Sonte, nata e tretë e Festivalit Poetik të Prishtinës, do të jetë e dedikuar për Bekim Lumin, njërin ndër regjisorët më të vlerësuar në fushën e teatrit në Kosovë dhe më gjerë. Bekim Lumi u nda nga jeta në vitin 2018.
Nga ora 18:00 deri në orën 21:00 në Termokiss, familjarë e miq, dhe të gjithë të pranishmit do të kenë mundësi ta shohin programin e përgatitur për Lumin. Mbrëmja do të fillojë me video-poezinë “Vdekja e Aktorit” e interpretuar nga Afrim Muçaj.
Eventi do të vazhdojë me leximin e poezive autoriale të Bekim Lumit nga aktorët e njohur Meli Qena, Afrim Kasapolli dhe Shpëtim Selmani.
Në pjesën ”Mendim kritik dhe kujtime”, për jetën dhe krijimtarinë e Bekimit, do të flasin Arian Krasniqi, Besim Rexhaj dhe Elona Caslli.
Nata e tretë dhe e fundit e Festivalit Poetik të Prishtinës e edicionit të dytë, do të vazhdoj po ashtu me poezi, por kësaj radhe me poezi autoriale të Naime Beqiraj, Halil Matoshit dhe Hajriz Sejdiut.
Në fund të kësaj mbrëmje të gjithë të pranishmit do të mund ta shohin një dokumentar kushtuar Bekim Lumit i realizuar nga Shkodran Hoti dhe Gëzim Hasani.
Requiem për Bekim Lumin do të moderohet nga Afrim Muçaj, ndërsa përcjellja instrumentale do të jetë nga Dren Sutbashi.
***
Dy netët e para të Festivalit ngjallën interesim të madh, salla ishte e mbushur me dashamirës të poezisë dhe artit
Salla në Termokiss ishte e mbushur përplot me poet, studiues, shkrimtarë, dashamirës të artit. Të gjithë të pranishmit në natën e parë patën mundësi të nderojnë veprën e poetit e shkrimtarit të ndjerë, Adem Gashit i cili iku pak javë më parë nga kjo botë dhe po ashtu të dëgjojnë interpretime të poezive nga aktorë, poezi autoriale, promovime librash, dokumentarë…
Disa poezi të Adem Gashi të cilat i lexoi aktori Nimon Muçaj, sollën mjaft emocion tek të pranishmit, ndërsa këto emocione i forcoi edhe më shumë përcjellja muzikore dhe instrumentali/homazh nga Astrit Stafai dhe Artan Rexhepi.
Po ashtu në mbrëmjen e parë të Festivalit Poetik të Prishtinës, u shfaqën Çaste Poetike me Adem Gashin, e realizuar nga ObserverKult, kohë më parë.
Për jetën dhe krijimtarinë e të ndjerit Adem Gashi foli miku i tij, poeti Emin Z. Emini.
Në këtë mbrëmje ishin të pranishëm edhe familja e të ndjerit. Një fjalë rasti e mbajti edhe djali i Adem Gashit, Dardani.
Jo me një minutë heshtje, por me një duartrokitje të pandërprerë dhe lot në sy u nderua vepra dhe jeta e të ndjerit, Adem Gashi.
Kjo mbrëmje u moderua nga drejtoresha e Festivalit Poetik të Prishtinës, Donika Dabishevci, e cila tregoi në detaje për takimin me të ndjerin, Adem Gashin disa javë më parë dhe si ishte planifikuar të niste ky Festival në natën e parë.
“Nata e parë ishte planifikuar të ishte ndryshe për Adem Gashin. Kishim planifikuar ndryshe, madje jemi takuar edhe me të ndjerin, Ademin, planifikuam çdo detaj se si do të shkonte, por ai ndërroi jetë në muajin janar. Ne, në nderim të jetës dhe veprës së tij në vend të mbrëmjes poetike që ishte planifikuar e organizuam ‘Homazh për Ademin”, tha drejtoresha Dabishevci.
Në pjesën e dytë të kësaj mbrëmjeje në takimin poetik dhe diskutime me autorët në moderimin e Dabishevcit të ftuarit ishin Rita Petro, Dije Demiri Frangu, Ag Apolloni dhe Ahmeti Selmani.
Autorët folën për librat, inspirimin, sfidat por edhe veçantitë e librave të tyre, ndërkaq pjesa e dytë ishte në përcjelljen instrumentale nga Naser Dula.
Edhe nata e dytë e Festivalit Poetik të Prishtinës, ishte me sallën e mbushur plot.
