Problemi shumëvjeçar i përmbytjes së Xhamisë së Plumbit në Shkodër po gjen zgjidhje në kuadër të projektit që do të vihet në zbatim nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Fondacioneve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, së bashku me përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Fondacioneve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, në praninë e përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman dhe besimtarëve shkodranë, prezantuan projektin për “Restaurimin dhe Konstruksionin e sistemit të mbrojtjes nga përmbytjet për Xhaminë e Shkodrës (Busatli Mehmet Pasha)”.
Xhamia e Plumbit, shprehet ministrja, është një monument me vlera shpirtërore, kulturore, por edhe një simbol qëndrese.
Ajo thekson se problemi i përmbytjes do të mënjanohet përmes një sistemi drenazhimi, të organizuar mirë rreth ndërtesës dhe përmes krijimit të një sistemi kullimi të sigurt.
Xhamia do t’i nënshtrohet restaurimit, duke ruajtur çdo element që e bën këtë ndërtesë unike, duke përdorur teknika dhe materiale origjinale.
“Ajo çka ne dëshirojmë është që ai imazhi i kupolave të xhamisë mbi ujë, të jetë vetëm një kujtim dhe të rifitojë vlerat që meriton si objekt kulti dhe monument kulture, në këmbët e një kalaje të mrekullueshme si ajo e Rozafatit”, deklaroi ministrja Margariti.
Protokolli për restaurimin e Xhamisë së Plumbit u nënshkrua nga ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy dhe ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në Turqi në janar 2021.
Në kuadër të projektit të restaurimit, do të ndërtohet minarja e Xhamisë së Plumbit, do të rinovohet mbulesa e plumbit, do të realizohen punime suvatimi dhe druri.
Xhamia e Mehmet pashë Bushatit ose Xhamia e Plumbit, monument kulture i kategorisë së parë, u ndërtua në vitet 1773-1774 nga Mehmet pashë Bushati (Plaku)./ATSH