Resmije Kryeziu dhe fati i krijuesit në Kosovë

Nga Myrvete & Begzad Baliu

Ditë më parë, në ambientet e Institutit Albanologjik të Prishtinës, një brez kryesisht i ri i studiuesve, me fjalën e tyre, me kumtesat, me urimet dhe përgëzimet kolegiale shënuan ditëlindjen e 80-të të studiueses, shkrimtares e publicistes Resmije Kryeziu. E ulur pranë zotërisë së saj, profesorit universitar, regjisorit, dramaturgut e publicistit Ekrem Kryeziu, një aristokrat nga sjellja dhe artist nga pamja (dy veçori që duket nuk kanë mundur t’ia fshijnë as puna e madhe prej regjisori, as vitet e mundimeve të mëdha në burgjet serbe), ajo si dhe i shoqi, sikur nuk kishin humbuar asgjë nga rinia (hijeshinë, elegancën dhe stilin e veshjes), asgjë nga pjekuria (mendimin shkencor) dhe asgjë nga diskursi i komunikimit (elokuencën dhe artin letrar).
1.
Zonja Resmije Kryeziu (Gjakovë, 1945) është historiane e letërsisë, shkrimtare dhe publiciste. Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, shkollën e mesme në Pejë, ndërsa studimet universitare dhe pasuniversitare në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës.
Fillimet e para në fushë të publicistikës dhe krijimtarisë letrare të saj i gjejmë tek gazeta “Zëri i rinisë” dhe pothuajse në të gjitha gazetat dhe revistat letrare të viteve ’70, ndërsa fillimet shkencore edhe në Institutin e Historisë. Por, vetëm pas kalimit të saj në Institutin Albanologjik (1977) shohim përkushtimin e saj shkencor dhe përshkallëzimin e kësaj dijeje nga tekstet e para të botuara: recensionet e kronikat shkencore deri te studimet dhe sintezat monografike në fushë të letërsisë dhe historisë së saj. Fillimet dhe vitet e fundit të pensionit i ka përshkuar me një angazhim të veçantë: përkushtimi në fushë të mësimdhënies në vendlindje.
Në fillim të viteve ’80, kur studiuesja Resmije Kryeziu priste të korrte rezultatet e para shkencore, ndodhën ngjarjet e mëdha të vitit 1981. Në jetën personale dhe të familjes së saj të re do të zhvillohen ngjarje të mëdha. Ajo do të gjendet para sfidave të mëdha individuale, familjare e kombëtare. Bashkëshorti i saj, regjisori i njohur e dramaturgu i popullarizuar i veprës kombëtare “Epoka para gjyqit”, Ekrem Kryeziu do të dënohet me shumë vite burgu me Grupin e Intelektualëve për veprimtari ilegale kombëtare; shtëpia e saj do të ishte një prej qerthujve të Lëvizjes Kombëtare; ndërsa, sikur të mos mjaftonte kjo edhe Instituti Albanologjik i Prishtinës ku punonte, ishte institucioni më i atakuar i Partisë Komuniste të kohës dhe përgjithësisht sistemit partiak. Ishte koha kur në jetën e saj, në institucionin ku punonte dhe sidomos në familjen e saj, po luhej drama e madhe e Teatrit Kombëtar.
2.
E gjetur ndërmjet sfidave ideologjike të kohës, presioneve të sigurimit shtetëror, ndërtimit të familjes dhe formimit shkencor të saj, studiuesja që nuk kishte shumë kolege në rrethet shkencore të kohës, Resmije Kryeziu u strehua në krijimtarinë letrare të gjysmës së parë të shekullit XX, atje ku në rrethana mjaft dramatike të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (1912), ndërtimit të shtetit dhe sikur ishte në modë të thuhet “bërjes së shqiptarit”, ishte zhvilluar shkalla më e lartë e pluralizmit mendor, pluralizmit të stileve letrare dhe përpjekjeve për emancipimin e njeriut e të gjuhës, me theks të veçantë gruan.
