Revoltohet Besnik Çinari: Edhe pse vështirë me thënë, por për artin bëhej më shumë gjatë komunizmit

Nuk mund të flasësh për Shkodrën e të mos flasësh për humorin apo estradën e famshme shkodrane.

Janë me dhjetëra artistët që kanë dhënë ndër dekada kontributin e tyre e që çdo ditë të jetës e kanë kaluar në dyert e “Migjenit”, teatrit të qytetit.

Ne takuam veç një nga dhjetëra artistët e mëdhenj të qytetit, që ndër dekada nuk e kanë kursyer humorin e energjinë për spektatorët, që ende sot i adhurojnë kur ngjiten në skenë.

Bisedën me Besnik Çinarin e ndamë pikërisht në skenën plot histori të teatrit, që herë pas here është rikontruktuar, por ku problemet nuk mungojnë ende sot.

Aktor i qindra roleve, personazheve e karaktereve. Besniki i Shkodrës, artisti që jashtë qytetit të lindjes, ka dalë vetëm për punë, kur ka qenë i ftuar për shfaqje jashtë vendit.

Besnikun e takojmë tek ndalesa e parë e çdo dite, përpara se të shkojë në teatrin e tij, në qendër të qytetit të Shkodrës, “Migjeni” i famshëm.

“Te teatri” quhet lokali përbri teatrit, atje ku aktorët ndajnë bashkë çdo ditë kafen e mëngjesit. Ata janë të rrethuar nga dhjetëra foto të aktorëve të teatrit dhe estradës, mes roleve që dikur i dhanë famën.

Pesha e viteve dhe moshës, sot 69, tek Besnik Çinari ndihen, por kurrsesi humori nuk mungon.

Na shoqëron drejt teatrit, aty ku ka zemrën, prej më shumë se 40 vitesh.

Bisedën bashkë, për pak minuta, e ndajmë në mes të skenës, aty ku i ka dhuruar buzëqeshjen mijëra e mijëra shkodranëve e jo vetëm, ndër dekada.

Ankesat dhe kërkesat ndër vite i kanë lidhur me investimet për artin e kulturën. Së pari për një teatër të ri, të madh, siç koha dhe pesha e teatrit “Migjeni” e meriton.

“Është turp të kujtojmë vëmendjen e madhe që i kushtohej artit atëherë, nga ai shtet që nuk e kemi dashur sepse nuk ishte për t’u dashur, por kishte vëmendje të madhe artistike.

Për ne, ishte gëzim i madh që kaluam nga Ministria e Kulturës, në varësi të Bashkisë. Nga shiu, ramë në breshër.

Më mirë të kishim qëndruar me Ministrinë e Kulturës, pasi Bashkia investon shumë pak”, tregon Çinari./ Denisa Pasholli/a2news.com

ObserverKult


Lexo edhe:

LEGJENDA E HUMORIT SHKODRAN, BESNIK ÇINARI: MË SHUMË BUKË, MË SHUMË KULTURË PËR POPULLIN SHQIPTAR!

Legjenda e humorit shkodran, Besnik Çinari, erdhi në një rrëfim, kohë më parë, për ‘Fitstation’ me Çenkuela Hasën, në News24, për jetën pas largimit nga teatri ‘Migjeni’ në Shkodër.

Besniku nuk ngurroi të jepte këshilla për aktorët e rinj të humorit në Shqipëri.

“Unë shoh shumë pak humor tani. Të gjithë janë shumë të mirë, ka të talentuar. Por doza e banalitetit është pak e tepruar.

Edhe ne kemi e kemi përdorur në kohën tonë. Por fjalë me dy kuptime. Humori shkodran nuk e toleron banalitetin.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult