Restaurimi sjell bukurinë e ikonës mbi katërshekullore të Beratit

Nuk kishte lindur në Berat, por mjeshtërinë e stërholluar për ikona do ta shpërhapte kudo. Në artin e tij ikonografik, ndihet kudo mënyra tradicionale e teknikës që kishte si të parë “Andrey Rublevin” shqiptar, Onufrin.

Me përdorim ngjyrash të përkundërta, ikona “Shën Nikolla me skena nga jeta” e ikonografit, Onufër Qiprioti, tani shkëlqen në gjendjen e re.

Prej dy javësh, ikona e vitit 1591 është restauruar nga specialisti i restaurimeve, Erion Lezi.

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Muzeumeve – Berat, Agron Polovina, ka thënë se ndërhyrja ia doli të vinte në pah bukuritë dhe vlerat e fshehura të veprës së Onufër Qipriotit, transmeton ‘koha.net’.

Në një bisedë për ‘Kohën’, ai ka treguar se ikona e dimensioneve të mëdha ka qenë pjesë e linjës së përhershme të ekspozuar për vizitorë. “Rezultati i arritur pas ndërhyrjes restauruese është vërtet mbresëlënës. Me ndërhyrjen u arrit të viheshin në dukje bukuria dhe vlerat e fshehta të kësaj vepre, por edhe vlerat e dorës së Onufër Qipritit, shkëlqimi i ngjyrave, freskia dhe madhështia e veprës së këtij mjeshtri të madh”, ka thënë Polovina.

E gjithë puna, që zgjati dy muaj, është bërë brenda Laboratorit të Restaurimit të Muzeut të Ikonografisë “Onufri”. Shkas për ndërhyrje ishin bërë degradimi i vernikut, plasaritjet, abrasioni i pelikulës piktorike, gufimet, dëmtimet si dhe depozitimet e papastërtive të ndryshme.