“ReMusica” përmbyllet në kujtim të Beethovenit e me fuqinë e muzikës

Me hapa të lehtë, katër instrumentistë gjermanë hyjnë në sallën elegante të “KulturForum” në Münster. Përkulen me pietet, ndonëse fizikisht nuk është i pranishëm asnjë frymë njeriu. Megjithatë, Ulrich Isfort (violinë), Annette Reisinger (violinë), Tony Nys (violë) dhe Matthias Diener (violonçel) janë në lartësinë e tyre dhe publiku në Kosovë është audienca së cilës i adresohen.

“Jemi me fat që e kemi këtë mundësi të jemi me ju”, thotë Diener duke e mbajtur violonçelin e tij.

Me një program të larmishëm, grupi gjerman “Minguet String Quartet” ka përmbyllur edicionin e 19-të të Festivalit Ndërkombëtar të Prishtinës “ReMusica”. Me koncertin dedikuar 250-vjetorit të lindjes së Beethovenit, kuarteti gjerman ka nisur programin me “Quatre Chansons” të kompozitorit Johannes Ockeghem. Për këtë krijues të shekullit të 15- të fare pak gjëra dihen, porse një gjë është e sigurt: “katër këngët” e tij në kohëzgjatje prej rreth tetë minutash japin një “gllënjkë” shije të shkollës flamane. Teksa katër gjermanët thellohen në interpretim, dashamirët e muzikës klasike në Kosovë, që ndiqnin nga shtëpitë e tyre transmetimin online në faqen e festivalit “Remusica”, kanë shijuar njeriun që kishte ndikuar më së shumti te mjeshtri francez, Josquin des Prez. Zemra e koncertit të “Minguet String Quartet” ishin “Streichquartet op 131” dhe “Strichquartett op 132” të Beethovenit të shkruara rreth viteve 1825-1826. Janë dy vepra që kompozitori i pavdekshëm i shkroi në të fundit vite të jetës së tij. Kuarteti i palodhur gjerman repertorin e vijoi plot sublimitet me “Ava Maria” (scala enigmatica armonizzata a 4 voci miste) të kompozitorit Giuseppe Verdi. Për muzikologun italian, Manfredo Gambino – i cili ka shkruar përshtypjet e tij për koncertin me të cilin mbylli perdet “ReMusica” – zgjedhja e kësaj pjese ishte e “guximshme”, pasi nuk është aq e zakonshme ta dëgjosh në një koncert, transmeton ‘koha.net’.

“Çfarë do të thotë saktësisht scala enigmatica? Scala enigmatica është një shkallë e pazakontë që ka elemente të shkallës dur dhe mol. Megjithëse kompozitori G. Verdi pa dyshim është më i njohur për opera sesa për këtë vepër korale”, ka shkruar Gambino. Të fundit, por jo më pak të rëndësishmen, kuarteti gjerman ka interpretuar “Mit innigster Empifindung” të kompozitorit shqiptar në Gjermani, Ardian Halimi. Vepra e komisionuar nga “ReMusica”, që pati me këtë rast premierën e vet botërore, sipas muzikologut italian “ia dha një frymë bashkëkohore koncertit”.