Rekomandime leximi nga Valbonë Bajrami

Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafire aktivisten për të drejta të grave, Valbonë Bajrami.
Ja cilat janë tri librat që Bajrami u sugjeron të pasionuarve pas leximit.

Libri asht’ kthina ma e shnetshme mendore kur ikim nga ngarkesat e përgjegjësive të përditshmërisë. Asht’ terapia ma e shnetshme me ikë nga energjitë njerzore që për kot na shkaktojnë ngarkesa negative emocionale. Nuk ka rëndësi të madhe se dikush të referon libra që veç kanë ba nam e që përmbajtja përfolet gjatë, apo që përkthehen në disa gjuhë të huaja.
Rëndësi ka lexuesi, gjendja emocionale e lexuesit, kandvështrimi, apo periudha të cilën e lexon një libër, e që interpretimi mund të merr kahje të ndryshme, përtej konturave që autorët janë frymëzuar dhe përtej analizave të kritikëve letrar.

Nga Valbonë Bajrami


Libër i mirë asht’ ai që të bjen në dorë edhe rastësisht, dhe nuk e ke fare idenë e përmbajtjes. Libër i mirë asht’ ai që të asht’ gjindë afër gjatë sfidave të jetës e që mundesh me i ndërlidhë copëzat tua personale apo profesionale përmes kandvështrimit. Me raste, manipulohemi edhe nga kopertina. E megjithate, çfarëdo libri që lexon, gjithmonë fiton mentalisht. Heqë një dozë injorance nga vetja. Pasunohesh me dije të një teknike shkrimi apo interpretimi që edhe në biseda të rastësishme, pa ju referuar fare librave, bashkëbiseduesi asht’ në gjendje të nuhas se sa je i/e lexuar.
Viteve të fundit, për dallim nga e kaluara që kemi qenë ma të pavëmendshëm, padyshim se literatura e shkruar apo e studiuar nga gratë po merr përmasa popullariteti. Qoftë literaturë e studiuar apo fiktive, krijimtaria e grave asht’ lanë anash dhe nuk asht marrë në konsideratë interpretimi nga zani i tyre, historikisht. Jo vetëm në kultura të shtypuna. E megjithate, zë shembull, çmimi Nobel, vetëm në dy kategori, respektivisht, në letërsi dhe çmimin për paqe, viteve të fundit për laureate dominante ka gratë. Në përshtypje të parë, kjo tingëllon shpresuese për dhënie mundësish dhe vlerësim. Por, nëse gërmojmë në thellësi të kritereve, që të dy kategoritë konsiderohen si “e butë” dhe “humane”, gjë që historikisht butësia dhe humaniteti janë norma që gratë duhet si mësojnë detyrimisht, e që asht mjaft komplekse si temë për t’u shtjelluar.

