Restaurohet piktura murale në Xhaminë e Et’hem Beut: Një arsye më shumë për të vizituar këtë monument

Pas një pune disamujore ka përfunduar restaurimi i pikturës murale në Xhaminë e Et’hem Beut, në Tiranë.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila deklaroi se “kjo është një arsye më shumë për të vizituar këtë monument të rrallë”.

“Pas heqjes së skelerisë ka dalë në dritë piktura e mrekullueshme murale e Xhamisë së Et’hem Beut, në Tiranë. Një punë disamujore, që kërkon përqendrim e vullnet, e realizuar në mbi 300 metra katrorë sipërfaqe nga grupi i palodhur i restauratorëve Andi Spahia, Fatmir Carkanji (ndihmësrestaurator) nën drejtimin e Adrian Çenes”, tha Margariti.

Xhamia e Et’hem Beut në Tiranë, po i nënshtrohet një ndërhyrjeje tërësore, financuar nga Agjencia Turke e Bashkëpunimit dhe Koordinimit, TIKA.

Xhamia e Haxhi Et’hem Beut, është një xhami e ndërtuar në Shqipëri nga Mulla Beu, nga Petrela, rreth fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë.

Mbi derën e parë të xhamisë edhe sot e kësaj dite gjendet një rrasë, në të cilën vërtetohet që kjo xhami u ndërtua nga Mulla Beu, një njëri i pasur tiranas, i cili me qëllim bamirësie i hodhi themelet e para të kësaj xhamie më 1791.