Te shkrimtarët e kësaj kohe, te realisti Andon Zako Çajupi, te romantiku e realisti e modernisti, te parnasisti e simbolisti Aleksandër Stavre Drenova –Asdreni, te realisti Millosh Gjergj Nikolla, te realisti, neoklasicisti, epiku e satiristi më i madh i kohës Gjergj Fishta, te romantiku Ndre Mjeda, te realistët, sentimantalistët e ekzistencialistët Ernes Koliqi, Foqian Postoli e Sterio Spasse etj., ajo strehohej qoftë për motivet e pasura tematike, qoftë për pluralizmin e formave të shkrimit. Ku më shumë e ku më mirë mund të gjente ëndrrat dhe fatin e saj se sa te Zoga e Mjedës e Tringa e Gjergj Fishtës, te Afërdita e Sterio Spasses, te Dija e Haki Stërmillit, te jeta, mendimi e bëmat e personazheve, nga më të pasurat e letërsisë shqipe.
Kjo është edhe arsyeja pse veprave të saj shkencore ju prinë monografia “Personazhi i gruas në letërsinë shqipe mes dy luftërash” (1988: 352). Kjo është arsyeja pse në këtë monografi ajo merret me rrethana të reja postindipendente të organizimit të shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe gjendjen e gruas shqiptare në veçanti.
Historia kombëtare, sociologjia politika dhe kultura shqiptare në përgjithësi kanë sjellë të dhëna të shumanshme për fatin e gruas, për jetën sociale të saj, për gjendjen e vështirë ekonomike brenda familjes, për pasojë organizimin patriarkal e fisnor të marrëdhënieve feudale të shoqërisë, si dhe për përpjekjet e saj për ruajtjen dhe formimin e familjes, por askund dhe madje në asnjë fushë kërkimore e shkencore, publicistike e politike, nuk mund të gjeje më të plotë e më kundërthënëse, fatin e gruas, etikën e saj, si në letërsinë artistike, si në novelat e Migjenit e romanet e Sterio Spasses, Fuqian Postolit, Mustafa Greblleshit etj.
Kësaj periudhe dhe pak a shumë kësaj teme, veç se tani në një rrafsh më të gjerë e më të thellë kritik studiuesja Resmije Kryeziu i është kthyer edhe më vonë, me studimet e saj, me vështrimet e saj dhe madje me sintezat intelektuale e sprovat shkencore. Fjalën e kemi për veprat “Nga Lindja në Perëndim – aspekte të mendimit kritik shqiptar 1913-1944”, (2008) dhe “Femina litterarum. Romantizmi, sentimentalizmi, simbolizmi, realizmi, ekspresionizmi” (2008).
Rikthimi nuk kishte të bënte vetëm me nostalgjinë e fillimeve shkencore as me eksperiencën në një temë e periudhë bosht. Prej leximeve pararendëse të Rilindjes Kombëtare dhe iluminizmin në përgjithësi dhe prej njohjes së letërsisë e mendimit kritik të shkruar pas Luftës së Dytë Botërore, ajo kishte kuptuar se sa i pasur intelektualisht ishte mendimi i këtij brezi që përfaqësonte shkollat më të mira europiane, sa e vrullshme kombëtarisht ishte djalëria e kësaj kohe, si dhe sa largvajtëse ishin pikëpamjet e tyre në të gjitha fushat, prandaj edhe në kritikën letrare e publicistike, kritikën socologjike e historikografike.
Prej veprës së parë e deri te vepra e fundit e kërkimeve historiko-letrare studiuesja jonë jo njëherë i ka ridimensionuar konceptet e mëparshme për gruan si personalitet historik e sociologjik dhe si personazh letrar e artistik, duke i plotësuar ato me dokumente autorësh, e të dhëna letrare të panjohura, me aspektin jo vetëm historik po edhe artistik, me qasjen kritike po edhe sociologjike e psikologjike.
3.
