Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir shkrimtaren Nurie Emrullai.
Ja cilat janë librat që Emrullai u sugjeron të pasionuarve pas leximit.
Letërsia është forma më e vërtetë për t’u bërë pjesë e botës dhe për të përjetuar e shijuar. Letërsia nuk është thjeshtë fjalë e shkruara në letër, por është energji e pastër e cila përçohet e transformohet.
Sot, ndarja e letërsisë bëhet jo vetëm sipas gjinive dhe llojeve letrare, por deri dhe në preferencat më të çuditshme, si për shembull në letërsi për t’u lexuar dimrit apo për t’u lexuar verës. Ndonëse secila kategori është orientim i nevojshëm për lexuesin duke pasur parasysh kursimin e kohës.
Unë kam folur shpesh në lidhje me veprat të cilat më kanë mundësuar ta dua letërsinë dhe të kuptoj për botën e mrekullueshme të librit, por sot nuk do të flas për atë letërsi.
Rekomandimi në lidhje me tri vepra konkrete, do të ishte më shumë për vepra studimore në lidhje me kohën, hapësirën, identitetin apo mërgimin, por do t’i ik asaj teme duke dashur që te lexuesi të paraqes diçka ndryshe:
“Histori natyre” nga Jules Renard
Tregimet “Histori natyre” nga Jules Renard, shkruar në vitin 1896 ndërsa botuar së fundmi në gjuhën shqipe nga Shtëpia botuese Pika Pa Sipërfaqe, përkthyer nga Romina Mio, 2022. E veçanta e këtyre tregimeve është se shumë thjeshtë dhe këndshëm e afrojnë lexuesin me natyrën, me Florën e Faunën, madje mbi të gjitha përcjellin një lloj qetësie dhe rehatie.
E besoj se njeriu ka nevojë për kthimin në natyrë sepse atë e ka kthim në vete, në pikën fillestare të tij, që ditëve të sotme është harruar apo çorientuar. Tregimet me titujt si: “Pula”, “Qeni”, “Macja”, “ Vemja”, “Pleshti”, “Flutura”, e shumë të tjerë diku te 84 tregime, duke i paraqitur me një lloj humori të lehtë a të padiktueshëm e me një gjuhë të zakonshme, por po aq poetike dhe me stil të veçantë, ndaj rekomandohet për secilin lexues që e do natyrën, apo do të ngjallë pak fëmijëri brenda vetes.
Këtu po sjellë disa tregime veç për të treguar veçantinë e tyre:
- Grerëza
“Një ditë, me siguri do e lëndojë veten.” - Flutura
“Kjo pusullë e palosur ëmbël më dysh kërkon një adresë luleje.” - “Iriqi”
Pastrojeni… ju lutem!
‒ Duhet të më pranoni siç jam; mos më përqafoni fort.
“Jesminë” nga Martin Camaj
“Copa” e dytë e rekomanduar siç e përmend ndër të tjera prof. Shaban Sinani, është novela “Jesminë”, nga Martin Camaj. Kjo novelë e shkurtër, jo më shumë se 40 faqe, botuar midis novelave të tjera të vitit 1981, ribotuar nga Shtëpia botuese Onufri, 2017. Në veprën “Jesminë” kemi një personazh i cili nëpërmejet ngjarjeve që i ndodhin në një fshat të Shqipërisë, me një sy kritik sheh përreth traditën, sjelljen dhe të ardhmen e atij vendi. Martin Camaj, e shpalos veprën në dy rrafshe. Në njërin kemi rrafshin e së tashmes ‒ horizontal (diakronik), ku paraqet kohën e vendit të tij dhe parashikimin e së ardhmes, dhe në anën tjetër kemi rrafshin vertikal (sinkronik) në të cilin paraqet njeriun që e ka patjetër të përshtatet dhe të jetojë sipas rregullave të krijuara nga të tjerë dhe absurditeti i injorancës nuk ka vend për kundërshtim.