Libri “Feminist theory; women’s writing” i autores Laurie A. Finke, e cila sfidon në përgjithësi konceptualitetin e gjinisë, të vetvetes, e me theks të veçantë pritshmëritë e gjuhës së komunikimit të shkrimtareve gra, ka qenë nji ndër librat më debatues për perspektivën gjinore në ShBA. Asht nji studim që pothuajse të jep ndjesi të thatë gjatë leximit sepse përmbanë teori që kërkojnë zbërthim dhe studim të mëtutjeshëm.
Libri nuk asht’ voluminoz sa për të marrë javë për ta lexuar, por për ta studiuar duhet të gërmosh në biblioteka për referenca indirekte, që pastaj të bindesh apo të kundërshtosh teoritë hipotetike. Të shtyen të lexosh më shumë libra të autoreve gra – dhe pikërisht këtu qëndron mrekullia, që jovullnetarisht lexuesit detyrohen që paralel të lexojnë autore gra dhe të bajnë krahasim gjuhsor të pritshmërive se çfarë për shekuj me radhë asht’ konsideruar gjuhë normale e burrave dhe gjuhë jonormale e grave.
Defektin, po e quej kushtimisht të tillë, e hasim edhe në literaturë postmoderne ku gjuha profane e grave asht krejtë e rrallë dhe pothuajse e papranushme në krahasim me shkrimtarë burra. Përmbajtja e kontekstit historik në libër nuk ka rëndësi të lartë sepse libri i referohet teorisë progresiste të fund shekullit 18-të, e megjithate në kulturën tonë që ngecë në hapa të progresit mund të tërheqim paralele. Shembulli më i thjeshtë, sot rrjetet sociale janë çasje e shpejtë për të lexu diçka. Ndoshta edhe jovullnetarisht detyrohesh të lexosh prozë apo poezi të shkrimtarëve që vlerësohen, e që pas leximit të kritikës së Finke, hyn në një dimension tjetër vlerësimi, respektivisht, se si lexohet shprehja figurative e një shkrimtari burrë krahasuar me një shkrimtare grua, kur përshkruajnë detaje fiktive të gjinisë së kundërt.
Padyshim se shprehja figurative e shkrimtareve gra asht’ ma e ndrojtun dhe e ndrydhun, mjeshtërisht, sepse pritshmëritë e shoqnisë janë të tilla. Ky segment i takon më shumë studiuesve që janë profesionistë letrarë të gërmojnë për ngecjet gjuhësore të cilat janë të avullta, por asht’ pikërisht gjuha defekti më i theksuar patriarkal që njerëzit ende i dhajnë gjini.
Si lexuese, konsideroj se mund të tingëllojë krahasim i tepërt, por gjuha e shkrimtareve gra pranohet më lehtë në qoftë se përdorin variacione heteroglosike sepse shoqëria i ka detyruar të bajnë matje milimetrike të fjalëve, apo edhe t’i lënë fjalët në gjysmë dhe t’i vëndojnë në peshore se si priten nga shoqëria. Libri argumenton ‘teorinë feministe të kompleksitetit’, dhe shtjellon sesi gratë shkrimtare të margjinalizuara tradicionalisht sfidojnë nocionet e krijuara të letërsisë dhe kritikës. Autorja e quan çmontim të strukturës patriarkale dhe rrugëdalje nga ky sistem përmes gjuhës. Indirekt, ajo përçon mesazh inkurajues të lexojmë sa më shumë shkrimtare gra, qoftë edhe për kurajo ndaj tyre apo kushtimisht për nji notë proteste që historikisht gratë janë shtypur.

Libri i dytë i përzgjedhun asht romani “Ikje” i autores shqiptare, Majlinda Bregasi, e cila ka rastisë edhe të jetë mike e mirë e imja. Libri që mbanë firmën e autorit/autores me një dedikim për lexuesin të jep ndjesi të përzemërt, nder dhe obligim moral për ta lexuar. Përtej përmbajtjes që ka rrjedhë të tipologjisë kulturore shqiptare, ku personazhi i Vjosës përshkruan mentalitet sakrifice të grave shqiptare, çdo lexues që përket në kultura homogjene, sidomos gra, gjenë copëza të veta te personazhi i Vjosës, së cilës jeta i merr kahje drastike sipas hireve të shoqërisë. Edhe pse përmbajtja nuk thekson sistemin patriarkal, asht’ sakrifica e një gruaje që qëndron në trajta të ndryshueshme gjatë rrjedhës. Romani “Ikje” kërkon të lexohet të paktën dy herë, sepse ka elemente referuese që sa here i kthehesh të rrëmben edhe në ngjarje personale që ne si kulturë homogjene nuk kemi pasë shteg nga të ikim nga pritshmëritë e shoqërisë – përmbajnë elemente që në kultura perendimore mund të konsiderohen çmenduri.
Ikja e grave, qoftë fizike apo edhe mentale nga vorbull ngjarjesh jonormale, na bën të kuptojmë realitetin e një kulture, fatmjerisht të egër, që i’u detyrohet grave. Personazhi i Vjosës përshkruan sakrificën dhe forcën si pritshmëri, përtej mundësive njerëzore. Peripetitë e grave gërshetohen mrenda një personazhi që si lexues që i përket asaj kulture, në leximin e parë detyrohesh të pauzosh pas çdo kapitulli dhe të bësh krahasime me jetën tande. E mira e kësaj teknike e të lexuarit asht’ edhe vetëterapi sepse tërheqë vegza të traumave patriarkale të cilat jo vëmendshëm i kemi shtresuar në memorje. Shërojmë ngjarje jete të cilat kanë qenë të detyrueshme nga palë të tjera, jo nga vendimet tona vullnetare. Asht’ pikërisht kthesa e Vjosës kur pas luftës niset në mision krejt tjetër, për gjetjen e trupit të vëllait, por që rrjedha e ngjarjeve e gjenë nën përkujdesje të një francezi që ka humbur aftësinë e të folurit. Ajo ikë nga misioni sepse edhe në jetën reale në treva të banuara nga shqiptarët, grave gjithmonë iu jepet detyrë obligative, sakrifica si vlerë.
Në nërkamza mendore, në qoftë se libri lexohet duke ju referuar vetës së parë, patjetër se të bën të reflektosh në sistemin ku jemi rritë. Në lexim të dytë, i cili më gjenë në një rrugë të gjatë romani “Ikje” më detyron t’a lexoj me një frymë, duke mos marrë në konsideratë kulturën të cilën veç e njohim.
Kur lexon diçka, kushtimisht i vëndon vetes rregull paraprak, gjenë definicionin se sa të çuditshëm mund të tingëllojmë nga laramani kulturash. Sa të panjohtun jemi karshi botës dhe sa ne i lejojmë vetes të ikim nga ngjarje jete të cilat na janë detyruar si norma njerëzore, e që në fakt, janë vetëm pritshmëri e sistemit të trushpërlamjes patrilineare. Romani “Ikje” të jep ndjesi të ndryshme, varësisht ku dhe nga ç’kandvështrim e lexon. Asht prej atyre librave që mund të definohet si binom kultural. Me fjalë ndryshe, nuk përket te romanet tipik që ofrojnë vetëm kronologjinë e ngjarjes, pa pauzu në mes rreshtash të reflektosh te vetja mendërisht se ku qëndrojnë gabimet tona karshi kulturës, që me keqardhje asht e ndërtuar egër.