Mbrëmja nisi me diskutimin me shkrimtarin Gëzim Aliu. Aliu foli për librin “Sëmundje dhe Perëndi”, foli për lexuesit e tij, për lexuesit e librave në përgjithësi, inspirimin për të shkruar dhe letërsinë.
Pas mbrëmjes autoriale, në pjesën e dytë, u promovua libri “Amë” i poetes Nora Prekazi, i botuar nga Shtëpia Botuese Littera dhe i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Për librin e Norës, folën Vlora Konushevci, Arbër Selmani dhe Donika Dabishevci, të cilët lavdëruan dhe deklaruan se poetja përmes këtij libri ka ardhur me një zë të fuqishëm individual dhe urban në kërkim të së vërtetës dhe jetës me ngjyra.
Disa poezi të Prekazit i interpretoi aq bukur dhe me zërin e tij të veçantë Fisnik Istrefi, i cili transmetoi emocion tek publiku në sallë.
Për librin e saj foli me shumë emocion, Prekazi, derisa lavdëroi drejtoreshën e Festivalit Poetik të Prishtinës, Donika Dabishevci për mundësinë e botimit të librit dhe organizimin që është bërë në promovimin.
Moderimi i promovimit të librit “Amë” të Nora Prekazit, dhe i eventeve të tjera në natën e dytë, u bë nga Alketa Gashi Fazliu, ndërsa përcjellja instrumentale nga Naser Dula.
Pjesa e tretë e mbrëmjes së dytë të Festivalit vazhdoi me pjesën “Letërsia dhe Lufta”, ku me poezi të zgjedhura nga kjo tematikë u paraqitën poetët Halil Matoshi, Ilire Zajmi, Shpëtim Selmani, Vlora Konushevci, Eduard Frrokaj dhe Donika Danishevci.
Në fund të natës së dytë në eventin “Kujtesa dhe trauma në letërsi”, pati ligjëratë dhe ese filmike nga Blerina Rogova Gaxha.
Ndryshe, Festivali Poetik i Prishtinës, edicioni i dytë i organizuar nga Portali për Kulturë ObserverKult, u financua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Festivali do të xhirohet i tëri dhe do të transmetohet në Portalin për Kulturë, Letërsi dhe Art ObserverKult.
ObserverKult
Lexo edhe:
(VIDEO) FESTIVALI POETIK I PRISHTINËS/MBRËMJA E MADHE POETIKE
Nga 21 deri më 23 nëntor është mbajtur Festivali Poetik i Prishtinës, organizuar nga Portali për Kulturë, Letërsi dhe Art, ObserverKult.
Për tri ditë me radhë ka patur provime librash, mbrëmje autoriale, debate, dokumentar, diskutime dhe orë poetike.
Në vazhdim gjeni videon e Mbrëmjes së madhe poetike, mbajtur natën e tretë të festivalit, më 23 nëntor.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
CIKËL POETIK NGA DONIKA DABISHEVCI: IK DIELL, SHKO!
Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Donika Dabishevci.
Ik diell I
Fole nji fjalë burrë
pashë ata sy tu,
shkrepe t’shkretën,
t’fundmen fjalë me mu
e ik i qeshun – kënaqu!
Monstër!
Digjmë…!
Le t’më diftohet e sotmja,
ti dritë tuj ba
e unë tuj tu gjunjëzu,
veç për nji fjalë burri
për nji fjalë me mu.
Shkrepe t’shkretën
gjuhëvrazhdë,
shkrumom e ik!
E more lirinë?
Fllad mali t’duhej?
Ti burrë i përtejmë,
burrë i betejave për jetë a vdekje,
burrë i t’rrnuemit n’zgripc,
burrë që s’shkrepë asni fjalë e ikë!
Ik diell II
Ik, diell, shko!
I pangishëm je,
vrasës,
fundbote je,
send s’ka vlerë përtej teje,
humnerë veç,
oqean i thellë, terr i zi.
Ik, se du me ta dashtë shpinën
e barin e shkelun prej hapave tu!
Ik diell III
T’kaloi përandrrja?
Nji t’përskuqun ftyre
kaq e ke ti.
Mos me shprishë punë
e as mos me i shti dru zjermit.
Akullsisht paqësor…
Por, shko diell, ik,
se vjen nji ditë
e kthehet n’plotninë e vet
krejt çka asht e bukur,
krejt çka asht e shejtë!
Ik tash!
Ti që ende po dhemb,
si varrë n’trupin tem,
ik sonte!
Ik tash!
Ik e shko larg,
shumë larg
ku as klithjet,
Poezitë e tjera mund ti lexoni KËTU:
ObserverKult