Martin Camaj këtë krahasim e bën përmes dy personazheve, dy njerëz të padjallëzuar në krahasim me vendin ku jetojnë, mësuesi mendjehapur dhe vajza 10 vjeçare, e cila ka logjikën e mendimit. Përmes bisedës që e zhvillojnë, lexuesi kupton për traditën e atij vendi, vështirësinë e të jetuarit si të fëmijëve po dhe të grave. Camaj arrin që ta kthjellojë lexuesin dhe arrin të bëjë një ndarje të sofistikuar midis logjikës dhe injorancës. Por, flet me simpati e krenari për bukuritë e atij vendi, duke e pasur si temë kryesore ruajtjen e bletëve (element që e gjejmë dhe në poezitë e tij), të cilat paraqesin vetë jetën, njeriun e drejtë dhe sinqeritetin.
“Hartë memece për të mbyturit” nga Arian Leka
“Hartë memece për të mbyturit” e shkruar nga Arian Leka, botuar nga Poeteka, 2019. Në këtë vepër gërshetohet: proza poetike, poezia dhe kronikat ‒ të cilat datojnë që nga viti 1992 e deri në vitin 2015, të shkëputura nga gazeta apo lajme ditore në lidhje me fatkeqësitë detare, viktima e të mbijetuar. Vepra, “Hartë memece për të mbyturit”, i dhuron lexuesit hartën që i mundëson daljen në det (bregdetin shqiptar) nëpër periudha të ndyshme kohore në 23 vite përjetime, duke kujtuar ndjesitë më të errta të ndjeshmërisë njerëzore; për të ruajtur kujtesën historike të izolimit (komunizmi) ndonëse vendi kufizohej me det. Narracioni herë shkon nga përjetimi i të mbijetuarve nga thellësitë e detit, herë të poetit që në formën më të lartë të ndjesisë, bëhet një me viktimat a me detin.
Duke qenë se deti (uji) ka formën e lëngshme, ndaj ai shndërrohet dhe rikrijohet në forma të ndryshme, ndaj Leka, e paraqet në mënyra siç nuk e kemi mendur deri në çastin që lexojmë këtë libër, sidomos kur e lidhim me bregdetin shqiptar dhe historinë e fatin tragjik të shqiptarit që detin e përdori për të shpëtuar prej vendit të tij dhe regjimit të egër komunist, e deri në ditët e sotme të demokracisë. Uji, element që mundëson kthimin pas në kohë. (se uji ka kujtesë!) Përmes elementit të ujit, autori pëson krononostalgji ‒ nostalgji për kohën, të shkuarën, fëmijërinë (të autorit.).
Deti shihet si një formë atdheu në lëvizje ‒ një urë shpëtimi, dalje, atë që ruan në kujtesë historia e popullit shqiptar. Një formë torture për ata që gjenden të humbur brenda tij, të trafikuar, një lloj Ferri siç thotë vetë autori. Histori të njohura e të fshehura të gomoneve dhe të emigrantëve që detin e kanë bërë rrugë ikje, pa pranuar asnjëherë pasojat fatale që ai mund të shkaktojë, ndaj këtu kemi dhe poezinë Auschwitz detar, të paraprirë prej tetë poezive tjera. Një vepër dhe që kthen sytë nga Zoti dhe e bën më të afërt, më të prekshëm, duke i dhënë përgjegjësitë që i takojnë një babai për fëmijët e tij.
Na bën të kthemi në formën parake, sepse vërtetë që uji ishte dhe uji krijoi jetën.
Detin në tre forma: ushqyes, jetëdhënës dhe jetëmarrës.
Detin në tri kohë: Zanafilla, e tashmja, e ardhmja.
Detin në tri rrëfime: prozaik, poetik, kronik.
ObserverKult
Lexo edhe:
NURIE EMRULLAI: LËRE DASHURINË TË VIJË SI TË DOJË