Rekomandime leximi nga Erina Çoku

Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafire poeten Erina Çoku.
Ja cilat janë tri librat që Çoku u sugjeron të pasionuarve pas leximit.

I dashtun lexues, kur u ftova për të marrë pjesë në këtë rubrikë, librat e lexuar prej meje, u çuan ajri në mendjen time. Mozaikë, tre e nga tre, fluronin në ajër, duke i lënë a zënë vendin njëri-tjetrit.

Tre cilët tre? Tre libra që më kanë shenjuar mua si person? Tre që kanë shenjuar krijimtarinë time? Tre që më kanë shpëtuar? Tre që kanë bërë zbulesë për mua? Tre që janë bërë bazë për mua si krijuese? Tre libra nga autorë shqiptarë? Tre nga të huaj? Tre…?

Nga Erina Çoku

Shpirti i njeriut është lindur udhëtar, ai gjithmonë synon të mbërrijë diku. Kërkon dyer, dritare, të çara për të dalë. Dhe është gati për hulumtimin e radhës. Diku, diçka, ndokënd. Lexojmë që mendja jonë të udhëtojë, të zgjerohet, të shkojë (madje edhe atje ku trupi nuk mund të jetë), të zbulojë të renë, të ngushëllohet me të vjetrën dhe të marrë fuqi që më parë as i kishte llogaritur.

Bota vjen më afër, kur mendja udhëton shumë larg.

Dija, ndjesia, njohuria që merr në një komunikimin aq intim, siç është ai me librin, mbeten të pakrahasueshme, sido të zhvillohet teknologjia.

Marrëdhëniet me librat janë po aq të ndërlikuara sa edhe vetë marrëdhëniet njerëzore. Mund t’ju flas për libra që i kam dashuruar, që më kanë dashuruar; që më kanë ndihmuar të rritem, të njihem me veten; që më kanë treguar se nuk jam vetëm në këtë botë, që kanë kapërcyer gjuhën dhe gjithçka për të mbërritur tek unë… Leximi duhet të na bubrrojë në shpirt, përndryshe, i kotë mundimi.

3 janë pak, 3 nuk mjaftojnë, por gjithsesi, le ta fillojmë me libra që të çojnë te dashuria për gjuhën tënde. Pra, si kryefjalë të zgjedhjes sime, po bëj Dashurinë për Gjuhën, fuqia e së cilës shumëfishohet kur derdhet në poezi.

“Lahuta e Malcis”, Gjergj Fishta

Mbi të gjitha për pasurinë gjuhësore që bart. Një pasuri e madhe leksikore, një fuqi e bukur e gegnishtes, e maleve e shqiptarizmës. Dritarja me u taku me dashurinë që ke brenda vetes për gegnishten. E padiskutueshme.

Prej leximit të kësaj vepre, mund të të ndodhë shumëçka, por nuk shpëton i pandryshuar. Jo vetëm bëhesh më i çelë ndaj gegnishtes, por kupton, ftillon e ndien më të thellë lidhjen tënde me gjuhën, identitetin tënd.

Prej këndej përsosu me latimet e holla të Mjedës. Dashnohu.

 “Poezi”, Lasgush Poradeci

Dritarja me u taku me dashurinë që ke brenda vetes për toskërishten. E padiskutueshme.

Një poet, i cili foli pa frikë me gjuhën e shpirtit për tejzat e brishta të e zemrës. Ai nuk hoqi dorë asnjëherë nga gjuha e tij, nuk e ndërroi, nuk e përshtati. Ai mbeti vetja. Lexo, dashurohu.

 “Poezi”, Martin Camaj

Martin Camaj është një poet që rroi e lulëzoi në dhé të huaj. Ai foli shqip pa e ditë se kur shqipja e tij kishte me mbërritë te lexuesi. Ai shkroi për një lexues të heshtun. Një lexues që ndoshta përgjigjen po ia kthen tash pas vdekjeje. Por ai ka folë me shpirtin plot, i sigurt se përket në gjuhën, identitetin, dheun e vet të largët. Kur kam takuar përkthyesin e tij të dashtun, Hans-Joachim Lanksch, i cili fliste një shqipe të ambël e të ngrohtë, atëherë kam kuptuar fuqinë e madhe që ka pasur gjuha në atë njeri dhe si la pas vedit poetin që është. Lexo, dashnohu.

NJI POETI TË SOTËM

Rruga jote â e mirë:
Parkat janë fytyrat ma të shëmtueme
të miteve klasike. Ti nuk shkrove për to,
por për rrasa guri e ballë njerzorë
me rrudha shum e për dashuninë.
Vargjet tua janë për t’i lexue në heshtje
e jo para mikrofonit
si të çetës së poetëve tjerë,
zemra
ndonëse nën shtatë lëkura
akull,
akull
ndonëse nën shtatë lëkura.

Fole shpirtin, furishëm, brishtë, përkorë, andshëm, veç fole: SHQIP.

Me Dashni, Erina

ObserverKult