Rekomandime leximi nga Rozafa Shpuza

rozafa shpuza

Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafire poeten e fotografen Rozafa Shpuza.
Ja cilat janë tri librat që Shpuza u sugjeron të pasionuarve pas leximit.

Është e vështirë të veçosh tre libra nga stivat e librave të lexuar, sepse ato kanë zënë vend në unin tem e me kalimin e viteve, janë bërë pjesë e pandashme e tij. Mendoj se çdo libër i lexuar i përngjet një guri të mozaikut, ku shtriqet pafundësia e  botës së secilit prej nesh.

Nga Rozafa Shpuza

Jam e bindun se ndjekësit e ObserverKult-it janë lexues të zellshëm dhe i kanë krijuar me kohë gustot e veta letrare, prandaj krejt modestisht, deshta veç me ua kthye sadopak vemendjen kah letërsia shqipe, prejse kam bindjen se kjo letërsi ka nevojë për dashamirësinë e lexuesve, të cilët duhet të dinë të bëjnë dallimin e vlerave të vërteta artistike, duke mohuar kësisoj farfurinat jetëpaka të letërsisë kallpe, që pluskon frikshëm për shkak të mungesës të kritikës së mirfilltë letrare në Shqipëri.  

 Duke kërkuar Itakën – Frederik Rreshpja

Vargje të mbushur me vjeshtë. Vjeshta e tij e ndal kohën, sjell vetminë, vjeshta e tij vjen si mërmërinë ngushëllimi për thyerjen e shpirtit apo dalldinë e mendjes.

Bota e Rreshpes është një botë e mbushur me vetmitarë, gjahtarë, ciganë, arlekinë. Rreshpja jeton në botën e miteve dhe shiu, hëna, stinët, lotët, trendafilat, vdekja, nëna, Itaka, janë mitet e tij.

“Ishte diku një akuarel shiu që rrodhi si loti i botës, o njeri! Shkrova mbi shpinë të letrës. Ishte dikur një rënie gjethesh që mbeshtillte supet tua lakuriq”.

Rreshpja është poeti që lexohet kurdo, kudo e nga kushdo dhe ka magjinë të të fusë në botën e tij krejt thjesht, pa asnjë sforcim apo trysni fjalësh pompoze.

Është mëkat nëse nuk e lexon Rreshpen.

 Lamëtarja e Vdekjeve – Teodor Keko

Ishte koha kur Shqipëria sapo kishte kapërcyer diktaturën dhe po vërshonte kuturu drejt lirisë e ndoshta s’ishte rastësi që “Lajmëtarja e Vdekjeve” u publikua bash në këtë kohë dhe hyri në kujtesën e lexuesit shqiptar të viteve ’90, por edhe të shumë brezave më pas, si libri që theu tabutë e realizmit socialist e ndoshta ishte edhe një parathënie fatale e fatit të shkrimtarit.

Teodor Keko, në këto tregime dhe novela shpalos karaktere reale, krejt ndryshe nga ato që lexuesi ishte mësuar t’i haste rëndom në lëtërsinë e deriatëhershme. Personazhet nuk ishin më heronj, por njerëz normalë, mëkatarë, të vdekshëm e kjo ishte një thyerje e madhe dhe një gur dinjitoz themeli për letërsinë moderne shqipe.

Në atë kohë libri kaloi dorë më dorë. Nuk mbeti kush pa e lexuar. Ai libër ishte shkëndija e shpresës për një vend të cilit i ishte mohuar për 50 vjet të krijonte letërsi të vërtetë, prejse çensura shfaroste çdo pinjoll kryengritës.

Autori në këtë libër fokusoi, rrëfeu dhe analizoi një nga periudhat më të vështira e më komplekse të historisë së Shqipërisë. Pena e tij diti të skalisë mjeshtërisht, diti të përshkruaj shpirtin, diti të dalë jashtë rregullave strikte të letërsisë realiste. Kam mendimin se Keko është një autor ende i pavlerësuar për vendin që zë në letërsinë bashkëkohore shqipe.

“Lajmëtarja e vdekjeve” është një libër që s’duhet lënë pa u lexuar.

Metamorfoza e një brezi të humbur – Henrik S.G.

Mendoj se në lëmin e letërsisë shqipe romani “Metamorfoza e një brezi të humbur” është një nga romanet më unik në llojin e vet. Aty përshkruhen imtësisht dhe vërtetësisht, me një narracion të spikatur, ngjarje të periudhës para viteve ’90. Duket sikur personazhet e tij dalin nga nëndheu, duke qenë se ai është dëshmitar real që përjetoi burgjet komuniste.

Për këtë roman autori thotë: “Ndodhi që të jem lindur pikërisht atëherë, kur sapo pati nisur udhë gjysma e dytë e Shekullit të Njëzetë. Lindje fatale, në mes një shoqërie mizore. Im atë, fare i ri, me kërshërinë e Dantes trokiti në portat e Ferrit, ndonëse i ishte ofruar Parajsa Komuniste. Eci kështu nëpër dekada, së bashku me shokët e tij, herë shtigjesh të përflakur, herë të shkrumbuar, duke pritur ankthshëm mbërritjen time.

Dhe unë s’vonova e beha një ditë. U pamë rrallë, tek rrokulliseshim poshtë, humnerave të pafund. Më pas, ne e humbën njeri-tjetrin përgjithmonë. Sot, tek endem nëpër Paris, Londër e New-York, shpirtrat e tyre të linçuar, më faniten përmes ndriçimit të rremë të Qytetërimit…”.

Lexuesve që kërkojnë letërsi të mirë dhe, njëkohësit, janë kuriozë të njihen me një prej epokave më të çmendura të historisë shqiptare, të përshkruar me një mjeshtëri të rrallë dhe vërtetësi të skajtë, u rekomandoj romanin “Metamorfoza e një brezi të humbur”./ ObserverKult