Një ndërmëndje, e cila do të hovte ngultaz dëshirimin e zotërimit të dramatikes si formë shprehjeje të së bukurës, na pjesëmerr solemnisht në memuaristikën e një personazhi shumë kompleks të penelit, ai është Rembrand van Rijn.
Albert Vataj
E kush mund të shponte tejpërtej kërshërinë e dehjes prej tonaliteteve therëse më thekshëm se sa ai. Për shkak të ndjeshmërisë së tij, ai është mbiquajtur “një nga profetët e mëdhenj të civilizimit”. E zeza, okra, e kuqja, e verdha dhe e bardha, në ngjizjen e hyjshme të Rembrandit, kremtuan lindjen e një epoke që u turravrap të mbetej holandeze por kaploi të epërmen si e përbotshme si sprovë dhe testament . “Tabloja e Rembrandit ishte pikturuar si nga një dori prej zjarri, duhet të kesh vdekur disa herë që të mund të pikturosh si ai, Rembrandi depërton aq thellë, sa që thotë gjëra që nuk ka asnjë gjuhë të botës që mund ti mishërojë ato”, mbamendet t’i ketë shkruar në një letërkëmbim Van Gog, Teos më 1885.
In memoriam
Më 4 tetor 1669, vdiq në moshën 63-vjeçare Rembrand van Rijn. U shua shërbestari i penelit të zjarrit, i ngulmëti i një sprove të tjetërllojtë, i andjes për të ngërthyer në kaplimin e tij kumtues, 350 piktura, 1200 skica dhe rreth 300 gravura.
Ai do të mbamendet në memorin e ëndjes estetike, si një prej penelatave më të pazakonta të pikturës, një prej gjenive, jeta e të cilit ndonse në dukje e qetë, sëmboi hera-herës me spazme therëse e dhimbje, kaplimin e tij. Rrëfimtari më i njimendtë i këtyre sprovave, këtij rrebeshi është vetë piktura që la ky mjeshtër. Këto gjurmë të thella trishtimi dhe dramaciteti, përpjekjeje të vazhdueshme për të sfiduar, edhe me vetveten, i cekim gjithsekah nëpër cytjet kumtuese. Kësisoj gjejmë të plazmuar në tablonë e Rembrandit, ashpërsinë e penelatave, terrin përpirës që përgjohet nga një dritim tinzar, puhiz e cila hyn përmes lojës së tonaliteteve dhe pëlcet aty ku syri i piktorit shkrihet. Gjithqysh ai rendi si triumfalist në të asokohshmen plot gjallëri e trazim. Asçka nuk i’a ndali shkulmin e tij krijues. Asgjë nuk e vuri dot nën fre këtë pasion të hazdisur kumti. Një galeri e bollshme u bë hangari i të korrave të begata edhe pse gjithëkjo nuk mundi dot të shmangte fundin mjeran të këtij gjeniu tragjik, të cilin fati e ndëshkoi më rëndë se asgjë tjetër. Vdekjet i’u vunë nga pas duke e lënduar keqas “profetin e civilizimit”, deri sa mund të rrëzojnë përdhe 345 vite më parë, për ta rilindur në amshim.
Duke qenë një mjeshtër i barokut, tentoi gjithnjë të përflakte pjesët e përshkuara nga drita të objektit, ta lante në ar atë purtek të kurmit që ai qasej ta nxirrte faqe dritës, për ta kredhur krejtçka qarksaj në një terr të thellë. Teknikat e përdorura prej tij, e bëjnë këtë galeri të jashtëzakonshme të ndiqet gjithnje nga kontrasti i fortë dhe shkrirja therëse e ngjyres dhe dritës në të. Për ta bërë më përcaktuese këtë identitet koloristik, është vetë bota e tij shpirtërore ajo që rreket të lëvrij si një reliev i thyer, ku shtrirja artthënëse hapërdahet.
Shpirtërorja në pikturë
Është gati e pamundur të përshkruash në një tregimtore e të përshkosh në poret e sejciles prej tyre, të ndjesh ritmin dhe vërshimin e asaj limfe, që ai derdhi në krejt atë galeri që mban emrin e tij. E megjithatë gjallojnë disa prej gjithëtyre, që tregojnë forcën dhe energjinë, vlimin dhe pulsin, që trandën mish e shpirtë, e shkrepëtitën si vetëtimë, drita e së cilës feks sot e asaj dite, sa herë gjendemi të fokusuar prej këtij shpërthimi. Ato janë portretet, me kast autoportretet. Në “narcisizmin” e tij, Rembrandt skaliti njeriun që e do jetën. Nëpërmjet shikimit fisnik që depërton, tregon thellësinë e brendshme shpirtërore që kremton sakoha. Në thuajse të gjitha pikturat e Rembrandit, telajoja i ngjan një shtjelle përpirëse, plot gjallëri, ngjyra dhe tone që të dehin. Ai dinte shumë mirë si të kalonte nga njëri ton i ngjyrës në një tjetër, ndërsa emocionet lëvrijnë fuqishëm në pikturë, për të paraqitur të gjithë madhështinë dhe kushtrimin e një epoke iluminuese.
