Shqipëria, metaforat e tij janë të fuqishme poezia e tij të trondit. Aq e vërtetë është kjo sa poezinë e tij në vitet shtatëdhjetë e shihnin si poezi që rrezikonte të sillte furtuna kah perëndimi në ishullin e izolimit që ishte future Shqipëria.
Për poezinë e Xhevahir Spahiut dhe vendin që zë ajo në poezinë shqipe, por edhe më gjerë, kanë shkruar plot kritikë, studiues dhe poetë. Dhe midis tyre do të veçoja akademikun, studiuesin e letërsisë dhe folklorit shqiptar, Robert Elsie, i cili thotë: Xhevahir Spahiu nuk është poeti-murg, asketi i destinuar në dhoma të mbyllura e vetmie mendimesh.  Poezia e Xhevahir Spahiut, e këtij “enfant terrible” të letërsisë shqiptare është e fuqishme dhe solide, por njëkohësisht është poezi e ngjyrimeve dhe shkallëzimeve kuptimore.

2. Romani “Zorba” i Nikos Kazanzaqis

Kazanzaqi është një  personalitet shumëplanësh të kulturës moderne greke dhe jo vetëm; poet, prozator, eseist, kritik letrar, publicist, filozof, përkthyes  letërsie dhe dramaturg. Kazanzaqi është vazhdues i denjë i një shkolle të madhe letrare që i ka rrënjët në antikitet e që vjen deri në shekullin e XX me emra të shquar në prozë, teatër e poezi, si K. Palamas, K. Kavafis, J. Seferis, O. Elitis, J. Ricos, V. Vasilikos etj.
Ky roman është cilësuar si një ndër njëqind romanet më të mira të letërsisë botërore. Në këtë roman lexuesi, do të tentojë të gjejë, përgjigjet për kuptimet filozofike të lirisë dhe ekzistencës njerëzore. Romani “Zorba”, hyn në fondin e atyre veprave të letërsisë europiane që shpalosin thelbin e lirisë së individit dhe klithmën e tij për të shembur barrierat që e kufizojnë dhe e pengojnë këtë liri. Ky roman, që e bëri të pavdekshëm emrin dhe personalitetin letrar të Kazanzaqit, ndoshta përbën një rast unik ku autori dhe personazhi janë aq të lidhur e të shkrirë me njëri- tjetrin. Autori është shprehur, nëse do t’i kërkohej një prijës shpirtëror nga e gjithë bota, do të zgjidhte “pa mëdyshje Zorbën”.

Zorba, personazhi kryesor i romanit lindi nga bota reale dhe u ravijëzua dalëngadalë si një mit në ndërgjegjen e shkrimtarit. Sot Zorba apo Zorba Grek, siç i thonë ndyshe është kthyer në një simbol që përgjithëson njeriun modern, grekun, ballkanasin bashkëkohor, që kërkon të jetojë çdo çast të jetës së vet duke rrëzuar tabutë dhe hipokrizitë nacionaliste.
Boshtin kompozicional të romanit e përbën kontrasti mes dy protagonistëve; Zorbës, këtij bohemi me shpirtin e aventurës, të etur për t’i thithur deri në fund të gjitha kënaqësitë dhe ëmbëlsinë që mund të të dhurojë jeta dhe përballë shkrimtari- asket, intelektuali, që hesht dhe mahnitet përballë tij.
Të dy personazhet janë një përsosmëri e të kundërtave;  Zorba, ky burrë tipik ballkanas, që priret drejt aventurës dhe veprimit, që kërkon ta jetojë jetën dhe shkrimtari që kërkon ta shpjegojë atë përmes librave. Zorba praktik do ta ndihmojë shkrimtarin të zbulojë përmes natyrës së tij të thjeshtë misteret e botës.

Në mbyllje do doja t’i drejtosha atij lexuesi që mund të më kuptojë; bëj vetëm një përpjekje të vogël, fillo të lexosh faqen e parë te Zorbës, do ta shohësh që do të të përpijë dhe do të jetë nga ato romane që do të të mbetet përherë në kujtesë.