Libri i tretë asht romani “Burial Rites” i autores Hannah Kent, i cili nga kandvështrimi i kohës aktuale të shpien drejt kritikës së shtypjes ndaj grave, dhe të jep mundësi krahasimi se si kanë ndryshuar standardet e pritshmërisë se sjelljeve njerëzore. Edhe pse romani i referohet pritshmërive të shekullit të 19-të, i shkruar nga një autore e huaj, të bën të kuptosh se sa gradualisht dhe me zor kanë ndryshuar standardet, sidomos kur gërshetohet e dyfishta e pritshmërive gjinore apo dhe pritshmëritë e sjelljeve brenda llojit.
Personazhi kryesor, Agnes, asht arketip i gruas së pavarun që edhe në kultura heterogjene konsiderohet kërcënim karshi pushtetit dhe egos që burrat e kanë ndërtuar jovullnetarisht si vlerë. Pastaj personazhe dytsorë që ndërlidhen me tregimin e Agnes, të cilat janë më lojale ndaj burrave të pushtetshëm, që nga kandvështrimi njerëzor çuditërisht shpëtojnë nga dënime brutale, por joçuditërisht kur marrim për bazë egon që i’u asht mësuar burrave historikisht si pritshmëri dhe vlerë gjinore.
Romani përmban ngjarje të dhimshme, vrasje, trille e çmendi, të një tregim dashunie në trekëndësh ndaj nji burri. Agnes në tërë kronologjinë e romanit përshkruhet në vetën e tretë si jospirituale në esencë. Ajo i sheh njerëzit si flakë kandili që shuhen, e që bota e përtejme nuk e provokon pothuajse fare. Pasi që një fermë merr flakë ku gjejnë vdekjen dy djem të ri, i gjithë procesi i gjykimit rrjedhë në tentativa manipulative, ku akuzohen Agnes dhe Sigga, një e re gjashtëmbëdhjetë vjeçe, e cila i shpëton dënimit me vdekje duke manipuluar me brishtësinë e saj që e shfaqë me gjuhë trupore, deri te kompromiset për favore seksuale. Të dyja personazhet janë tipologji se si njerëzit manipulohen nga pamja fizike dhe se çfarë reflekton fiziku i dy qenjeve brenda llojit, Agnes stoike, e pavarun nga burrat dhe e sinqertë, e cila dënohet me vdekje, ndërsa Sigga e brishtë, e re, e kompromiseve me burra, që falë manipulimeve i shpëton dënimit me vdekje.
Përtej ngjarjes, e tërë rrjedha e romanit të bën të reflektosh se sa shumë mund të jemi paragjykues karshi karaktereve të grave të pavaruna dhe joshumicë që nuk i binden hireve religjioze dhe patriarkale si norma pritshmërie, kundrejtë grave që reflektojnë butësi e që i binden shumicës për përfitime vetanake. Nisë që nga titulli, romani të provokon të reflektosh se sa e rëndësishme asht’ të varrosen ritet që në kod moral njerëzor nuk përmbajnë vlera reale vetem se në sy të parë na duken se reflektojnë njerëzi, kundrejtë paragjykimit që e ndërtojmë nga pritshmëritë e mësuara në shoqni që në shikim të parë reflektojnë pozitivitet, pa e gërmuar thellësinë që mund të rezultoj manipulative./ ObserverKult