Arti i suksesshëm dhe jetë e trishtë
Artisti holandez, një ndër më të spikaturit në historinë e pikturës, nuk e njohu ndonjëherë mungesën e suksesit në art, por më shumë se çdokush u përball me dëshpërimin dhe dhimbjen. Piktura e tij nuk reflektoi si të vetvetishme jetën gjithë trishtim, por gjithqysh shkaktoi shumë emocione që përzihen me njëra-tjetrën. Ngjyra të theksuara, gjallëri dhe shumë jetë lëvrin brenda telajove të ndritshme të piktorit, ndërsa tonet e zbehta dhe të errëta “ngatërrohen” bashkë dhe në këtë përpjekje ngadhnjimtare për të treguar, ata shtangeshin duke lënë ato feksje flakëruese drite, që pakohen aty ku syri shterron dhe penelatat rrëzohen në errësirë. Piktura e lashtë, arti italian dhe flamand i Rilindjes, por edhe memoria artistike e Lindjes së Largët, ishin ndër më të preferuarat. Të thuash se ai nuk u moleps nga këto, është një përpjekje për ta zhvendosur suazën e epsheve të tij krijuese në një syprinë boshe më të rrafshët, por jo. Në pikturën e Rembrandt-it mund të gjesh detaje nga të gjitha këto rryma, ndërsa në vetvete, arti i tij shumë kompleks përfaqëson stilin e epokës së artë holandeze. Ai u dogj prej asaj llave përpirëse, duke u shndrruar në hi, dhe si një sfinks ai u rilind për të mbetur Rembrand Rembrand van Rijn.
Siç dihet, Rembrand u lind në Leiden të Holandës më 15 korrik 1606, në familjen e një mullixhiu. Familja u interesua aq shumë për edukimin e tij. Sakaq Rembrand nisi studimet në një shkollën latine. Kur ishte 14 vjeç u regjistrua në Universitetin e Leidenit. Por programi nuk i interesonte, dhe shumë shpejt ai e braktis shkollën për t’iu përkushtuar studimit të artit me mjeshtrin Jacob van Swanenburch dhe më pas në Amsterdam me Pieter Lastman-in, i njohur për profilin historik të pikturave të tij. Pas gjashtë muajsh, pasi përvetësoi gjithçka që i ishte dhënë për të mësuar, Rembrandt u kthye në Leiden ku u vlerësua aq sa në moshën 22-vjeçare mori nxënësit e tij të parë. Në vitin 1631 Rembrand u transferua në Amsterdam. Martesa e shpejtë me Saskia van Uylenburgh, kushërirën e një tregtari të veprave të artit, nxiti hovshëm karrierën e tij. I’u vu punës së portreteve, por edhe veprave me subjekt mistik dhe fetar, që ishin aq shumë të kërkuara asokohe. Mori famë si mësues i pikturës dhe studioja e tij u mbush me nxënës. Në shekullin e 20-të shumë studiues i atribuan atij edhe shumë piktura të kolegëve, duke i identifikuar ato me emrin e artistit të madh në një kohë të përfeksionimit të pikturës. Por, krejt në kundërshtim me suksesin e tij në pikturë, jeta familjare mori goditje të rënda. Që nga viti 1635 deri në vitin 1639 Saskia lindi katër fëmijë, nga të cilët arriti të mbijetonte vetëm djali i fundit, ndërsa ajo vetë vdiq në moshën 30-vjeçare. Hendrickje Stoffels, e cila ishte shërbyesja e familjes në vitin 1649, zëvendësoi figurën e gruas dhe u bë model për shumë piktura të artistit. Pavarësisht suksesit të tij financiar si artist, mësues dhe tregtar pikturash, prirja për të jetuar në bollëk e detyroi Rembrandin të falimentonte në vitin 1656.
Një koleksion i veprave të artit dhe antikuareve, që u konfiskuan para një ankandi, me qëllim shlyerjen e borxheve të tij, dëshmoi qartë për interesat e Rembrandt-it: piktura e lashtë, arti italian dhe flamand i Rilindjes, piktura e Lindjes së Largët, veprat bashkëkohore holandeze, armët dhe armatimet. Rezultatet e ankandit nuk ishin të pëlqyera, por probleme si këto nuk ndikuan në punën e tij. Madhështia e artistit u rrit vazhdimisht. E ndërsa jeta e tij personale vazhdonte të ishte e dëshpëruar e pa shpresë, artisti realizoi pikturat më të famshme “Nusja çifute”, “Bathsheba”, “Jakobi duke pagëzuar djemtë e Jozefit”, “Autoportret”. E dashura e tij e përhershme Hendrickje vdiq në vitin 1663 dhe djali i vetëm Titus vdiq në vitin 1668, në moshën 27-vjeçare. Njëmbëdhjetë muaj më pas artisti i 350 pikturave, 1200 skicave dhe rreth 300 gravurave, vdiq në Amsterdam, tash 345 vite më parë .
Rembrand kishte fatin e shumë gjenive të mëhershme e të mëvonë, të cilat shkëlqejnë me mungesën të gjallë dhe shpërthejnë me prekjen eterne të aktit të krijimit që skalitën në memorine e gjeneratave./ObserverKult