Revolta e Florian Binajt: Ne jetojmë në “Big Brother”, të survejuar nga produksioni i bandave dhe të braktisur nga Policia e Shtetit

Florian Binaj

Nga Florian Binaj

Ka disa ditë që po përgjaken rrugët, tortuaret, oborret, lokalet, kafenetë, të gjitha, dhe askush nuk është më i sigurt. As kur ulesh të pish kafen, as kur nget makinën për në punë. Askush, askund.

Po përgjaken gratë, po përgjaken fëmijët, burrat, e po përgjaken të rinjtë. Fatkeqësisht faji si gjithmonë i shkon atij që vdes, asnjë i gjallë nuk mban përgjegjësi.

Tik-toku gëlon me video të të rinjve që rrezikojnë jetën duke ikur me gomone, ashtu siç gëlon edhe me video nga të rinjtë shqiptarë që rrezikojnë jetën duke ecur me makina të shtrenjta, duke xhiruar veten me 200-300 km/orë.

Dhe kushdo, kudo mund t’i gjejë, por vetëm Policia jo.

Dhe fatmirësisht ne kemi edhe disa Polici, tatimore, rrugore, rendi, bashkiake, madje kemi edhe polici spitalore nga ajo që të vë gjobë ne spital po parkove keq.

Kemi me mijëra policë të shumë lloj repartesh policie që i dërgojmë të armatosur deri në dhëmbë, për të shembur teatrot.

Por nuk kemi asnjë polic që të futet në Tik-tok dhe të dallojë dhe bllokojë makinat e atyre që vrasin prej pandëshkueshmërisë dhe prej varësisë nga shpejtësia.

Këta janë qrnie vetëvrasëse por ne, ju qytetarë, këmbësorë, ç’faj keni?

Ke frikë të shkosh në lokal se kërcet kallashi, ke frikë të kalosh vizat e bardha sepse të shtyp betonierja, ke frikë t’i japësh makinës se s’di nga do të vijë makina tjetër.

Dhe rrugët në Shqipëri nëse dikur bëheshin me stilin ‘tu pa tu bo’ ka kohë që bëhen me stilin ‘tu vra tu bo’, po vdiq njëri, vëmë një tabelë dhe po vdiqën tre, hajde ta bëjmë ashtu siç është për tu bërë.

Ne harxhojmë dhjetëra-miliona euro për Policinë e Shtetit për rroga, kamera, pajisje dhe me raste i shkelim sepse dalim kushërinjtë e ndonjë shefi, e ndonjë bosi.

Apo edhe të ndonjë qeveritari dhe kështu cikli fillon edhe njëherë nga e para.

Të vetmit që kanë informacion se çfarë ndodh në këtë vend janë bandat e krimit.

Ne jetojmë në ‘Big Brother’, të survejuar nga produksioni i bandave dhe të braktisur nga Policia e Shtetit.

Vrasës me histori kriminale që bredhin të lirë, të pasur që bredhin të lirë, të pasurvejuar të armatosur më listën e viktimave në xhep dhe askush nuk monitoron dhe asgjë nuk parandalon.

Edhe pse kemi mesataren më të lartë të Policëve në Europë me dyfishin e policëve që ka Finlanda dhe Suedia për 100 mijë banorë. Kush duhet të mbajë përgjegjësi?

Polici i thjeshtë i pambrojtur me 500 euro rrogë që ka kuptuar se në këtë vend ka një kategori të gjerë njerëzish që janë mbi ligjin dhe nuk duhen prekur?

Shefat e vegjël që duan ta kenë mirë me të gjithë dhe duan të rrisin sadopak standardin e jetesës me ndonjë ‘punë të vogël’?

Apo shefat e mëdhenj? Të cilët e dinë që nuk janë vënë aty për të rritur sigurinë publike, por për të ruajtur pushtetin.

Asgjë nuk është e re. Ekzekutime në mes të Tiranës, të përkëdhelur që bëjnë gara vrasëse, manjakë që ekzekutojnë sapo lirohen për një ‘sjellje të mirë’ nga burgu. Asgjë nuk është më e re.

Shqipëria është një vend ku qytetarët e vet nuk janë të barabartë para ligji, policit, makinave para shkollimit dhe shanseve për pushtetin dhe përfitimin.

Përpara krimit të verbër, jemi të gjithë njësoj. Ka disa ditë që jemi përfshirë nga pasiguria dhe me shumë mundësi kështu do vazhdojë, derisa ata që paguhen për të mbajtur përgjegjësi. Dhe pastaj ta gjejnë fajin tek të gjallët dhe jo tek të vdekurit./vjosa.net

ObserverKult


Lexo edhe:

FLORIAN BINAJ LARGOHET NGA “PORTOKALLI” PAS 18 VJETËSH, PARALAJMËRON PROJEKTIN E RI

Florian Binaj, aktori i njohur i humorit dhe shumë i dashur nga të gjithë ne ka njoftuar sot se është larguar përfundimisht nga emisioni humoristik ‘Portokalli’. Pjesë e këtij emisioni ka qenë prej 18 vjetësh.

Përmes një statusi në profilin e tij zyrtar në “Facebook”, Flori ka sqaruar për miqtë, ndjekësit dhe mbështetësit e tij edhe rrugëtimin e ri të cilin do të ndërmarrë. Ka të bëjë me një mision, i cili do i shërbejë në të ardhmen artistëve shqiptarë.

Postimi i Florit:

Të dashur miq, kolegë, fansa të Portokallisë në të gjithë botën.

Pas 18 vitesh, vendosa të jap dorëheqjen dhe të largohem nga Portokallia, rrjedhimisht edhe nga TopChannel.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult