Remark “gënjeu”, por shiti miliona kopje të librit të tij

Romancieri gjerman Erih Maria Remark, mbetet një ndër shkrimtarët më të suksesshëm të shekullit të njëzetë. Mishërim i romanit antiluftë, i shitur në mbi 20 milionë kopje.

Vepra e Remark është mirëfilli portreti i një brezi, që i entuziazmuar braktisi bankat e shkollës për të shkuar në front. Që vdiq në dhëmbëzat e makinerisë torturuese të luftës. Në të vërtetë, në fillim të shekullit të 20-të, njerëzit ishin të etur për Luftën e Parë Botërore. Ishte një periudhë ndryshimesh rrënjësore dhe pasigurie.
Përparimi teknik vendosi ritmin – fabrikat, makinat, zbulimet shkencore. Në shoqërinë patriarkale kishin filluar të formoheshin plasaritjet. Gratë po rebeloheshin kundër roleve të përcaktuara dhe po kërkonin më shumë të drejta.
Disa “tradita” po merrnin fund, ndërsa risitë po përqafoheshin me një ritëm të përshpejtuar, duke i trullosur njerëzit – veçanërisht burrat.
Shumica menduan se lufta mund të ishte një “fuqi pastruese”, që do të ndalonte ose ngadalësonte ndryshimin. Ata e mirëpritën shpërthimin e luftës në verën e vitit 1914, duke besuar vërtet se do të ktheheshin në shtëpi për Krishtlindje. Por ngjarjet, morën krejt tjetër rrjedhë.

“Mësuam se kopsa e lëmuar e xhaketës ushtarake ishte më e rëndësishme sesa një set librash filozofikë.
Kuptuam, fillimisht me habi, më pas me hidhërim dhe, së fundi, me indiferencë.
Se intelekti me sa duket nuk ishte gjëja më e rëndësishme, ishin pajimet; jo idetë, por sistemi; jo liria, por stërvitja”.

Jeta e përditshme në llogore

Kërdi në llogore, netë të tëra në behtë të granatave që binin mbi ushtarët, pikëllim mes sulmeve. Personazhi kryesor i Remark , një rekrut i ri, i përjeton të gjitha. Nxënësi i ndjeshëm shndrrohet në një qenie të drobitur, të marrë fund.

“Një tetar hiqet zvarrë përgjatë gjysmë miljeje vetëm me krahë, duke tërhequr nga pas këmbët, me të dy gjunjët e copëtuar. Një tjetër ia del mbanë të arrijë në një vend fashimi me rropullitë e varura, që për përpiqet në hjekë t’i mbajë brenda me duart e veta (…)
Ju mund të përballeni me të gjithë tmerrin, për aq kohë sa thjesht të filloni të mendoni për të. Veçse kjo do të të vrasë nëse përpiqeni të pajtoheni me të”. (Remark)

Gënjeshtër e domosdoshme për suksesin global

Me aq dramacitet sa Remark përshkroi trazirat e luftës, ai vetë luftoi në front vetëm për pak kohë. Si nxënës në 1916, ai u thirr nën armë, por u plagos shpejt dhe u transferua në një infermieri ushtarake.
Atje, ai dëgjoi historitë e ushtarëve të tjerë të plagosur rëndë dhe mbajti shënime. Ato më vonë u shndërruan në romanin e tij me famë botërore.
Mirëpo, për të rritur shitjet, Remark pretendoi se i kishte përjetuar të gjitha ngjarjet vetë.
Në plan të parë dhe në brendësi të krijimeve të tij letrare qëndron vështrimi i dinjitetit human dhe të humanitetit në kohë terrori dhe lufte.

“Asgjë të re nga fronti i Perëndimit” i Remark u botua në 1929, duke u bërë një nga sukseset më të mëdha të letërsisë gjermane.
Kritikët në të katër anët e botës e lavdëruan librin, si një “padi pacifiste të luftës”. S’kaloi shumë dhe libri u shndërrua në një film hollivudian. 

Djegur dhe ndaluar

Nga ana tjetër, grupet e krahut të djathtë në Gjermani, besonin se po hidhej baltë mbi kujtimet e ushtarëve të tyre. Pas marrjes së pushtetit nazist në 1933, libri i Remark u ndalua dhe u dogj publikisht.
Mirëpo, tashmë ai kishte emigruar në Zvicër. Deri në vdekjen e tij, Remark gëzoi imazhin e militantit pacifist siguruar përmes suksesit të tij të hershëm. Mirëpo, ai nuk ishte në gjendje t’i rikthehej sërish kësaj teme. Ai pranoi, se kishte qenë gjithmonë një person apolitik.

Erih Maria Remark lindi në Osnabrück, në një familje që kishte emigruar nga Franca. U largua nga Gjermania, për të jetuar në Zvicër, më 1933.
Krijimtaria e tij u dënua nga nazistët, duke djegur gjithë librat e tij. Prej vitit 1939, ai banoi në SHBA. Pas Luftës së Dytë Botërore, e alternoi jetën midis SHBA-së dhe Zvicrës, duke ndërruar jetë në Locarno, më 25 shtator 1970.

Remark, nga balta e llogoreve te farfuritjet e Hollivudit, nga varfëria dhe anonimati te suksesi global. Bredhërimi emocional në kërkimin e gruas sublime, nga shija e pandalshme për lumturi dhe bukuri deri te neveria e totalitarizmi.
Nga solidariteti me viktimat deri te shqetësimet personale.
Mundimet me të cilat ekzistenca dhe shkrimet e Remark pëndiqeshin vazhdimisht, i krijuan atij një vetëdije të fortë. Vetëdije edhe unike ekzistenciale, edhe politike dhe etike.
Dashuria për gratë dhe dëshmia me anë të të shkruait janë përgjigjet e kësaj jete të jashtëzakonshme të një burri.