3. Romani “Viti 93” i Viktor Hygos

Viktor Hygo, është cilësuar kolos jo vetëm i letërsisë franceze, por edhe  asaj botërore. Romancier, poet, dramaturg, eseist. Është quajtur ndryshe edhe si babai i romantizmit.
Ai shkroi romane dhe poema, te cilat përfshinin çështje politike dhe filozofike të historisë së asaj periudhe, i trajtoi ato me një stil të lartë dhe finesë, nuk është aspak i mërzitshëm edhe pse shpesh ndalet në detaje. Gjithmonë ke diçka për të reflektuar mbi atë që trajton me aq mjeshtëri Hygoi, mjafton vetëm një citat, fragment i hasur ne shkrimet e tij , që të të fusë në një vorbull mendimesh.
Viti 93 është romani i fundit i shkrimtarit francez Victor Hugo. Botuar në 1874, tetëdhjetë vjet pas përmbysjes së përgjakshme të Komunës Paris të Revolucionit Francez, romani ka të bëjë me Revoltën në Vendé dhe Chouannerie – revoltat kundër-revolucionare në 1793 gjatë Revolucionit Francez. Ai është e ndarë në tri pjesë, por jo në mënyrë kronologjike; secila pjesë tregon një histori të ndryshme, duke ofruar një pamje të ndryshme të ngjarjeve të përgjithshme historike. Aksioni zhvillohet kryesisht në Brittany dhe Paris.
Tre protagonistë kryesorë që mbajnë qëndrime të ndryshme ndaj etikës së konfliktit janë Lantenak, Govemni dhe Simurdeni. Në hapje të librit, në anije takohemi me një nga përsonazhet. Ai është Marquis de Lantenak, një fisnik britanik, i cili maskohet si fshatar pasi zbarkoi në bregdetin perëndimor. Misioni i tij, i cilin ai e ndjek me një mendje të pamëshirshme, është të veprojë si një udhëheqës i rebelëve, t’i shfrytëzojë ata për kauzën mbretërore dhe të krijojë një mundësi për një pushtim ushtarak anglez. Lantenak “gjithmonë ka jetuar në Versajë” (f. 251). Na është thënë që ai nuk di asgjë nga njerëzit e Britanisë dhe nuk i intereson asgjë për ta; gjithçka që ai dëshiron është të rivendosë regjimin e vjetër, monarkinë e tij, klerin e tij (megjithëse ai vetë është një skeptik fetar), dhe të shkatërrojë revolucionarët, të cilët i largon me përbuzje si budallenj dhe zuzarë. Kundër Lantenak është ngritur nipi i tij i madh, Goveni, i cili ka hequr dorë nga trashëgimia e tij fisnike dhe ka përqafuar kauzën republikane. Goveni komandon trupat republikane të ngarkuara për  ndjekjen kapjen dhe vrasjen e Lantenakut. Protagonisti i tretë është Simurdeni, dikur një prift dhe mësues i Govenit, tani një revolucionar i zjarrtë. Ishte në sajë dhe për meritë të Simurdenit kur Goveni së pari mësoi idealet politike që ai i adaptoi dhe bëri të vetat. Simurdeni ka një sekret, një pikë të dobët në armën e tij ideologjike që zotëron, sepse ai e do Govenin, e ka dashur që nga fëmijëria, si djali që ai vetë nuk e ka pasur kurrë. Simurdeni është dërguar nga udhëheqësi revolucionar, Marat, si një agjent special në Vendé për të siguruar që Goveni të mos lëkundet në besnikërinë e tij, sepse Marat ka dëgjuar thashethemet shqetësuese se Gauvain mund të jetë i aftë për mëshirë, dhe udhëheqësit revolucionarë e shohin këtë si një kardinal sin. Skena është vendosur më pas për një konflikt të luajtur si në peizazhin breton, ashtu edhe në mendjet dhe zemrat e këtyre tre protagonistëve.

Po unë nuk do doja ta ndiqja deri në përmbyllje rrjedhën e ngjarjeve. Le ta ruajmë disi të pazbuluar magjinë e rrëfimit, për ata që nuk u ka rënë në dorë ky libër, magjinë e rrëfimit që dinë ta bëjnë vetëm kolosë të letërsisë si Viktor Hygo./ ObserverKult