Përbërësi i tretë i krijimtarisë mendore të studiueses Resmije Kryeziu është letërsia, me theks të veçantë, romani. Pas poezive, tregimeve, teksteve publicistike e letrare të botuara në fillimet e krijimtarisë së saj te shtypi ditor e letrar i viteve ’70: “Zëri i rinisë”, “Kosovarja”, e madje revistës autoritative “Jeta e re”, studiuesja Resmije Kryeziu i është kthyer prozës, përkatësisht romanit, një dëshmi e përkushtimit të saj në fushë të letërsisë tani që përvoja letrare e historiko-letrare e saj është përmbushur me kërkime dhe lexime të gjera të letërsisë.
Viteve të fundit ajo ka botuar romane, të cilat paralajmërojnë edhe vëllime të tjera, për faktin se periudha e marrë në shqyrtim ka fillimet e saj po jo edhe kufijtë historikë, përkatësisht tematikë. Dy romanet e saj “Rrota e ujit”(2019) dhe “Nën saç”, (2021) fillojnë me atmosferën e ripushtimit të Kosovës nga Serbia dhe vendosja e pushtetit komunist.
Të dy romanet sjellin gjendjen sociale, ekonomike e sidomos politike të popullit shqiptar në vendlindjen e saj, parë me sytë e një fëmije, Detës (Rrota e ujit) dhe fatit të një intelektuali, muzikantit, Halil Sokolit (Nën saç).
Bota përkatësisht fabula e romaneve të saj janë sinonim i dhunës së pushtetit në rrafshin individual, familjar, shoqëror e kombëtar. Format e dhunës në këto vepra shfaqen herë si sinonim i dhunës ideologjike herë si sinonim i dhunës etnike, ndërsa herën e tretë edhe si bashkim i të dyjave. Për të përmbushur anën letrare ndërkaq, për të mos thënë për të çliruar aktin historik nga përmasa e pasur dokumentare, autorja e ka përplotësuar mozaikun e saj edhe me elemente të humorit e satirës. Një përbërës posaçërisht i veçantë i artit romanor të saj është gjuha e pasur, diskursi i komunikimit, frazeologjia popullore e numrit të madh të personazheve, të cilët më parë se sa karakter strukturor kanë karakter fragmentar, por që i përplotësojnë shumë anë të dendurisë historike të ngjarjeve të kohës së trajtuar. Edhe si të tilla, qoftë në romanin e parë “Rrota e ujit”, qoftë në romanin e dytë “Nën saç”, qoftë në qytetin e Gjakovës a të Pejës, ngjarjet zhvillohen apo shihen si kronika historike (ngjarjet, vendet dhe madje institucionet dhe deri diku frazeologjia gjuhësore) dhe të letrarizuara (personazhet, raportet e brendshme, perceptimet, konceptualizimet dhe diskursi letrar, – stili).
Si të këtilla, romanet e saj sjellin jo vetëm përvojën individuale po kur e kur edhe përvojën romanore të letërsisë shqipe e më gjerë. Bie fjala, personazhi i Detës nuk mund të mos na kujtoj përvojën e narratorit në romanin e Kadaresë “Kronikë në gurë” edhe pse në rastin e parë kemi të bëjmë me narratorin (Detën) e angazhuar, ndërsa në rastin e dytë me personazhin indiferent.
4.
Portreti i studiueses, shkrimtares e intelektuales Resmije Kryeziu në 80-vjetorin e lindjes mund të ridimensionohet jo vetëm nga aspekti biografik po edhe nga anë të tjera të fateve të saj, e megjithatë jeta dhe vepra e saj janë një dramë e madhe e përbashkët e disa akteve, individuale, familjare dhe kolektive të kohës sonë, prandaj përvoja jetësore dhe krijuese e saj mund të quhen përvojë kombëtare e jetës sonë, e fatit tonë, në Kosovën e gjysmës së dytë të shekullit XX.

Prishtinë, tetor 2025

ObserverKult


Lexo edhe:

KUR MÁRQUEZ FLISTE PËR ROMANIN “NJËQIND VJET VETMI”: TËRË FRIKË PYETA SE ÇFARË DREQIN DO TË VINTE MË PAS…